Kardinali i Vjenës, Schönborn në një intervistë merr si shembull Misionin Katolik Shqiptar

Jun 17 • Kisha ndër Shqiptarë

Shkoni njëherë një të diele në Misionin Katolik Shqiptar në Vjenë, aty do të gjeni një kishë të stërmbushur dhe një bashkësi katolike të pabesueshme dhe të gjallë.“

Ishin këto fjalët në një intervistë që Shkëlqesia e Tij Christof Schönborn, kardinal i Vjenës e dha për ORF-Pressestunde në Austri. Intervista u botua dhe në gazetën e kishës Der Sonntag, e cila është ndër më të lexuarat në gjirin e Kishës në Austri, që botohet me mijëra kopje e shpërndahet në të gjitha famullitë e Austrisë. Dhe përnjëherë emri i Misionit katolik përshkoi vendin, falë fjalëve të kardinalit.

Duke u përgjigjur në temën: Kryqi si simbol i drejtësisë, Kardinali ndër të tjera theksoi se pjesëmarrja e besimtarëve në kishë në dekadat e fundit ka një ngritje të vazhdueshme duke ju falënderuar emigrantëve, siç janë Filipinët, Kroatët, Polakët apo Indët, dhe më tutje i propozoj gazetarit më sa vijon: “Shkoni një herë një të diele në Misionin katolik shqiptar në Vjenë, atë do ta gjeni një kishë të stërmbushur me besimtarë dhe një bashkësi katolike të pabesueshme e të gjallë.“

Një pohim i tillë nga Kardinali për dëshminë e fesë të besimtarëve të Misionit katolik shqiptar është mirënjohje dhe njohje për dashurinë që këta besimtarë e tregojnë ndaj Kishës duke marrë pjesë në meshë dhe në projektet e Misionit. Këtë dashuri dhe përkushtim ata e kanë marrë me vete nga atdheu prej nga kanë migruar, Kosovës. Aty asht mbjellë e rritë kjo dashuri për Kishën, dhe tash po jep fryte në vendin ku jetojnë. Janë këto fryte të cilat po i vlerëson lartë edhe kreu i kishës në të cilën jetojnë. 

Kardinali Schönborn bën pjesë ndër kardinalët aktiv e në zë të Kishës Katolike dhe një njeri jashtëzakonisht i dijshëm e urtë. Fjala e tij ka peshë në Kishën katolike. Ka lindur në Çekinë e sotshme në vitin 1945. I shuguruar për Ipeshkëv në vitin 1991. Argjipeshkëv i Vjenës prej vitit 1995. I emëruar për kardinal në vitin 1998.

Misioni Katolik shqiptar ekziston zyrtarisht në Austri që prej vitit 1993. Ka mbi 1300 familje në gjirin e saj, me mbi 5000 besimtarë të shpërndarë në gjithë Austrinë, në Çeki e në Sllovaki. Deri më sot kanë shërbyer katër misionarë: Don Marjan Marku,  Don Izak Dodes, Don Pren Kola dhe Don Nikson Shabani, i cili është misionar aktual me seli në Vjenë./drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »