Nuk kanë më verë!

May 31 • Këndvështrime

 

Nga Mons. Lush Gjergji

 

“Nuk kanë më verë!”. Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”. Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë.” (Gjn 2, 3-5)

Për këtë i tha Jezusit: “Nuk kanë më verë.” Mendoj që në këtë fjalë gjendet ëmbëlsia e mrekullueshme e zemrës së gruas e cila është e vetëdijshme për vështirësitë e tjetrit.” (Nëna Tereze)

 

Martesa është ditë gëzimi, sepse kurorëzohet dashuria e dy personave, krijohet familja e re, prej së cilës të gjithë presin shumë: lumturinë e bashkëshortëve, lindjen dhe edukimin e fëmijëve, harmoninë familjare, dëshminë e krishterë…

Njerëzit përgatiten për dasmë në hollësi: ftesat, vendi, koha, ceremonia, ushqimet…

Kështu ishte edhe në kohën e Jezusit. Një njeri kishte dasmë dhe kishte ftuar në këtë gëzim familjar edhe Jezusin. “Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, ku ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishen edhe Jezusin e nxënësit e tij”. (Gjn 2, 1-2)

Nuk dimë kush ishte ky njeri, por e dimë se mori pjesë Maria, në vend të parë, ndoshta se ishin miq apo edhe të afërt e saj. Ungjilli thekson edhe pjesëmarrjen e Jezusit dhe të nxënësve të tij. Një gjë është e qartë: gjatë festimit ishte harxhuar vera. Pse? Ndoshta nuk e kishin llogaritur mirë numrin e të ftuarve, vera që do të duhej të sigurohej, ose kanë pirë pak më shumë se parashihej, apo ndonjë rrethanë për ne e panjohur… Mungesa e verës mund ta koriste zotin e dasmës: dhëndrin, tërë familjen, të krijonte huti dhe habi te të gjithë. Gratë, i gjithmonë, të parat kishin hetuar këtë mungesë, dhe pëshpëritnin njëra me tjetrën për këtë. Kështu edhe Virgjëra Mari ishte në njohuri për këtë gjë keqardhëse. Ajo, si Nënë e mirë, kuptonte korinë dhe shi për këtë mendonte çka të bënte për t’i nxjerrë nga kjo situatë. Aty ishte edhe Jezusi, Biri i saj, Biri i Hyjit. Prandaj ajo me besim të plotë i drejtohet Jezusit duke i thënë thjesht, si informim: “Nuk kanë më verë!”  (Gjn 2, 3)

Kjo ishte fjala e dytë publike e Zojës Mari drejtuar Jezusit, pas asaj kur e gjeti në Tempullin e Jerusalemit.

“Marinë e vërtetë e zbulojmë në të njëjtën mënyrë, me plot butësi në këtë dasmë. Ajo, ishte prekë duke parë që dy bashkëshortë të rinj ishin në rrezik të koriteshin për mungesë të verës… Duke kërkuar që t’i shpëtonte nga kjo gjendje, siç bëri Maria, duhet të bëjmë edhe ne… Ju dhe unë, a kemi këtë dashuri në zemrën tonë? A ndihmojmë? A kemi sytë e Marisë për t’i zbuluar nevojat e të tjerëve? Ndoshta në familjen tonë: a jemi të aftë për t’i zbuluar nevoja e prindërve tanë, të burrit, të fëmijëve… E dimë çka i ndodhi Marisë, plot me dashuri dhe kujdes: ndërhyri në nevojën e të tjerëve…” (Nëna Tereze)

Jezusi sillet ndaj Nënës së vet dhe informatës që ia kishte dhënë, si mos të ishte aspak i interesuar, u përgjigj gati edhe i “hidhëruar”: “Moj burrneshë, a është punë për ne?”. Ende nuk erdhi koha ime!” (Gjn 2, 4)

Si të donte të thoshte: çka duhet të bëjmë ne, si mysafirë, prandaj kjo çështje nuk na përket neve aspak. Pastaj vijon: nuk erdhi koha ime, që domethënë koha e lavdisë së Atit tim, dëshmisë, shpalljes ndaj tjerëve, që ishte misioni dhe dërgimi i tij themelor.

Zoja Mari nuk humb shpresën, nuk diskuton me Jezusin, po i përgatit shërbyesit për gjestin që vijon: “Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!” (Gjn 2, 5)

Me fjalë tjera: unë e kreva pjesën time, të tregova dhe kërkova ndërhyrjen e Birit tim, tash bëni edhe ju pjesën tuaj, mësoni t’i nënshtroheni Jezusit, të bëni me fe dhe besim kërkesën  e  tij.

Dhe ngjau mrekullia: uji u shndërrua në verë, duke shkaktuar gëzim, mrekulli, habi… Ja përshkrimi i ungjilltarit: “Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjëve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!”. Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës”. Ata i çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë, e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë, e kur t’i nxehë pija, sjell verën më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!” (Gjn 2, 6-11)

Pastaj e përfundon tregimin mbi efektin që pati kjo mrekulli kështu: “Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë, e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të” (Gjn 2, 11)

Në këtë ngjarje së pari hetohet kujdesi i Marisë për nevojat e të tjerëve. “Kujdesi për të tjerët, është fillimi i shenjtërisë. Nëse e mësoni këtë art, do të jeni gjithnjë e më shumë të ngjashëm me Krishtin, sepse zemra e Tij ishte e ëmbël dhe mendonte gjithnjë në të tjerët. Thirrja jonë, për të qenë e bukur, duhet të jetë plot me kujdes për të tjerët. Jezusi bëri mirë gjithkund. Krishti mendon gjithnjë për çdo njërin prej nesh.” (Nëna Tereze)

Virgjëra Mari, në Kanë, nuk bëri asgjë tjetër përpos kujdesi, informimi dhe kërkimi i ndërhyrjes ë Jezusit, i cili, pas fjalëve të Marisë, bëri mrekullinë e ndërrimit të ujit në verë. Kjo mrekulli, simbolizon dhe paralajmëron ndërrimin shumë më të rëndësishëm dhe rrënjësor, për të cilin kishte ardhur në botë: ndryshimi i njeriu dhe njerëzimit në krijesa të reja, bijësi shpirtërore.

Maria është afër Jezusit, por edhe afër njerëzve, dhe ndërhyri në formë diskrete, por edhe vendimtare, duke nxjerrë atë që kishte kërkuar dhe pritur. Ky ishte dhe është roli i saj në historinë e shëlbimit, afër Jezusit, afër njerëzve, me Kishën dhe njerëzimin, si Nëna jonë, që i njeh mirë nevojat tona, dhe ato ia paraqet Birit hyjnor.

Vështirësitë e llojllojshme jetësore nuk mund të zgjidhën me hidhërime, lodhje, mërzi, sulme, apo dëshpërime dhe dorëzime – edhe më pak – me fuqi, dhunë, por me qetësi, uratë, fe dhe bashkëpunim me Zotin dhe me të afërmin. Duhet të kemi guxim në pranimin e kufizimeve, dobësive, vështirësive, edhe më tepër të gjithëpushtetësisë së Zotit, kujdesit dhe dashurisë së Tij për ne.

Ky qëndrim, në asnjë mënyrë nuk është pasivizëm, edhe më pak indiferentizëm, por bashkëpunim me përgjegjësi dhe pozitiv me Zotin dhe me të tjerët. Virgjëra Mari na përcjell për së afërmi, na njeh mirë, sepse ajo është Nëna jonë. Në emër tonë, me ne dhe për ne, ajo thotë: nuk kanë më verë! Kjo, në rrethana të ndryshme domethënë: nuk kanë më fe, besim, dashuri, duresë, kuptim për jetë, për vuajtje, për kryqe, për të tjerët…

Nga kjo gjendje lind një pyetje e paevitueshme: a jemi ne të vetëdijshëm se jemi njerëz të kufizuar, me shumë dëshira, por pak mundësi, të prirë kah e keqja, edhe pse duam të jemi të mirë? Njerëzit vijnë te ne, për të kërkuar dhe gjetur “verë”- risinë e jetës dhe veprimeve tona, jetën e krishterë; ndërsa ne shpesh jemi të zbrazët, pa fe dhe dashuri, pra, pa “verë”, madje edhe pa ujë, domethënë edhe pa elemente të thjeshta njerëzore.

Maria ndërhyn, kërkon për ne mrekulli, jetën e hirit të Zotit, me virtyte dhe risi, me dëshmi dhe shenjtëri, ma aftësi mbinatyrore, dhurata të Shpirtit Shenjt.

Trekëndëshi i jetës sonë është: Unë – Maria – Jezusi, që shprehet bukur në fe  dhe me  moton tonë: per Mariam ad Jesum – Nëpërmjet Marisë te Jezusi!

Maria s’i zbulon vetëm vështirësitë tona, mëkatet, por ka një kërkesë të saktë ndaj nesh: bëni gjithçka t’ju thotë! Kjo domethënë dëgjesa  e fesë, njohja, pranimi dhe zbatimi i vullnetit të Zotit, jeta sipas Jezusit dhe Ungjillit të Tij.

Maria, përfaqëson mbarë njerëzimin në vështirësi dhe kërkon prej Jezusit, por edhe prej njerëzimit, një bashkëpunim sa më të afërt. Vëra, paraqet simbolin e kërkesave tona, për t’i dhënë kuptim, shije, gëzim, festim jetës, punës, veprimtarisë njerëzore.

Vëra e mrekullisë së Jezusit, ishte shumë më e mirë se ajo që kishin pirë dhe përdor më parë, që po ashtu simbolizon që jeta jonë me Jezusin dhe Ungjillin e tij, është ndryshe, më virtytshme, sepse është fryt i bashkëpunimit Zotit – Dashuri dhe Vëllait – Njeri.

Zoja Mari na mëson dhe udhëzon, që të bëjmë gjithçka na kërkon dhe thotë Jezusi, sepse edhe ajo jeton dhe vepron sipas Shpirtit Shenjt, plotëson me përpikëri dhe dashuri vullnetin e Zotit.

Shën Augustini duke komentuar këtë ndodhi ungjillore shkruan: “Dhëndri i kësaj dasmë ishte figura e Zotërisë në person…, ndërsa Virgjëra Mari paraqiste popullin e Izraelit, fillimin e Kishës, mbarë njerëzimin.”

Efektet e kësaj mrekulli ishin të shumëfishtë:

  • Ishte shenja e parë e mrekullueshme për t’u dëftuar nxënësve të tij;
  • Përforcoi fenë e nxënësve dhe të popullit, thirrjen e apostujve, që do t’i përgatiste për ngjarjen e madhe në “ditën e tretë” – ngjalljen e Krishtit;
  • Feja e apostujve dhe e popullit, është zanafilla e bashkësisë së krishterë –Kishës, për të vazhduar veprën e shëlbimit.
  • Virgjëra Mari ka një detyrë të madhe në Kishë dhe në botë, si “bashkëshëlbuese” e botës.

“Maria, në Kanë i tha Jezusit: Nuk kanë më verë. Të jemi edhe ne të vetëdijshëm për nevojat e të varfërve, shpirtëror ose material… Sa shumë mund të mësojmë prej Marisë! Ishte aq e thjeshtë, sepse ishte tërësisht e Zotit, plot me hire. Luteni Marinë që t’i thotë Jezusit edhe për ne: “Nuk kanë më verë!”. (Nëna Tereze)

“Në jetën publike të Jezusit, nëna e tij duket dallueshëm që prej fillimit, kur në dasmën në Kanë të Galilesë, prej dhembshurisë, bëri që më ndërhyrjen e vet Jezusit Mesi t’u jepte fillesë mrekullive.” (LG 58)

(Nga Libri: Don Lush GJERGJI, Jeta, Dashuria, Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, 2016, f. 131-136)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »