Homazh për albanistin e madh Norbert Jokli

Jun 1 • Kulturë, Letërsi

Nga Eqrem ÇABEJ

 

Norbert Jokli lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë jugore, në Çekosllovakinë e sotme. Studjoi sëpari drejtësi dhe shërbeu në Vjenë si praktikant juridik me shërbim gatitor për karierën e avokaturës. Pas një kohe të shkurtër, duke ndjekur një prirje të tij të kahhershme, ai iu kthye degës së gjuhësisë. Studjoi indoeuropianistikë të krahasuar të P. Kretschmer, romanistikë të G. Meyer-Lübke, gjermanistikë të R. Much dhe sllavistikë të W. Vondrak e V. Jagic. I shtyrë nga ky i fundit, Jokli që më 1907 iu përvesh studimit të shqipes.

Ky është përfaqësuesi gjer tani i fundit në radhën Miklosich-Gustav Meyer-Pedersen-Jokl, një radhë dijetarësh, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht. Jokli në këtë lëmë arriti një mjeshtëri të madhe, solli këtu një frymë të re në gjerësi dhe në metodë, dhe zgjeroi e thelloi qenësisht (esencialisht) njohjen gjuhësore të shqipes. Metoda e tij del në shesh që me titullin e së parës vepër më të madhe albanistike “Studien zur albanesichen Etymologie und Wortbildung”, (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), me të cilën u habilitua më 1911 në universitet të Vjenës: Etimologjia dhe morfologjia janë qenësisht përpjekjet e gjurmimeve të tij në fushë të leksikut të shqipes. Qëllimi i kërkimeve të tij rreth historisë së fjalëve është më fort ky, që të mos mjaftohet vetëm me hetimin e burimit etimologjik të një fjale, po të japë një pamje sa më të plotë të fjalës, të formimit dhe të historisë së saj, ta ndjekë këtë fjalë në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Në pikëpamje stilistike kjo metodë shfaqet në këtë, që Jokli një paraqitjeje sistematike të thatë i parapëlqen traktatin monografik. Prandaj vlerat vetiake të veprave të Joklit janë thellësia dhe pushtimi i objektit nga të gjitha anët. Një vend me rëndësi në veprat e tij zë dhe konsiderimi i elementeve të kulturës materiale: Fjalët dhe sendet, drejtimin e gjuhësisë që shpalli për të parën herë Jakob Grimmi dhe që themeloi kryesisht Rudolf Meringer, domethënë që krahas me fjalët të kihen parasysh edhe sendet përkatëse, edhe këtë drejtim e përvetësoi Jokli dhe e vuri në zbatim në lëmë të shqipes. Kjo vërehet hap më hap si në artikujt e tij, si sidomos në kryeveprën e tij të vitit 1923, e cila mban titullin “Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e gjuhës shqipe”. Me këtë mënyrë veprat e tij kanë rëndësi edhe përtej caqeve të linguistikës, në lëmë të etnografisë shqiptare. Materialin etnografik Jokli e ka nxjerrë sidomos nga veprat e F. Nopcsas, shumë herë edhe në bisedime private me këtë njohës të shquar të kësaj disipline shkencore.

Përsa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes, Jokli është një pasardhës i Gustav Meyerit. Ky i pat shënuar kësaj gjuhe vendin e një gjuhe satem (indoeuropiane lindore) me karakter verior. Për periodën antike të shqipes ka rëndësi fakti që Jokli – pas hullisë sidomos të H. Pedersenit – e uli pjesën që i bie latinishtes në formim të leksikut të shqipes, pjesë që Gustav Meyeri e bashkëkohasit e tij e kishin çmuar tepër lart. Po më anë tjetër bash Jokli është ai që ka zbuluar huazime latine të pavëna re më parë në gjuhën shqipe, si për shembëll edhe në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Veriut, në Kanun të Lekë Dukagjinit, si edhe në fushë të toponimisë. Në çështjen e lidhjeve t’afërisë së shqipes me gjuhët indoeuropiane motra, dijetari ynë e ka vërtetuar edhe thelluar rrugën që pat rrahur G. Meyeri, domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore, ngulën në brigjet e Mesdheut.

Krahas me këto dy çështje: lidhjet e afërisë që ka shqipja me gjuhët motra, djepi paraballkanik i shqiptarëve, del dhe një pyetje e tretë: shqipja nga cila gjuhë ballkanike jogreke e kohës së vjetër ka dalë? Sikundër dihet, aty ka dy teza, të cilat rrinë përkundrejt njera tjetrës; njera, që është e bazuar dhe historikisht e gjeografikisht, në shqipen sheh vazhdimin e ilirishtes (Thunman, Diefenbach, Fallmerayer, Hahn, Niebuhr, Benfey, Miklosich, G. Meyer, Kretschemer, Ribezzo e të tjerë), tjetra (Hirt, Weigand, Whatmough, Bariç e të tjerë), shqipen e ndan prej ilirishtes dhe sheh në të bijën e trakishtes, në këtë kjo tezë mbështetet midis të tjerave edhe në lidhjet e ngushta që kanë shqipja me rumanishten. Në këtë kontroversë Jokli rreh një rrugë të tretë: shqipja është e afërt si me ilirishten si me trakishten. Një zgjidhje e drejtë e këtij problemi, i cili ka rëndësi për etnografinë e mbarë gadishullit të Ballkanit, bëhet e vështirë ngase ilirishtja me trakishten shumë pak njihen. Në themel teza e Joklit do të jetë e drejtë, sepse gjurmë trake në Adriatik kish diktuar që më parë K. Patschi; edhe Nopcsa kish shprehur mendimin që ilirët ishin shtruar si mbishtresë përmbi një nënshtresë trake. Prandaj do të kthehemi te mendimi i Thunmannit (1774), që në formimin e kombësisë shqiptare kanë pasur pjesë edhe trakët. Veçse, si mund të gjykojmë sipas gjendjes historike e gjeografike që na paraqitet, fondin themelor të popullit shqiptar pas gjase e përbëjnë ilirët.

Vepra gjuhësore e Norbert Joklit, me gjithë se me zhdukjen tragjike të tij mbeti e pambaruar, paraqet diçka tërësore në vetvete; tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij. Në fushë të fonetikës, për periodën parahistorike të shqipes, ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë, si edhe në reflekset e likuidave silabike. Në konsonantizëm ai vuri re ndër të tjera reflektimin e sk-së indoeuropiane edhe me ç në shqipen në fjalë të tilla si çel, dhe pasqyrimin e grupit zd(h) indoeuropian dhe dh, (th), në fjalë të tipit gjeth. Në çështjen e guturaleve ai mbrojti gjer në fund teorinë e Holger Pedersenit, sipas së cilës shqipja është e vetmja gjuhë indoeuropiane që ruan tri seri guturalesh të dalluara njera nga tjetra gjer në ditë të sotme. Nga perioda historike e gjuhës ai ndoqi diftongimin e zanores o në ua, ue në, fjalë si krua, krue, duar duer nga dorë, duke e gjurmuar atë në fazat e ndryshme të zhvillimit të tij (ou uo etj.), mbi dëshminë e dialekteve, të dokumentave të vjetra të shkrimit dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit. Në punë të theksimit ai përcaktoi rregullimin mekanik të theksit në pajtim me parimin e theksimit të rrokjes parafundore. Në morfologji ai vërejti përdorimin e një kallëzorje të moçme si emërore, sinkretizmin (përzjerjen) e rasave dhe ndërrimin e gjinisë së emrit, moshën mjaft të lashtë të nyjes së sprasme, dhe dha sqarimin përfundimtar të disa trajtave të përemrit pronor, si juaj, juej e taj “tuaj” të autorëve të vjetër të Veriut e të ligjërimeve arbëreshe të Italisë. Në sistemin foljor ai gjurmoi trajtat e foljeve kauzative e denominative, dhe ndër të tjera edhe historinë e përhapjen e paskajores. Vrojtime të reja i detyrohen atij edhe në lëmë të fjalëformimit, ndër të tjera në gjurmim të kolektivave e të deminutivave, e në mënyrë të veçantë në hetimin e kompozitave të gjuhës popullore e letrare. Sintaksës nuk i është kushtuar ndonjë punim i veçantë, po vrojtime mbi dukuri të ndryshme të kësaj fushe gjinden gjithandej në punimet e tij.

Në veprën e këtij dijetari vendin e parë ndërkaq, si u tha, e zë historia e fjalëve dhe etimologjia. Në kundërshtim parimor me dijen e përparme, e cila e pat trajtuar visarin leksikor të shqipes më fort nga ana e huazimeve, të marra prej gjuhësh të tjera, ai gjatë gjithë veprimtarisë shkencore të tij është përpjekur ta rrokë këtë gjuhë së brendshmi. Shihet kështu që në studimet e tij, leksikut të trashëguar të kësaj gjuhe i përket një vend më i rëndësishëm se elementit të huazuar, me gjithë se për hir të së vërtetës do thënë se ai edhe kësaj pjese të visarit leksikor i kushtoi vëmendjen e duhur. Në gjurmimin etimologjik të fjalëve ai zhvilloi me kohë dhe një metodë kërkimi të veten, në pajtim me kushtet e veçanta të shqipes. Pikësëpari ai gjurmoi e solli për krahasim gjithë format e fjalës që çojnë peshë në punë të historisë së saj. Përveç kësaj ai kreu një analizë të thelluar të strukturës morfologjike të fjalëve që studjoi, një tipar metode që mund të thuhet se është karakteristik për punën e këtij dijetari. Afrimi i të dhënave etnografike dhe të kulturës materiale në gjurmimin gjuhësor, ndjekja e drejtimit shkencor “Fjalët dhe sendet”, u përmend dhe më sipër.

Interesat shkencore të Norbert Joklit ndërkaq nuk u drejtuan vetëm nga historia e lashtë e gjuhës shqipe. Ai i kushtoi vëmendje edhe zhvillimit të mëpastajmë të saj, si gjuhë e shkrimit dhe e literaturës. Në artikullin “Një studim përreth librit të Buzukut” të vitit 1930 ai gjurmoi rrethanat historike në të cilat u hartua vepra, nga sa dihet, e para e literaturës shqiptare, dhe elementet e alfabetit që përdori autori i saj. Në një punim të hapët të vitit 1925 ai mori e studjoi veprën e Naim Frashërit kryesisht nga pikëpamja e pasurimit të gjuhës letrare nga ana e tij, më një anë duke hedhur poeti në përdorim të shkrimit fjalë të ligjërimit popullor, më anë tjetër duke krijuar fjalë të sferës mendimore e të kulturës me anë përkthimesh, kalkesh nga gjuhë të huaja, në radhë të parë prej frengjishtes. Dijetari ynë pati lidhje të pandërprera edhe me shkrimtarët, arsimtarët e të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës së tij, jo më në fund dhe me studentët shqiptarë të asaj kohe në Austri, të cilët të gjithë pasuruan njohuritë e tij rreth visarit leksikor të shqipes dhe të dialekteve të saj. Nga fusha dialektore do përmendur një punim i tij rreth ligjërimit të Rapshishtit në rrethet e Gostivarit, punim që, me sa duket, mjerisht do t’u ketë bjerrë.

Sikundër po shihet nga kjo skicë, Jokli është përpjekur ta pushtojë problemin e shqipes në tërësi dhe në të gjithë aspektet e tij. Prej këtij problemi ne prekëm këtu disa anë më fort të natyrës historike. E njëjta gjë duhet thënë edhe për anën gjeografike të kësaj çështje, sepse mënyra historike dhe gjeografike e vështrimit të problemit janë të thurura ngushtë me njera tjetrën: Jokli historinë e gjuhës shqipe me çështjet fonetike dhe leksikore të sajat, nuk e ka studjuar në një mënyrë të njëanshme e të izoluar, duke u kufizuar brenda caqeve të shqipes, po e ka trajtuar duke pasur përhera parasysh edhe gjendjen si na paraqitet te gjuhët që janë fqinje me shqipen. Marrëdhëniet e shqipës me gjuhët e tjera të Ballkanit janë një anë me rëndësi në metodën Jokliane; përhera në të mbahet parasysh ç’ka marrë hua shqipja prej greqishtes (greqishtja e vjetër, e mesmja, e reja), prej serbokroatishtes, bullgarishtes e rumanishtës, dhe më anë tjetër ç’u ka dhënë kjo atyre gjuhëve dhe dialekteve të tyre. kështu gjurmimet e tij nuk i përkasin vetëm albanistikës; ato marrin karakterin e një vështrimi panballkanik, në kuptimin e Kristian Sandfeldit dhe në një farë vështrimi edhe të Gustav Meyerit.

Në pikëpamje bibliografike do përmendur këtu “Vjetari indoeuropjan” (Indogermanisches Jahrbuch), ku Jokli ka redaktuar vit për vit pjesën që referon përmbi botimet e reja të albanistikës Seksioni VII, që nga volumi IV, 1917 e gjer te XXIV, 1940. Duke marrë ai qëndrim me vërejtje të shkurtëra e shpeshherë edhe mjaft të shtjella, ndaj tezave të ndryshme të dijetarëve të tjerë, kjo punë bibliografike mund të themi se na paraqet gjendjen e albanistikës të këtyre dhjetëvjetëve të fundit gjer në vitin 1938.
Albanalogu i madh mjerisht është zhdukur nga rrethi ynë. I përndjekur nga regjimi nazist për idetë e tij demokratike, ky, siç duket, u zhduk në maj të vitit 1942 prej këtij regjimi, në Vjenë, veçse hollësitë e vdekjes së tij nuk dihen. Me këtë dijetar albanistika humbet një përfaqësues të madh, atë që e pat zgjedhur studimin e shqipes për mision të jetës së tij. Përtej caqeve të dijes, edhe populli shqiptar humbet një burrë, i cili, duke rrahur me frymë objektive ravën shkencore, u bë njëkohësisht dhe indirekt një mbrojtës i të drejtave tona nacionale. Mjerisht, si u tha, puna e këtij dijetari të shquar mbeti e pakryer. Sidomos nuk u krye dot vepra që do të kishte qenë kurorëzimi i punës së jetës së tij: Fjalori etimologjik i shqipes dhe gramatika krahasimtare e kësaj gjuhe. Në këtë vepër të madhe Jokli ka punuar vazhdimisht; nuk dimë gjer ku ka arritur sa ishte gjallë. Disa dorëshkrime të tij gjinden në bibliotekën Nacionale të Vjenës, ndër to mbase dhe dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik, ose ndonjë pjesë e tij a e skedave përkatëse.

(Botuar së pari në gazetën “Mësuesi”, 25 tetor 1972.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »