A lutem për ata që ma vështirësojnë jetën?

Jun 20 • Meditimi i ditës

20 qershor 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kor 8,1-9; Ps 146; Mt 5,43-48)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
Jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
Në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
Dhe që të jem thjesht me Zotin,
Këtu dhe tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e marr dhe e pranoj këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhelexo, lutu.

 

Mt 5, 43-48

 

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Kohën e sotme të lutjes do ta kaloj siç propozon Jezusi: do të lus për ata që ma vështirësojnë jetën. Do ta kujtoj secilin person dhe do ta lus Atin e mëshirshëm që të ma pastrojë zemrën nga zemërimi, hidhërimi dhe të më ndihmojë që t`i shikoj me më shumë mirëkuptim dhe dhembshuri.
  • Do të ndalem në shprehjen nga pasazhi i sotshëm që më së shumti më “thumbon”. Lus për hirin e shenjtë që të jem sikurse Ati im i mëshirshëm.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me anë të tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »