Takim letrar dhe artistik për Nënë Terezën në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik

Jun 8 • Kulturë

Kisha e Llapushnikut vazhdon të jetë një vendtakim shpirtëror dhe kulturor. Pas koncertit klasik para disa muajve, më 2 qershor 2017,  është mbajtur takimi letrar-artistik dhe shpirtëror Shën Nënë Tereza. Ky takim ka për qëllim të bashkojë rreth vetës krijues nga komuna e Drenasit, Republikës së Kosovës dhe më gjerë, në mënyrë që veprimtaritë artistike dhe kulturore t’i shpijmë më përpara. Ky takim iu kushtua Shën Nënë Terezës, personalitet botëror, humaniste e madhe, vepra e së cilës u vu në shërbim të njerëzimit, pa dallim kombi, race, gjuhe apo përkatësie fetare.

Në fillim të takimit nxënësja e shkollës fillore  “Shaban Palluzha” në Korroticë të Epërme, lexoi prologun e kushtuar Shën Nënës Tereze. Pastaj, takimi është ndarë në tre pjesë të rëndësishme:

Pjesa e parë e takimit ka filluar me kumtesat mbi personalitetin e Shën Nënë Terezës që janë paraqitur nga: Mons. Lush Gjergji, dhe shkrimtarët e publicistët Daut Demaku dhe Zeqir Bekolli.

Mons. Lush Gjergji bëri një përshkrim të jetës së shën Nënë Terezës që nga fillimet e para të jetës së saj ku filloj rrugëtimin për t’i shërbyer të varfërve ndër të varfër, e deri në shpalljes e saj Shenjtëreshë. Ai theksojë rëndësinë e familjes e sidomos të nënës së shën Terezës, duke qenë shembull i mirë për fëmijët e vet, e sidomos kujdesi ndaj të varfërve.  Ajo me 14 gusht të vitit 1928 në moshën 18 vjeçare vendosi: Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfërit e botës. Veprimtarinë dhe misionin e saj në Indi me të sëmurit dhe të gërbulurit.  Po ashtu bëri thirrje për paqe në botë dhe për dashuri të ndërsjellë në mes popujve.

Publicisti Daut Demaku bëri një gërshetim të mendimit pozitiv dhe zhvillimit të këtij mendimi pozitiv në popullin tonë duke marrë si model jetën dhe veprën e humanistes me gjak të shqiptarit. Për të arritur tek ky mendim pozitiv ai i theksoj disa mangësi të cilat ne si popull i kemi por të cilat mund t’i përmirësojmë.

Publicisti Zeqir Bekolli në kumtesën e tij “DASHURIA PËR NJERIUN-MISIONI I SHENJTË I SHËN TEREZËS”, mes tjerash theksoj se, Drenica, ky mjedis i qëndresës së shenjtë ka plot arsye, sot, ta kujtojë këtë Shenjtëreshë, sepse ajo ishte  pranë kësaj popullate në periudhën kur çdo gjë digjej e shkatërrohej. Ndihmën dhe bamirësinë e saj, si kudo tjetër, e përjetoi edhe populli i Drenicës, ku nën emrin e “Nënë Terezës” u zbarkuan qindra kontingjente me mallra, ushqime dhe ilaçe për popullatën e rrezikuar. Këtë bamirësi e përjetuan edhe shumë të sëmurë, lehona e fëmijë e jetimë të cilët jo vetëm sot por edhe në jetë të jetëve do t’i jenë mirënjohës Shën Nënë Terezës dhe misionit të saj të bamirësisë. Ndihmën dhe përkrahjen e saj të bamirësisë në Drenicë e përjetoi edhe luftëtari i lirisë në vijën e frontit, por edhe i plagosuri. Më kujtohet si sot, kur lufta po përshkallëzohej nëpër Drenicë dhe rezervat e ushqimit po pakësoheshin, ishte qendra e “Nënë Terezës” në Prishtinë që solli kamionë të tetë me miell ushqime të cilat iu shpërndanë anë e kënd këtij mjedisi. Ndërsa në fazën kur u mbyllën shtëpitë e shëndetit ishte qendra shëndetësore të “Nënë Terezës”që trajtuan shumë lehona e të ngjashme.

 

Pastaj pjesa e dytë: Ora e Madhe Letrare, ku krijuesit nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe talentet e rinj kanë lexuar poezitë e tyre kushtuar shenjtëreshës sonë. 

Juria letrare ishte në përbërje: Prend Buzhala, Frrok Kristaj, Isak Ahmeti. Dhe të shpërblyerit me poezi më të mira ishin: vendi I- Nebih Bunjaku, vendi II- Zade Kuqi, vendi III- Rushit Ramabaja dhe Riza Greçevci. Shpërblimin e Madh e mori: Sarë Gjergji.

 

Në pjesën e tretë: pjesëmarrësit dhe mysafirët kishin rastin të shohin ekspozitën e hapur nga piktorët e Drenasit, me punimet kushtuar Shën Nënë Terezës.

Juria artistike: Idriz Berisha, Fatmir Caraku, Nazmi Heta. Ndërsa të shpërblyerit përsa i përket pikturave më të mira ishin: vendi I- Bekim Istogu, vendi II- Bislim Elshani, vendi III- Nexhmedin Bardhi.

Fare në fund, ishte organizuar edhe një koktej rasti për të gjithë pjesëmarrësit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »