Shtëpia Botuese “Drita” pjesëmarrëse në Panairin e Librit – Prishtina 2017     

Jun 13 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Nga Mrika Ibraj

Qytetaret e kryeqytetit te Kosovës për një javë rresht frymuan me Festen e Librit. Prej 6 deri me 11 qershor në Prishtinë ishte i hapur Panairi i 19-të me radhe i librit “Prishtina 2017”. Në stendat përkatëse ekspozuan botimet e tyre mbi 100 shtëpi botuese, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora, që dashamirëve të librit iu ofruan rreth një mijë tituj të rinj.

Në ketë panair si edhe viteve të mëparshme, u prezantua edhe Shtëpia Botuese “Drita”. Famullitari i Prishtinës, njëkohësisht edhe drejtor i kësaj shtëpie botuese, Don Fatmir Koliqi, na tha se “Drita” mori pjesë me 150 tituj të saj, pa përjashtuar disa tituj të shtëpive botuese tjera të krishtera. “Qëllimi i pjesëmarrjes në panair patjetër se është promovimi i botimeve tona, parimisht, por gjithashtu edhe ofrimi i literaturës dhe kulturës së krishterë për lexuesit, qe  “Drita” vazhdimisht e ka promovuar që nga viti 1970, kur ka filluar të botojë revistën me të njëjtin emër” tha Don Fatmiri, i cili numëroi disa nga titujt e botimeve në ketë panair. 

Sipas tij, si çdo vit tjetër, interesimi i lexuesve ka qene i përqendruar më shumë tek librat klasik, siç janë “Bibla”,“Çeta e profeteve” e Imzot Pjeter Bogdanit, “Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve” e Dr. Don Gaspër Gjinit, “Islamizmi i shqiptareve gjate shekujve” e Dr.Don Shan Zefit, “Nëna e Dashurisë” e Imzot Lush Gjergjit, etj.

Në kuadër të panairit të librit, përpos promovime te botimeve te reja, u zhvilluan edhe aktivitete te ndryshme që përkonin me përvjetorë të caktuar te personaliteteve të shquara letrare shqiptare dhe botërore, siç janë, 600 vjetori i lindjes se Pal Engjëllit, 300-vjetori i lindjes se Françesk Avatit, 220-vjetori i lindjes se Naum Veçilharxhit, 160-vjetori i lindjes se Visar Dodanit, 150-vjetori i lindjes se Mati Logorecit, 120-vjetori i lindjes se Shime Deshpalit, 110-vjetori i lindjes se Mitrush Kutelit, 100-vjetori i lindjes se Ndue Bytyçit,  80-vjetori i lindjes se Anton Pashkut etj.  

Ne përmbylljen e panairit te librit “Prishtina 2017” me 11 qershor organizatori, përkatësisht kryetari i Shoqatës se Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se, në këtë panair morën pjesë të gjithë botuesit shqiptarë, të cilët ofruan një game të madhe të botimeve, ndërsa panairi është vizituar prej rreth 40 mijë qytetarëve brezash të ndryshëm, dhe krahasuar me vitin e kaluar ka rezultuar me 30 për qind të shitjes se librit. “Ndjehem shumë mirë që kemi një rritje të tillë, por edhe më mirë kur në këtë kohë interneti, pash kaq shumë të rinj e të reja që interesoheshin për blerjen e botimeve të ndryshme” tha Demaku, i cili me këtë rast publikoi librat me te shitur te autoreve shqiptare e ndërkombëtarë. 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »