Thjesht, po ose jo, mjafton!

Jun 17 • Meditimi i ditës

17 qershor 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Kor 5,14-21; Ps 103,1-4.8-11; Mt 5,33-37)

 

Prania e Hyjit

Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,
pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin dhe ta kuptosh se çka po dëshiron të të thotë me anë të Fjalës së tij.

 

Mt 5, 33-37

 

33 “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ 34 E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. 37 Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sa gjë e lehtë është të biesh në tundimin për t`i përdorur shabllonet e të folurit që realisht nuk nënkuptojnë atë që ato thonë. Kur përpiqem t’u kushtoj vëmendje mënyrës se si komunikoj, e kuptoj se sa shumë kam nevojë t’i kërkoj Zotit që të punojë në atë që është në zemrën time. Ta shmang gjuhën ofenduese ose lënduese është një gjë, kurse të jem i/e sinqertë dhe të shoh se çka ka në zemrën time, është diçka tjetër!
  • Jezusi kërkon prej nesh që të jemi të thjeshtë dhe të ndershëm. Kur thuhet njëherë e vërteta, po ose jo, mjafton. A mund besojnë njerëzit se jam dashamirë i së vërtetës?
  • O Zot, besimi i thjeshtë le të komunikojë gjithë atë do të them sot. Ti kurrë s`ke qenë i komplikuar dhe i pandershëm. Ti thjesht e ke dashur Atin dhe njerëzit nga thellësia ezemrës sate.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »