Fenomeni Juda – besimi i keqpërdorur

Jun 20 • Këndvështrime

 

Nga Imzot Nikë PRELA

 

Një herë gjatë një ore të katekizmit, një djalosh më pati pyetur: pse Zoti e ka lejuar tradhtinë e Judës? Dua ta pranoj se u zuna ngusht para kësaj pyetje. Ndoshta sjellja ime ishte e pasjellshme në  “mahinë“ timë, duke i përgjegjur se, nuk jam sekretar i Hyjit për t’i ditur planet e Tija; megjithatë jam munduar të them diçka. Djaloshi ishte shumë inteligjent dhe sot ai është meshtar, kurse mua më mbeti që të vazhdoj të mendoj e të meditoj për këtë çështje.

Kam kërkuar zgjidhje në literaturë, në artikuj nëpër revista e lajmëtar, por nuk kam gjetur përgjigje që do të më kënaqte; ndoshta është kjo një temë aspak e këndshme. Një ditë, diku para njëzetë vjetësh, në një bibliotek të Beogradit e pata gjetur një libër me titull  „Dalja“. Kjo libër e zgjoi kurreshtjen time, e aq më tepër kur hetova se aty, pasi i lexova disa rreshta, bëhej fjalë për Judën. Detaje tjera nuk mbaj mend, sepse nuk e kam më atë libër në dorë. Krejt libra, dikund 200 faqe, ishte monolog i Judës. Judën e kishte tronditur thellë në shpirtë një luftë e pamëshirshme për t’u liruar nga pesha e ndjenjës së fajit dhe vetëgjykimit. Në këtë dëshprim të pashpresë arrinte deri në përfundime të pamundshme e absurde në dëm të Jezusit, deri në dyshim mbi moralin dhe besueshmërinë e Tij, për t’u lëshuar mandej në thyerjen në dysh të vetvetes dhe turpin për shkak të moslojalitetit të vet, e cila me çdo kusht dëshiron të arsyetohet … ky mendim përsëritej gjatë gjithë librit.

Judën e njohim si “Judë Iskarioti, njëri nga të dymbëdhjetët, që e tradhtoi Jezusin“ (khs. Mt 10, 3; Mk 3, 19; Lk 6, 16).

Zakonisht Judën e paraqesin si sakrificë të lakmisë për parà, gjë që aludon edhe shën Gjoni ungjilltar kur Juda kishte reaguar që mos të harxhohet vaji erëmirë, i cili mund të shitet dhe t’ju ndahet skamnorëve: “Foli kështu, jo pse ishte fort në kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e mbasi ai e mbante qesen, vidhte çka qitej brenda“ (Gjn 12, 6). Përveç kësaj, Juda kishte kërkuar para si dhuratë për tradhti: „Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj“, kurse armiqtë e Jezusit të gëzuar për planin e ofertën e tij “i premtuan tridhjetë sikla të argjenta. Qysh atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.“ (khs. Mt 26, 4; Mk 14, 10; Lk 22, 3-4). U kishte dhënë edhe shenjën e tradhtisë: “Kë të puth unë, ai është. Atë kapni e merrnie me vete me kujdes të madh!“ (Mk 14, 43). Gjoni thotë për këtë: “Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai dhe nxënësit e tij. Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet.“ (Gjn 18, 1b-2). Pra, vepër (e keqe) me paramendim; gjithçka ishte e paraparë dhe e përgatitur, madje edhe shenja e tradhtisë – puthja – ashtu si bien në ujdi edhe sinoptikët, sepse ishte natë.

Jezusi e dinte që më parë… se kush do ta tradhtojë… (Gjn 13, 10-11) dhe ja ky… e ngrit thembrën e vet kundër tij (Gjn 13, 17-18), që simbas Shkrimit Shenjt do të quhet “bir i bjerrjes“ (Gjn 17, 12).

Përnjëherë u bë një trazirë e trishtueshme në darkën e Pashkës, kur Jezusi kishte paralajmruar tradhtinë: “Njëri prej jush do të më tradhtojë“ (Mt 26, 21). Në këtë trazim Pjetri i dha shenjë Gjonit ta pyeste Jezusin „për të cilin po fletë!“, atëherë Jezusi tha: “Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë. Atëherë e ngjeu kafshatën (e mori dhe) ia dha Judës të Simon Iskariotit. Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.“ (Gjn 13, 23-26). Si gjithë të tjerër edhe Juda e pyeti Jezusin: “A mos jam vetë, Mësues?“ “E the vetë! – ju përgjigj Jezusi.“ (Mt 16, 25).

Asnjërit prej apostujve nuk iu dukë e çuditshme, që natën vonë, gjatë darkës së Pashkës, t’i thotë Jezusi Judës: “Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!“ (Gjn 13, 27).

Pikërisht kjo thënie ka nxitur në mua vëmendjen për të dhënë komentin tim mbi tradhtinë e Judës, mbi fenomenin Juda, për çka mendoj se nuk ka mund të jetë asesi shkaku kryesor lakmia për para, por diçka krejt tjetër, ndërsa paratë ishin vetëm rasti për tradhti.

Po të ishin paratë shkaku i tradhtisë, pse atëherë nuk i mbajti tek vetja që të mund të kënaqej në lakminë e vet. Juda i ktheu paratë. Të themi edhe këtë, përkundrazi ky gjest ishte edhe shkaku i veprës së parë të mirë – edhepse pavetëdije – e armiqëve të Jezusit në mundimet e tija. Ata me këto para blenë një arë për varresa të shtegtarëve për Jerusalem, të cilët nuk kishin varrësa të veta familjare. Ajo arë “deri më sot quhet ‚Ara e Gjakut’“ (Mt 27, 5).

“Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!“ (Gjn 13, 27). Në këtë fjali fshihet misteri i apostullimit të gabuar, fatit dhe shansit të Judës apostull, shkaku i tradhtisë së tij. Gjoni ungjilltar thotë se kjo fjalë s’e kishte tronditur asnjë apostull. “Prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. Pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë send skamnorëve. Juda posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.“ (Gjn 13, 28-30).

Juda ende nuk ishte tradhtar, por apostull. U bë tradhtar pasi e keqpërdori dhe e tradhtojë besimin, të cilin Jezusi e kishte ndaj tij. Juda kishte post të privilegjuar, që apostujt tjerë kanë mundur vetëm t’ia kenë lakminë. Ishti i ngjashëm me të „liruarin“ – siç quhej ai i burgosur që i jipej leja për të dal nga burgu për nevoja të të burgosurve dhe të burgut. Jezusi kishte besim të plotë në Judën: ia kishte besur qesen dhe kujdesin për bashkësi. Ai ishte i lirë të dal jashtë rrethit të apostujve pa kurrfarë kontrolle dhe pa kufizim, kurse ai del edhe nga Darka solemne, që të kryej atë që e kishte në mend. Ai me daljet e lira, me detyrën e besimit dhe simbas detyrës zyrtare, kishte mundësi të bie në kontakt me njerëz e vende të dyshuara, që e keqpërdori deri në tradhëti. Në keqpërdorimin e besimit qëndron shkaku i tradhtisë. Me dalje të shpeshta e të panevojshme, kushedi sa herë, nuk ishte i pranishëm për të parë e dëgjuar prej Jezusit atë që ishte e nevojshme për përgatitje dhe për thellimin e apostullatit. Vërtet, edhe apostujt tjerë që ishin më shpesh pranë Jezusit dhe rregullisht e përcillnin, i dëgjonin fjalimet dhe mësimin e Tij, mrekullitë dhe veprat tjera të mira, sikur nuk ishin pjekur për çaste të tundimit në kohën e mundimeve të Jezusit – deri në zbritjen e Shpirtit Shenjt. Juda, me daljet e lira, ka mund të bie në kontakt me skamnorë. Ndoshta edhe ka organizuar ndonjë akcion bamirësie në marrëveshje me Jezusin dhe apostujt, por nuk ishin paratë shkaku i tradhtisë, sepse paratë e fituara „i hodhi në Tempull“. Tradhtia e Judës na jep shumë qartë një shembull tipik të besimit të keqpërdorur të çdo njeriu, të çdo mëkati. Çdo mëkat është besim i keqpërdorur, shans i humbur! Tradhti e Judës!

„Kush është ai njeri, i cili mundi të bëjë mëkat e nuk e bëri“, pyet Siracidi.

Më kujtohet një intervist që një gazetarë e udhëheqte me një letrarë lajkëtar. Në fund gazetari ja bërë një pyetje: “Çfarë do të bënit po ta kishit gjithë pushtetin mbi tërë botën?“

Do të ishte shumë interesante të shtrohet kjo pyetje gjithë neve, posaçerisht atyre kritikëve dhe „reformatorëve“ të botës, Kishës, ipeshkvisë, famullisë, kuvendeve rregulltare dhe prijsëve të tyre, çfarë përgjigje do të jipnin? A nuk u gjetë ngusht edhe Adami, të cilit ju është oftuar të jetë zotrues i botës dhe i barabartë me Zotin, siç ia mbushte mendjen tunduesi…

A dini se çfarë përgjigje kishte dhënë ai letrari, pasi ishte bërë serioz: “Unë do ta refuzoja menjëherë një pushtet të tillë.“ A do të mund të jepte dikush përgjigje tjetër a më të mirë se kjo!? Po a nuk meriton lëvdatë njeriu, i cili mundësinë për të mëkatnuar, gabuar, për të ofenduar dikë më vetëmjaftueshmërinë e vetë, dhe për të mos e keqpërdorur këtë mundësi ai heq dorë prej këtij pushteti, për shkak të pasigurisë dhe mosbesimit në vetvete!?

Edhe neve na është dhënë e besuar gjithëçka kemi – si revers (rikthim).

Mund të jetë edhe një arsye a motiv i tradhtisë së Judës: në pritje të zbatimit të Mbretërisë së Hyjit që Jezusi pandërprerë e predikonte, mosdurimi e kishte shtyr të ulet në selinë e ministrit të financave – thënë kështu me gjuhën bashkëkohore. Ky mosdurim vërehet edhe tek apostujt tjerë, madje në disa raste, veçenarisht në ditën e Ngritjes së Jezusit në qiell – ditën e Shëlbimit: “Zotëri, athua do ta ripërtrishë në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?“ (Vap 1, 6). Për më tepër, apostujt i kishin ofruar Jezusit edhe shpatat për të filluar kryengritje dhe marrjen e pushtetit: “Zotëri, ja, këtu dy shpata!“ (Lk 22, 38). Pjetri e kishte nxjerrë shpatën (khs. Gjn 18, 10) i kishte ra një shërbëtori (khs. Mt 26, 51) dhe ia kishte prerë veshin e djathtë (khs. Lk 22, 50: Gjn 18, 10). Por Zotëria ia preku veshin të lënduarit e ia shërojë dhe ndaloi që mos të derdhet gjaku. Për Judën ishte një dëshprim dhe gjithë plani i tij ishte rrënuar: „Atëherë Juda… kur pa se e denuan Jezusin, i brenjtur nga ndërgjegjja, ua kthue kryepriftrinjëve dhe pleqëve të popullit tridhjetë siklat e argjendta e tha: “Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!’ … dhe i hodhi siklat në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në lak.“ (Mt 27, 3-5). Veprat e apostujve tregojnë se vet Juda kishte blerë një arë me para që u pagua prej krimit të tij. (khs. Vap 1, 18).

Fitimi i besimit njeriun e lajkaton, sepse është shenjë pranimi, nderimi dhe shpërblimi. Sa është i madhë ai që na beson aq me i madhë është nderimi dhe pranimi. Të gjithat që Hyji na ka besuar – këto janë: jeta, shëndeti, mendja, e shumë mundësi të tjera që i posedojmë – janë shenjë të një besimi të madhë të Hyjit ndaj nesh, të pranimit dhe shpërblimit tonë. Këtu kemi edhe sa e sa detyra të njerëzve të thjeshtë, besimtarë, meshtarë, rregulltarë e rregulltare. A mendojnë ndonjëherë mbi këtë ata që janë të detyruar për mësim, shkollim, studim, shërim etj.? Të gjitha këto detyra shpeshherë i shkëputin nga detyrimet e përbashkëta, siç janë lutja e përbashët, pushimi i përbashkët etj. Të gjithë këta janë në situatën e Judës, i cili u bë bjerrës dhe tradhtar.

Jam thellë i bindur se bjerrjës së Judës dhe tradhtisë së tij, sikur në çdo bjerrje dhe mëkat, deri në tradhëti, shkaktari kryesorë është vetëm besimi i keqpërdorur; kjo mandej të shpie deri te lakmia, skllavërimi i alkoholit, flligështia dhe jeta dyfytyrëshe, deri te inkoshienca dhe te rrena, deri te vjedhja dhe shpërdorimi, deri te shumë afera e rrugë pa kye, e së fundi deri në rrënimin e tërësishëm.

Më të drejtë thonë njerëzit kur mendojnë në bjerrjen e Judës; po të ishte var Juda në qafën e Jezusit në vend të varjes me lak, dhe në shënje pendimi të ishte mbështetur në krahrorin e Tij, mëshira e Hyjit gjithshka do t’i jipte kahje tjetër.

Fatkeqësisht, për besimin e keqpërdorur të Judës, si dhe për shpërdorimin e çdo njeriu tjetër mbetet vetëm kjo fjalë e Jezusit: „Më mirë do të kishte qenë për atë që as të mos kishte lindur fare!“ (khs. Mk 14, 21). I mjeri ai njeri që e tradhton Birin e Njeriut! (khs. Lk 22, 22; Mk 14, 21).

(Nga libri: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita 2006, f. 9-16)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »