A lus për të tjerët me ndjenja mëshire?

Jun 3 • Meditimi i ditës

3 qershor 2017 – E shtune, Shën Karlo Luanga dhe shokët martirë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 28,16-20.30-31; Ps 11; Gjn 21,20-25)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria 

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive

dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,

ta dërgojë Shpirtin Shenjt.

Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.

Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Lutiu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Gjn 21, 20-25

 

20 Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit dhe e pati pyetur: “Zotëri, kush është ai që do të të tradhtojë?” 21 Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit:

“Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!”

23 Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por “‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]”

24 Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  •     Pjetri shpesh e merr vendin tonëna zëvendëson: e shohim atë sesi vepron pa menduar, ngre pyetje të pamatura. Këtu shqetësohet për të mësuar në lidhje me personin tjetër. Përgjigjja e Jezusit e thërret për t’u kujdesur për thirrjen e vet.
  •    Lus që, kur t`i shikoj njerëzit e tjerë, të mund të lus për ta me ndjenja dashurie dhe mëshire dhe të mos më hutojë ftesa e Jezusit: “Eja pas meje.”

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »