Shkrimet, a kanë shpirt?

Jun 14 • Meditimi i ditës

14 qershor 2017 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Kor 3,4-11; Ps 99,5-9; Mt 5,17-19)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i lëshoj në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se çfarë jam.

Si po më kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 5, 17-19

 

17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Cilin rol e kanë ligji dhe profetët në Besëlidhjen e Re që e ka themeluar Jezusi? Mateu e ka kuptuar se në Kishën e hershme kjo ishte një çështje kritike për të konvertuarit nga feja hebraike. Kjo edhe për ne sot është me rëndësi.
  • Jezusi më mirë flet për “përkryerjen” sesa për “shlyerjen” e ligjit dhe të profetëve. Si e kupton në këtë kontekst fjalën “përkryej” (përmbushje)?
  • Kjo çështje mund të nxisë pyetje të tjera të tilla si: sa mirë e njoh Besëlidhjen e Vjetër? A e vë re se sa shpesh fjalët e Besëlidhjes së Vjetër paraqiten në Besëlidhjen e Re? Çfarë jehone kanë ato në jetën time? Cili është pozicioni im në debatin lidhur me “germën” dhe “frymën/shpirtin” e Shkrimit Shenjt? 

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »