Inaugurohet shtatorja e Nënë Terezës në Will të Zvicrës

Jun 15 • Kisha ndër Shqiptarë

Më 10 qershor 2017 është inauguruar shtatorja e parë e Shën Nënë Terezës në Will, Kantoni i San Gallen, i iniciuar dhe realizuar nga Misioni Katolik Shqiptar me seli në Sirnach.  Shtatorja është vendosur në oborr të Kishës famullitare të Shën Pjetrit. Në inaugurim morën pjesë famullitari zviceran don Romani, ai italian don Alfio, misionari nga Luzerni don Agim Qerkini,  motrat e Nënë Terezës, ambasadorja e Kosovës,  znj. Nazane Brace e personalitete tjera shqiptare e vendore.

Shqiptarët, besimtarët tanë, ndiheshin të lumtur që përpos mendjes dhe zemrës, tashmë e kanë një vend, një Nënë, një Shenjtëreshë tonë, para së cilës mund të luten, të falënderojnë, të kërkojnë ndihmë dhe hire, të çmallen dhe bashkohen si bijtë dhe bijat rreth Nënës dhe me Nënën.

Meshën e rastit e udhëhoqi Mons. Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, i cili kishte ardhur enkas për këtë ngjarje të rëndësishme për Diasporën shqiptare në Zvicërr. Në fjalën e tij përshëndetëse, misionari don Alberti, duke falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij projekti ndër të tjera tha: Nëna Tereze është mërgimtarja më e famshme shqiptare, pasaporta jonë kombëtare, mishërim i vlerave tona fetare dhe kombëtare, shembull jete në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar.

Ndërsa në homelinë e meshës, Don Lush Gjergji përkujtoi rrugën jetësore te NënësTereze, sidomos flijimin dhe dhurimin ndaj Zotit, Kishës, për të varfrit ndër më të varfër, për ata në buzë të vdekjes, për fëmijë të braktisur, për të gërbulur. Ajo shpesh thoshte:Ata qe nuk i do askush, përpos Zotit, i duam ne. Prandaj nuk kemi konkurrence dhe askush nuk na i merr nga duart dhe zemrat tona.

Përse i bënte këto «mrekulli» Nena jonë Tereze? Me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo shihte, njihte, pranonte, shërbente, dashuronte Jezusin në çdo Njeri, edhe në ata që nuk kishin me as pamje njerëzore, sepse ishin të shëmtuar nga mjerimi, gërbula, sëmundja.

Ku e gjente Nëna Tereze gjithë këtë frymëzim, fuqi? Ne Zotin Dashuri dhe vëllain e motrën njeri.

Shën Nëna Tereze e gjente Jezusin në Eukaristi, Meshe dhe Kungim, dhe ne Njeriun nevojtar në trup dhe në shpirt. Testamenti i saj shpirtëror ishte: Nuk mjafton ta nderojmë, ta duam, ta pranojmë, t`i lutemi Jezu Krishtit vetëm ne Eukaristi, por nga Sofra e Tij lypset kaluar ne shërbim, flijim, dhurim dhe dashurie dhe për vëllaun njeri.

Porosia apo testamenti shpirtëror i Shën Terezës sonë mund të përmblidhet në tri parime bazike: «Pa dashuri dhe flijim jeta nuk ka kuptim». «Vetëm dashuria mund ta shpëtojë boten». «Veprat e dashurisë janë vepra të paqes».

Kisha ishte përplot me besimtarë të të gjitha moshave, sidomos me fëmijë dhe rini. Hetohej gëzimi, lumturia, nderimi, falënderimi, dashuria për Nënën tonë Shqiptare, për jetën dhe veprën e saj, dhe të Zotit, nëpërmjet saj.

Kori i Misionit «Zemra e Krishtit» nën udhëheqjen dhe drejtimin e motrave tona, Klementina Avgustini dhe Valdete Daka, me përforcim dhe pjesëmarrje te dy kolosëve te muzikës klasike nga Shqipëria, Kastriot Tusha, solist, dhe Anton Kaftalli,violinist, ndihmuan që festimi të jetë edhe më madhështor.  Sytë e përlotur nga malli, gëzimi, nderimi dhe falënderimi, zemrat e ngazëllyera, fytyrat e hareshme, pjesëmarrja e dinjitetshme ne meshe, si dhe në bekimin dhe zbulimin e Shtatores se Shën Nënës Tereze, e bënë këtë ditë të bukur dhe të paharrueshme.

Pas Meshe ishte kokteji vëllazëror për bashkëndarje të miqësisë dhe vëllazërisë sonë, te mikpritjes tradicionale shqiptare.

Po të njëjtën ditë u mbajt edhe një Akademi kushtuar Shën Nënës Tereze me program artistik, ku pjesë të dalluara patën dy artistet tanë nga Shqipëria, Ansambli ynë «Arbëresha», fjala e rastit te Don Lush Gjergjit, ambasadores së Kosovës ne Zvicër, znj. Nazane Brace, dhurata e piktorit Arsim Berisha te portretit te Nënës Tereze udhëheqësit te Misionit Katolik Shqiptar ne Sirnach, Don Albert Demaj, ishin rrumbullakësimi i kësaj dite që na «dhuroi Zoti». Dita përfundoi me drekën vëllazërore, në restorantin El Buro, të ofruar falas nga pronari Emanuel Ramaj./drita.info/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »