Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit

Jun 17 • LEXIMET E SË DIELËS

 Festa e Korpit dhe Gjakut të Krishtit (A)

 

Leximi i parë Lp 8, 2-3.14-16

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu iu drejtua popullit me fjalë: “Të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë, me qëllim që të përulte, të sprovonte e të shihte çka ndryhet në zemrën tënde: a do t’i mbash urdhërimet e tija apo jo. Të mundoi me uri, por mandej të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojes së Zotit. Mos e harro Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë; që të ka prirë nëpër atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, tokë gjarpërinjsh të helmuar e gallomash, vend të thatë e pa ujë; por qe Ai që për ty nxori përrenj uji të gjallë prej qetës graniti e të ushqeu në shkretëtirë me manë, që s’e kishin njohur etërit e tu, e, pasi të përuli dhe të sprovoi, në fund pati dhimbje për ty dhe të bëri të lumtur.”  Fjala e Zotit.

 

Psalmi 147

Ref: Qoftë bekuar Zoti, lavdia e popullit të vet

——————————————-

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!

——————————————-

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

——————————————-

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 ——————————————-

 

Leximi i dytë 1 Kor 10, 16-17

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke. 
Fjala e Zotit.

 

Aleluja. 
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja

 

Ungjilli Gjn 6, 51-58

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?” Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit.

 

Porosia

Njeriu, shpeshherë jeton nga kujtimet e shumta, sepse ato janë të shkruara thellë në zemrën e tij. Ato kujtime mund të jenë momente që sjellin gëzim apo pikëllim. Janë momente, data, vite që mbesin të paharrueshme. Janë lindjet, pagëzimet, kurora, përvjetorët, etj. Por, në veçanti kemi persona që i kujtojmë me shumë dashuri dhe mall, i kujtojmë dhe kujtimi ndaj tyre na bënë të mburremi.

Jezusi ishte shumë i dashur për nxënësit e vet. Ai, bashkëpunonte me ta, i mësonte, jetonte me ta, dhe ata ishin shumë të lumtur në praninë e tij. Por, do të ndodhë një ditë që Ai do t’ i bashkojë apostujt në një darkë lamtumirëse. Në këtë darkë, apostujt nuk e kishin të qartë rrjedhojën e saj, por në fjalët e Jezusit, ata e kuptojnë se po ndodhte një gjë e re. Jezusi ju dhuron misterin e bashkimit të përhershëm.

Pashkët hebreje, ishin përkujtim i kalimi të engjëllit në Egjipt, i cili për egjiptianët sillte vdekjen, ndërsa për hebrenjtë, jetën, lirinë, tokën e premtuar. Shtëpitë e lyera me gjak – ishin të hebrenjve sikurse i kishte udhëzuar Moisiu – do të shpëtonin nga shfarosja.

Ky kujtim i kësaj ngjarje të madhe për popullin hebre, që u lirua nga zgjedha e robërisë egjiptiane, festohej çdo vit në Jerusalem.

Kështu, edhe Krishti u gjet me nxënësit e vet në Jerusalem në festen e Pashkëve hebreje. Ishte kjo një darkë e veçantë, para se të pësonte mundimet. Fjalët e Jezusit në këtë darkë ishin të zgjedhura; ishte vullneti i tij i fundit, dëshira dhe porosia që duhej të vazhdohej, sepse Jezusi mbi bukët e pabrume do t’iu thotë apostujve: Merrni, ky është Korpi im, dhe mbi gotën me verë do të thotë: ky është Gjaku im, që do të derdhët për shumë njerëz.”

Kështu, Jezusi themeloi Besëlidhjen e Re dhe sakramentin e Eukaristisë. Kjo besëlidhje u vulos me gjakun e Krishtit të derdhur për ne e për shpëtimin tonë. Vdekja e tij në kryq, dhe ngjallja e tij pas tre ditësh – kalimi na vdekja në jetë – është Pashkë e re, është ajo që tejkalon Pashkët hebreje.

Sepse gjaku i tij dhe vdekja e tij, janë shpëtim dhe shpërblim për të gjithë ata që besojnë. Në këtë mënyrë Jezusi vazhdon të mbetet i pranishëm në Kishën e vet në trajtën e bukës dhe verës që shndërrohen në Korpin dhe Gjakun e tij. Sot, në mënyrë të veçantë, ne e nderojmë dhe adhurojmë Krishtin për praninë e Tij në Shenjtnushmin Sakrament, ushqimi ynë i përhershëm, ushqimi i gjallë që jep jetën e na mban të bashkuar me Krishtin në një jetë në hirin dhe dashurinë e Tij.

Një shembull:

Një njeri  e pyeti një rregulltar:  Si mund të besoj që  buka e thjeshtë dhe vëra, të shndërrohen në Korpin dhe Gjakun e Krishtit? Rregulltari i përgjigj: Nëse trupi yt që ushqehet me bukë dhe verë, këtë verë dhe këtë bukë e shndërron në mish dhe në gjak, atëherë edhe Zoti i gjithëpushtetshëm ka mundësi të shndërrojë bukën e thjeshtë dhe verën në koprin dhe gjakun e tij. Nuk e kam të qartë edhe një gjë tha ky njeri: Si është e mundur që në këtë hoste aq të vogël të jetë Krishti i tërësishëm?

Shihi – thotë- kodrat, luginat liqet, drunjtë janë aq të mëdha e syri yt është aq i vogël dhe prapë se prapë është në gjendje t’i ketë brenda të gjitha këto që i sheh.

Dua të di edhe një gjë i tha ky njeri: Si është mundur që një Krisht të jetë i pranishëm në të njëjtën kohë në botën mbarë?

Rregulltari i dha një pasqyrë këtij njeriu që të shikoj në të dhe i tha: sa persona po i sheh në të? Ky ia kthej: vetme veten. Rregulltari e mori pasqyrën dhe e bëri copë e grimë dhe i tha e tash sa vet po i sheh. Ai i tha shumë persona. Dhe nuk pyeti më asgjë.

 

Lutjet e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, kemi dëgjuar mësimin e Jezusit rreth Eukaristisë, buka e jetës së amshuar dhe e bashkimit. T’i kërkojmë Zotit Jezus që të na japë gjithmonë bukën e gjallë të zbritur prej qiellit. Plot me mirësi, të themi së bashku:

Na dëgjo, o Zot.

L. O Zot Jezus, bëj që i gjithë populli i Hyjit të ulet me besim dhe me gëzim në “tryezën” tënde, atë të Fjalës dhe të Bukës së jetës. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, jepu besimtarëve të tu, në kujtim të së Enjtes së madhe, kuptimin e tryezës. Marrëdhënia e bashkimit mes Teje dhe besimtarëve të tu mbështettë gjithmonë ekzistencën tonë. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, çdo meshë është “përkujtim”, kujtim i gjallë i Pashkëve të vdekjes dhe të ngjalljes. Flija e Krishtit Shpëtimtar ndriçoftë jetën tonë. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, ti je buka e gjallë e zbritur prej qiellit, shenjë dhe burim bashkimi. Eukaristia rrittë në bashkësitë e krishtera aftësinë e mirëpritjes dhe të shërbimit të anasjelltë. Të lutemi.

M. O Hyj, dëgjoji lutjet tona në këtë ditë të kushtuar Ty, e me ndërmjetësinë e mistereve të shenjta, jepi Kishës së shpërndarë mbi mbarë tokën gëzimin për t’u ndjerë një trup i vetëm në Krishtin. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »