Mirënjohja – virtyti që e fisnikëron njeriun

Jun 1 • Opinion

 

Nga M. Franciska (Suzana) LEKAJ

 

Feja dhe  filozofia, qysh së hershmi i kanë dhënë rëndësi dhe e kanë vlerësuar virtytin e mirënjohjes. Kështu, Ciceroni do ta përkufizonte si prindi i të gjitha virtyteve. Kjo na bënë të kuptojmë se ky është një virtyt shumë i rëndësishëm, aq sa të krahasohet me figurën e  prindit. Parë nga ky këndvështrim, e duke konsideruar rëndësinë që ka ajo përballë qenies njerëzore, edhe psikologjia filloi t’i japë vëmendjen e duhur dhe ta vlerësojë rolin e saj, si shumë të rëndësishëm për formimin dhe edukimin e tij, duke qenë se ajo vetë ka si një nga qëllimet parësore, mirëqenien e njeriut. Ndaj, mirënjohja nuk është një virtyt që i takon vetëm fesë dhe filozofisë, por është një virtyt që përfshin edhe shkencat e tjera.

Vihet re se, mirënjohja përballë njeriut modern nuk po vlerësohet e nuk po i jepet rëndësia e duhur, por përkundrazi, duket se është lënë mënjanë dhe në harresë. Sot, takojmë  dhe dëgjojmë çdo ditë shumë raste, ku individët janë pak mirënjohës e falënderues kundrejt; Zotit, jetës, shëndetit, familjes miqve, kolegëve, të kaluarës, së tashmes, kohës etj. Të gjitha këto që u përmendën më sipër, si edhe shumë raste të tjera që nuk janë hedhur në letër, por që secili njeri i mban brenda vetes, mund të thuhet se nuk janë motive të pakta për të qenë mirënjohës e falënderues! Porse, që të kuptojmë se ku jemi unë, ti dhe ne, përballë këtij virtyti, le të ndalemi pak tek një pjesë e  shkëputur nga ungjilli i Lukës, në të cilën  flitet shumë qartë për mirënjohjen dhe falënderimin, e gjithashtu dhe për mungesën e tyre  përballë Jezusit:

Shërimi i dhjetë të gërbulurve  Lk 17, 12-19

Kur hyri në një fshatë i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend largë e filluan të bërtasin: Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne! Kur i pa u tha: Shkoni e paraqituni priftërinjve! E ndodhi ndërsa po shkonin, u pastruan. Njëri prej tyre, si pa se u shërua u kthye duke e lavdëruar  Hyjin me zë të madhë. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky është samaritanas. Jezusi mori fjalën dhe tha: Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i jap lavdi Hyjit përveç këtë të huaji? Çohu e shko feja jote të shpëtoi!”

Kjo pjesë  e shkurtër e shkëputur nga Shkrimi i Shenjtë, konkretisht nga ungjilli i Lukës (Lk 17, 12-19), na ndihmon të hyjmë brenda vetes për të reflektuar e pyetur:  Ku jam unë? Sa mirënjohës jam? Për çfarë jam mirënjohës? A më ndodh të harroj të jem mirënjohës? A e vlerësoj mirënjohjen? A jam tek grupi i nëntë të gërbulurve që kur kishin nevojë nuk pushonin duke bërtitur e kërkuar ndihmë  e pasi u shëruan nuk ishin mirënjohës e falënderues?  Apo jam ai samritanas (në aspektin figurativ të fjalës) që di të jem mirënjohës e falënderues për çdo gjë që më dhurohet?!

Kjo është një mundësi, përmes së cilës, ta shohim dhe ta kuptojmë Shkrimin e Shenjtë, si një mjet që na ndihmon që të rritemi dhe të formohemi, jo vetën në aspektin fetar, por edhe në aspektin njerëzor e shpirtëror. Pasi, na ndihmon ta njohim dhe ta  kuptojmë  rëndësinë e virtyteve e të vlerave në vetvete, dhe vetëm pasi t’i kuptojmë,  t’i praktikojmë ato përballë vetes dhe tjetrit.

Mjerisht, për shoqërinë moderne, mirënjohja  nuk flet shumë çdo ditë, porse gjithnjë e më shumë është duke u lënë mënjanë e duke mos u vlerësuar për rëndësinë që ka. Një gjë e tillë, është duke ndodhur edhe me shumë virtyte dhe vlera të tjera. Pasi, të tjera gjëra i konsideron më të vlefshme e më të rëndësishme, kurse vlerat dhe virtytet që e fisnikërojnë, që e bëjnë të rritet si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë shpirtëror, dhe që e bëjnë të ndjehet mirë, është duke i nënvlerësuar.  Fakt, ky i fundit, që preket dhe vihet në dukje, edhe nga Wallace Wattles: Shumë njerëz që e organizojnë jetën në mënyrë korrekte në të gjitha fushat e tjera mbetën të varfër ngaqë u mungon mirënjohja.

Mirënjohja, është më shumë se një ndjenjë, më shumë se një ‘faleminderit’, ajo është  një virtyt që e pasuron atë që e shfaq, dhe e lumturon atë që e merr. Kështu që, sa më shumë njeriu shpreh mirënjohje, aq më e madhe është mirëqenia e tij shpirtërore, fizike, psikike e shoqërore. Ajo, është një virtyt i zemrës që asnjëherë nuk i bënë njerëzit të ndjehen  keq, por përkundrazi i bënë të ndjehen më të vlerësuar dhe më të çmuar, përballë vetes dhe tjetrit. “Mirënjohja i ngjan lules, që duhet ta ujitësh, të përkujdesesh për të, dhe ta mbrosh.”

Ajo, nuk është një borxh, por është një ndjenjë që rrjedh natyrshëm, e cila duhet të praktikohet çdo ditë, duke u nisur nga gjërat e vogla. Porosi që na jepet edhe nga  Rhonda Byrne, teksa thotë: Ji mirënjohës për atë që ke tani. Kur fillon të reflektosh për gjërat e jetës tënde për të cilat je mirënjohës, do të mbetesh i habitur kur të zbulosh se sa shumë janë ato. Vetëm duhet të fillosh, pastaj ligji i tërheqjes do t`i marrë mendimet mirënjohëse dhe do të të sjellë shumë të tilla. Atëherë do të jesh në frekuencën e mirënjohjes dhe të gjitha gjërat e mira do të jenë të tuat.

Mirënjohja, është një akt, një pjesë e edukimit të mirësjelljes, është një ndjenjë pozitive, është një vlerë, e cila e mëson njeriun që ta vlerësoj jetën si dhuratë. Të jesh mirënjohës nuk të kërkohet të bësh  ndonjë gjë kushedi çfarë, por të kërkohet që të jesh njeri, i tillë që nuk harron të mirën, dhe se di ta vlerësosh të tashmen.

Rhonda Byrne thotë: Çdo mëngjes, para se të ngrihesh nga shtrati, bëje zakon të jesh paraprakisht mirënjohës për ditën fantastike që të pret, sikur ta kishe jetuar tash.

 

Cilat janë karakteristikat që e shoqërojnë njeriun mirënjohës?

Sipas studimeve psikologjike rezulton se, njerëzit që praktikojnë virtytin e mirënjohjes, kanë nivelin më të lartë të emocioneve pozitive, kanë  kënaqësi në jetë, gjallëri dhe optimizëm. Ata janë, jo vetëm mirënjohës dhe falënderues  por gjithashtu janë, përgjegjës dhe angazhohen për të tjerët. Liggy Webb, në shkrimet e tij thotë: Njerëzit me një prirje të fortë ndajë mirënjohjes kanë kapacitetin të jenë më empatik dhe e kanë me të lehtë të kuptojnë këndvështrimin e të tjerëve.  Pra, njerëzit mirënjohës dallohen nga qëndrimi, biseda, nga ndërtimi i marrëdhënieve me të tjerët, nga forcimi i këtyre marrëdhënieve, për arsyen e thjeshtë se janë më të hapur përballë tjetrit dhe  se e kanë më të lehtë ta bëjnë këtë. Ata, janë persona pozitivë dhe që transmetojnë pozitivitet, qetësi, paqe, dhe gëzim.

Njerëzit mirënjohës, janë ata që i pranojnë aspektet e pakëndshme që ofron jeta, dhe se fokusohen më shumë tek gjërat e këndshme dhe pozitiviteti që ofron ajo. Vlerësojnë jetën dhe praninë e tjetrit, gëzohen për të mirën e tjetrit, ndjejnë dhimbje për fatkeqësinë e tjetrit, nuk i lënë vend dëshpërimit e depresionit por përkundrazi angazhohen për lumturinë e vetes dhe të tjetrit. Çdo gjë që i ofron jeta, e pranon si mundësi për t’u rritur, dhe se e disiplinon veten përballë mendimeve negative, e i jep më shumë hapësirë së bukures, pozitivitetit dhe optimizmit.  Ai di të vlerësojë dhe të shijojë, atë që ka e nuk ndalet duke menduar rreth asaj që nuk e ka.

Psikologët, jo më kotë thonë se, mirënjohja është një nga faktorët që lidhet drejtpërsëdrejti me mirëqenien shpirtërore dhe fizike të njeriut.

Në mbyllje, sjellim në kujtesë se çfarë Wallace Wattles thotë: Praktikimi i përditshëm i mirënjohjes  është një prej rrugëve nëpërmjet së cilës do të arrij pasuria jote.

 

                                                                                   

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »