Besnikëria dhe ndershmëria, bekimi i vërtetë

Jun 12 • Meditimi i ditës

12 qershor 2017 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: 2 Kor 1,1-7; Ps 34,2-9; Mt 5,1-12)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.
Një moment do të pushoj në praninë jetëbërëse të Hyjit
në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë jo të lumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Mt 5,1-12

 

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
3 “Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
4 Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!
5 Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!
6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!
7 Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!
8 Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.
9 Lum pajtuesit
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Atë që bota e konsideron si diçka tragjike dhe të kotë, Jezusi e sheh si të bekuar: përvujtërinë, lotët, butësinë, urinë për paqe dhe virtytet e tjera. Jezusi këtë e ka jetuar vetë, gjë që duket edhe nga fjalët dhe veprat e tij gjatë kohës së jetës së tij tokësore.
  • Ai na jep zemër që ta jetojmë jetën e lumnive, sepse edhe vetë i pat jetuar, sepse e ka ditur që jeta e besnikërisë dhe ndershmërisë vërtetë është jetë e bekuar.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »