A ua dua të mirën të tjerëve?

Jun 21 • Meditimi i ditës

21 qershor 2017 – E mërkurë, Shën Luigj Gonzaga, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kor 9,6-11; Ps 112; Mt 6,1-6.16-18)

 

Prania e Hyjit

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
dhe më tërheq kah gjithçka që është e mirë,
duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për të pushuar dhe për të fjetur.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 6, 1-6.16-18

 

1 “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.

2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim!3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë,4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”

5 “Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ruajtja e fshehtësisë dhe diskrecioni janë duke përjetuar kohë të vështira: dyshimi është i shprehur edhe te spiunimi i qeverive edhe të atyre që i shmangen mediave sociale. Mos të fshehësh asgjë si duket s`po mjaftuaka: nganjëherë duket se është e domosdoshme të publikohet çdo gjë.
  • Jezusi e drejton vëmendjen te një tjetër aspekt jete: nevoja për të jetuar një jetë të qetë, reflektuesedhe të përgjegjshme. Ndalem e mendoj për një jetë modeste, pa pretendime në të cilën Jezusi më fton dhe e kërkoj ndihmën e Zotit që ta braktisë çdo nevojë për të qenë pasanik, dhe e kërkoj ndihmën e Zotit që të tjerëve të mund t`ua mendoj më të mirën.

  

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »