A i gëzohem të mirës së të tjerëve?

May 31 • Meditimi i ditës

31 maj 2017 – E mërkure, Pasia e Marisë Virgjër, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Sof 3,14-18a (ose: Rom 12,9-16b); Ps Is 12,2-3,4b-6; Lk 1,39-56)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe sille në këtë lutje dëshirën tënde të jesh pjesë e diçkaje më të madhe se vetja jote. Kërkoji Hyjit ndihmë për të dalluar ndonjë dëshirë specifike që të çon në drejtim të asaj që është “diçka më e madhe” – drejt projektit të Hyjit – dhe kërkoji Hyjit t`i bekojë përpjekjet e tua për të qenë dashuri për të tjerët.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë Tënde.

Më mëso ta njoh praninë Tënde te të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet kujdesit të njerëzve të tjerë e ke treguar dashurinë Tënde për mua.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 1, 39-56

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Vështroje Elizabetën: nuk është më e re, por edhe pse shtatzënë duket se s`është e shqetësuar për veten e vet. E kishte ruajtur qartësinë e shikimit, është në gjendje ta pranojë Marinë dhe ta vlerësojë se është e bekuar.
    • Lus që të kem diçka nga personaliteti i Elizabetës, që të jem i/e aftë ta shoh se çfarë po ndodh rreth meje dhe ta pranoj bekimin, që t`i gëzohem të mirës që ndodhet në të tjerët.
     

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma përkujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »