Don Simon Kulli, ipeshkëv i ri i Dioqezës së Sapës

Jun 16 • Kisha ndër Shqiptarë

 Nga Violeta Marashi

Ipeshkvia e Sapës, lajmëron me gëzim se Shenjtëria e Tij Papa Françesku, sot me datën 15 qershor 2017 ka emëruar për Ipeshkëv të kësaj Dioqeze, Administratorin Dioqezan të Sapës dom Simon Kullin.

Lajmi u dha sot në orën 12.00 në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Vau-Dejës, në praninë e mbarë Klerit Dioqezan si dhe misionarëve laikë. Lajmi i emërimit të ipeshkvit të ri është bërë i ditur në të njëjtën kohë edhe nga Salla e Shtypit të Vatikanit dhe nga Gazeta Zyrtare e Vatikanit Osservattore Romano.

Shpalljen zyrtare të Ipeshkvit të ri e bëri Nunci i Ri Apostolik në Shqipëri, Imzot Charles John Braën, me praninë edhe të Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi Metropolit i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Angelo Massafra.

Kështu, me emërimin e Dom Simon Kullit në krye të Ipeshkvisë së Sapës, Kishës Katolike në Shqipëri i shtohet një fletë e re në historinë e saj, duke shuguruar Ipeshkvin e parë shqiptar pas diktaturës komuniste. Me këtë ngjarje, sot gëzon mbarë kisha lokale, kombëtare, mbarë grigja e Sapës, e ndërsa jemi të sigurtë se gëzon në amshim edhe paraardhësi i tij, Imzot Lucjan Avgustini.

 

CURRICULUM VITAE – DOM SIMON KULLI

Dom Simon Kulli ka lindur me 14.02.1973 në fshatin Pistull të rrethit të Shkodrës, që shtrihet brenda territorit të Dioqezës së Sapës. Është fëmija i parë i prindërve Filip dhe Drane dhe vëllai i dy vëllezërve, Arbenit dhe Luigjit. U pagëzua nga Motër Maria Kaleta në vitin e parë të lindjes së tij, 1973. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje.

Me 2 shkurt 1992 është pranuar në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, ku kreu dy vite parapërgatitje për fillimin e studimeve filozofike e Teologjike.

Në vitin 1994 fillon studimet e Filozofisë. Me të mbaruar studimet e Filozofisë, në vitin 1996 fillon studimet e Teologjisë. Duke  e njohur dhe përqafuar gjithnjë e më tepër thirrjen, dom Simoni shugurohet diakon me 14 shtator të vitit 1999, në Katedralen e Shkodrës nga Arqipeshkvi i Shkodër Imzot Angelo Massafra. Përvoja e tij baritore në periudhën e Diakonatit qe e ndarë në dy realitete: gjashtë muaj shërbeu në famullinë e “Shën Shtjefnit” në Shkodër, me famullitar Mons. Lucjan Avgustinin, dhe katër muaj të tjerë shërbeu në famullinë “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës (Lezhë), nën kujdesin e famullitarit dom Injac Dema.

Në vitin Jubilar 2000, me 29 qershor, përmes shtrirjes së duarve të Arqipeshkëvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, shugurohet meshtar në Katedralen e Shkodrës së bashku edhe me katër meshtarë të tjerë shqiptarë. Këta qenë shugurimet e para meshtarake pas periudhës së egër të regjimit komunist në Shqipëri. 

Pas shugurimit meshtarak, emërohet Sekretar dhe Kancelar i Dioqezës së Sapës, me ipeshkëv Imzot Dodë Gjergjin, dhe njëkohësisht ndihmës famullitar në Dajç të Zadrimës (2000-2004), pranë përkujdesjes baritore të famullitarit dom Injac Dema.

Nga viti 2004 e deri në vitin 2007, me dekret të Ipeshkvit Mons. Dodë Gjergji, emërohet Famullitar i Katedrales e Lumja Nënë Tereza sot Shën Nënë Tereza, në famullinë e “Shën Nikollit” në Vau-Dejës. Në të njëjtën periudhë mbuloi edhe detyrat si Ekonom i Dioqezës dhe Drejtor i Caritas-it Dioqezan SAPA, ku këtë të fundit e mbajti deri në vitin 2012.

Në vitin 2007, me ardhjen e Ipeshkvit të ri, Imzot Lucjan Avgustinit, me dekret të tij, riemërohet po me të njëjtat detyra të mëparshme në Dioqezë si: Kancelar, Famullitar i Katedrales Ekonom dhe Drejtor i Caritas-it. Gjithashtu, në vitin 2012 pas ndërtimit të Shtëpisë së Bamirësisë, Imzot Lucjani i ngarkon dom Simonit detyrën e Përgjegjësit të kësaj shtëpie, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe në ditët e sotme. Me themelimin e fondacionit bamirës “Drita” dom Simon Kulli emërohet edhe në detyrën e Drejtorit të këtij fondacioni, nga viti 2014-2017.

Me kalimin në amshim (22. 05. 2016) të Bariut të Dioqezës Imzot Lucjan Avgustini, dom Simon Kulli, me dt. 02.06.2016 emërohet nga Këshilli i Konsultorëve të Dioqezës, Administrator Dioqezan i Sapës. Detyrë që e mbajti deri në ditën e sotme datë 15 qershor 2017, ku Ati i Shenjtë Papa Françesku e emëroi për Ipeshkëv të Dioqezës Sapë. Që në rithemelimin e Dioqezës së Sapës në vitin 2000 Dom Simon Kulli ishte krahu i djathtë i ipeshkvinjëve paraardhës dhe themelues i ringritjes së Strukturave Dioqezane.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »