Ipeshkvijtë e Shqipërisë në vizitë “Ad Limina” në Vatikan

May 31 • Kisha ndër Shqiptarë

 Ipeshkvijtë e Shqipërisë po zhvillojnë vizitën “ad Limina Apostolorum” në Vatikan, nga data 26 maj deri me 1 qershor. Është e treta herë, që ipeshkvijtë e atdheut të shqipeve vijnë “tek varret e Apsotujve”, sepse ky është kuptimi i vizitës, gjatë së cilës ata takohen me Papën Françesku, por edhe me autoritete të ndryshme të Vatikanit.

Ky është programi i vizitës “Ad Limina”, njofton Radio Vatikani në gjuhën shqipe:

Të premten në mëngjes, 26 maj, ipeshkvijtë e Shqipërisë kanë zhvilluar takime në Kongregatën për Ipeshkvijtë dhe në Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

Të shtunën, më 27 maj, janë takuar në Kongregatën për Klerin.

Të hënën, më 29 maj, do të kenë takime të ndryshme në Kongregatën për Doktrinën e fesë, në atë për Institutet e Jetës së Shuguruar e në Seksionin e Dytë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, që merret me punët e brendshme të Kishës Katolike.

Kulmi i vizitës ipeshkvijve të Shqipërisë në Vatikan ishte të martën, 30 maj, në audiencën me Papën Françesku, nga ora 10.30 deri më 12.30. Pasdite, ipeshkvijtë janë takuar me autoritetet e Dikasterit për Familjen, Jetën dhe Laikët, si edhe me ata të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Të mërkurën, më 31 maj, takimet në Kongregatën për Kultin Hyjnor dhe në Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve.

Kongregata për Edukimin Katolik dhe Këshilli Papnor për Tekstet Legjislative jenë institucionet ku do të kenë takime ipeshkvijtë shqiptarë të enjten, më 1 qershor, e cila është dita e fundit e takimeve të vizitës së tyre “ad Limina” në Vatikan.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »