Jezusi ka dhembshuri për ty

Jun 18 • Meditimi i ditës

18 qershor 2017 – E diela 11-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Dal 19,2-6a; Ps 100,2.3.5; Rim 5,6-11; Mt 9,36 – 10,8)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që të hyjë e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë a fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 9,36 – 10,8

 

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.

2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu ‑ tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; 4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti ‑ ai që e tradhtoi.

5 Pikërisht këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi:

“Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! 6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në imagjinatë udhëtoj me Jezusin, gjatë kohës që edhe ai ndodhet në rrugë. E pyes se çka po i jep atij aq shumë fuqi për t`iu shërbyer të sëmurëve, shumëve nga ata që të tjerët frikësoheshin t`i shihnin apo preknin.
  • Ai flet me mua për dhembshurinë, kurse unë e lus që zemra ime e vogël të mund të rritet dhe të jetë e mëshirshme, t`i përngjaj zemrës së tij. E ndiej dhembshurinë e tij ndaj meje dhe kjo më ngushëllon.
  • Jezusi ka një mision për mua. Kush janë “delet e humbura” të kohës së sotme, të cilave duhet t`iu ndihmoj? A jam bujar mjaftueshëm për të bërë atë që Jezusi kërkon prej meje?

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »