Të (mos) kesh shpirt

Jun 4 • Meditimi i ditës

4 qershor 2017 – RRËSHAJËT (Pesëdhjetorja), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Vap 2,1-11; Ps 104,1ab.24ac.29bc-31.34; 1Kor 12,3b-7.12-13; Gjn 20,19-23)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

Do të mundohem së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta janë duke më munduar në këtë moment.
Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Hyjit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi 

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.
Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.
Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,
ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 20,19-23

 

19 Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Pastaj u tha prapë:
“Paqja me ju!
Siç më dërgoi mua Ati,
ashtu unë po ju dërgoj ju.”
22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha:
“Merrni Shpirtin Shenjt!
23 Atyre që jua falni mëkatet,
u falen,
e atyre që nuk jua falni,
nuk u falen.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E shfrytëzoj këtë kohë dhe përqendrohem, duke pritur Zotin që të më afrohet sikurse iu pat afruar nxënësve duke ua dëshiruar paqen. Dëgjoj sesi thotë: “Paqja me ty!” Do t`i vërej reagimet, protestimet e mia.
  • Dhurata e madhe e Zotërisë së ngjallur është dhurata e faljes së mëkateve. Kemi nevojë për këtë dhuratë dhe hir që të dimë se Hyji gjithmonë jep rastin të ri-fillojmë. Shpirti i tij është gjithmonë me ne. Shpirti i Hyjit që banon në ty është plotësimi i premtimit të Jezusit se nuk do të na lë të mbesim jetimë. Shpirti i Zotit me vete mbartë domosdo paqen.
  • E kuptoj se ku jam në gjendje ta marr dhuntinë e Shpirtit/Frymës së Shenjtë dhe lus që këto dhunti lirisht të mund t`ua përçoj të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje e frymëzim që më dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »