Ç’na bëre kështu, o bir?

Jun 22 • Këndvështrime

Nga Mons. Lush Gjergji

 

“Ai u përgjigji: “Po pse më kërkuat?  A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”. Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.” (Lk 2, 49-50)

“Edhe ne duhet ta kërkojmë Zotin atëherë kur e kemi humbur, është larguar prej nesh. Ku? Siç bëri Maria: e gjeti në Tempull. Ta kërkojmë në heshtje, në uratë, në gjunjë, në Eukaristi dhe në vuajtje… Ne duhet si Mari t’i kërkojmë fëmijët tanë, siç bëri ajo kur Jezusi ishte tretur. Duhet të kemi kujdes ku gjenden fëmijët tanë. Vatra nuk është vatër pa fëmijë.” (Nëna Tereze)

 

Virgjëra Mari së shpejti ishte gjetur rishtas në vështirësi: ikja në Egjipt me Jezusin dhe Jozefin. “Pasi u nisën Dijetarët, qe se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje deri që të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë”. Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe t’ëmën e tij e shkoi në Egjipt.” (Mt 2, 13-14)

Dëgjesa e menjëhershme dhe pa kushte ndaj vullnetit të Zotit, ishte stili i jetës së Virgjërës Mari, mësim dhe frymëzim edhe për ne. Herodi e paraqet luftën e së keqes, të djallit kundër Zotit. Edhe sot, kur në zemrën e njeriut nuk lind jeta sakramentore e hirit, njeriu është në rrezik të “mbytet” nga e keqja e mëkatit, egoizmit, egocentrizmit, robërisë… Është tejet i rëndë mëkati i “Herodve të ri”, të vetë prindërve të cilët vrasin fëmijën ende të palindur nëpërmjet dështimit, luftojnë në çdo mënyrë kundër jetës. Ky “masakrim” i fëmijëve të pafajshëm dhe të pambrojtur, është edhe më i rëndë se ajo çka bëri Herodi (khs. Mt 2, 16-18). Është një klithje alarmuese për shoqërinë e sotme, që sipas Nënës Tereze “është rreziku më i madj për paqe”.

“Loja e Zotit vazhdon” me Virgjërën Mari… Një ngjarje tjetër që i shkaktoi asaj shumë dhembje, frikë, shqetësim, ishte gjetja e Jezusit dymbëdhjetëvjeçar në Tempullin e Jerusalemit.

Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremtuar Pashkët. Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem, pa dijen e prindërve të tij. Duke qenë të bindur se është me turmë, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

Pas tri ditës e gjetën në Tempull mes dijetarëve duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i  mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”

Ai u përgjigji:

“Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”.

Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.” (Lk 2, 41-50)

Siç na thotë Ungjilli, Shën Jozefi dhe Zoja Mari shkonin për çdo vit në Jerusalem; kësaj here edhe më të gëzueshëm dhe më të kënaqur, sepse me ta ishte edhe Jezusi, për ta respektuar dhe zbatuar traditën e të parëve. Ky gjest shënonte fillimin e rinisë dhe të pjekurisë së Jezusit, ishte disi riti i inicimit. Çdo gjë kishte kaluar mirë. Të gjithë ishin të lumtur: Jezusi ishte për herë të parë në Jerusalem, pas paraqitjes në Tempull. Jerusalemi ishte kryeqyteti, qyteti i shenjtë, ku kishte filluar historia e shëlbimit, dhe ku Jezusi do ta përfundonte shpëtimin dhe shpërblimin me vdekjen dhe ngjalljen e tij të lavdishme.

Dukej së kështu do të ishte edhe në kthim. Mirëpo, ia befasia, dhembja, frika, kërkimi… Jezusi ishte “zhdukur” pa gjurma. Nuk ishte me shokë të udhëtimit, mes miqve dhe të njohurve. Kjo çështje i shqetësonte edhe më tepër Jozefin dhe Marinë, sepse Jezusi ishte gjithmonë i dëgjueshëm, i saktë, shumë i përpiktë. S’kuptonin më asgjë. Frika, dhembja, pasiguria iu mjegullonte mendjen dhe turbullonte zemrën. S’dinin më çka të mendonin, frikoheshin më të keqes… Mund të paramendonin gjithçka, përpos asaj çka kishte ndodhur: Jezusi është në Tempull, në mes të dijetarëve, diskuton me ta qetë, si mos të kishte ndodhur asgjë.

Tri ditë kërkimi, frike, pasigurie, shqetësimi, janë si tri javë, tre muaj, tre vjet, si amshimi… Shprehja “tri ditë” në Bibël domethënë shumë, sepse tri ditë zgjati vuajtja dhe vdekja e Jezu Krishtit; tri ditë zgjatet dhembja dhe dëshpërimi i apostujve për vdekjen e tij. Këto “tri ditë” përsëriten besnikërisht dhe përpikërish edhe në jetën e Kishës së çdo kohe, në jetën e çdo njeriu.

Gëzimi, hareja, entuziazmi, lumturia e Jozefit dhe Marisë, është e pamasë, edhe pse ajo nuk mund mos t’ia thotë një lloj “qortimi” amësor: “Ç’ na bëre kështu, o bir! Ja, yt atë dhe unë të kemi kërkuar plot pikëllim!” (Lk 2, 48)

Virgjëra Mari, është  e hutuar, humbur, shumë e lumtur, tejet e emocionuar, në gjendje ankthi dhe gëzimi, ndërsa Jezusi, dymbëdhjetë vjeçar, është tërësisht i qetë, si mos të kishte ndodhur asgjë, gati si mos t’i përkiste atij kjo “dramë” e Jozefit dhe Marisë. Mu për këtë përgjigja e tij ishte kjo:

Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lk 2, 49)

Në një anë është kujdesi, dashuria e Jozefit dhe Marisë, pra, e njeriut për Zotin, por Jezusi ua kujton atyre një fakt themelor: Ai është para së gjithash Biri i Atit të amshuar, shprehje e dashurisë së Tij, dërgimit prej Tij për ta shëlbuar dhe shpërblyer njeriun dhe njerëzimin. Për këtë arsye Jezusi ua përkujton Jozefit dhe Marisë: është një përparësi, para të gjithëve dhe të gjithave Ati qiellor, pastaj Zoja Mari, Shën Jozefi, të tjerët…

Ky vlerësim dhe qëndrim ndaj Marisë dhe Jozefit ishte i panjohur. Shi për këtë, Shën Luka shkruan kështu: “Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.” (Lk 2, 50)

Atyre iu dukej qëndrim i çuditshëm, me pak përgjegjësi, mirëpo për Jezusin kjo është e vërteta themelore, për të cilën Ai ishte mishëruar – bërë Njeri, për të na zbuluar dhe dhuruar Atin, jetën hyjnore, amshimin e lumtur.

Jezusi, dëshiron t’i shpie në misterin e shëlbimit së pari Nënën Mari, pastaj rojësin Shën Jozefin, në “zinxhirin” e dashurisë mes Jezusit dhe Atit, pastaj Atit dhe neve.

I njëjti Jezus më vonë do të thotë: “Për të vërtetë po ju them: nuk mund të gjendet një njeri që la për dashuri ndaj Mbretërisë së Hyjit, shtëpin ose gruan, ose vëllezërit ose prindërit ose fëmijët, që të mos marrë shumëfish edhe në këtë  e në botën e ardhshme jetën e pasosur” (Lk 18, 29-30)

Virgjëra Mari ia bëri Jezusit një pyetje, por mori një përgjigje të “çuditshme.” Mirëpo, ajo nuk dorëzohet me kaq, por “E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.” (Lk 2, 51) Kjo domethënë që meditonte, kërkonte, hulumtonte, shqyrtonte përmbajtjen dhe kuptimin e kësaj porosie.

Kjo vlen edhe për ne. Jezusi, Ungjilli, vullneti i Hyjit, shpesh për ne na duken të pakuptimtë, të papranueshëm, të pamundshëm…, siç ishte shumë herë edhe për Virgjërën Mari. Mirëpo, ajo në vend që të dorëzohej, i ruante në mend dhe zemër, “bluante”, kërkonte ndihmën e Zotit, jetonte me Zotin. Kështu do të duhej të bënim edhe ne, me ndihmën dhe ndërmjetësinë e Marisë.

Sipas nesh, Zoti na do shpesh, në një mënyrë të çuditshme, që na duket më tepër dënim se dashuri, nëpërmjet kryqit, vuajtjes, sëmundjeve…Mos të harrojmë këtë: ne Zotin kurrë nuk mund ta kuptojmë, por mund ta pranojmë, ta duam dhe vetëm kështu edhe ta zbatojmë vullnetin e tij.

Shpesh jemi të shqetësuar dhe e pyesim Zotin: ku je tash? Pse po hesht? Pse po sillesh me mua kështu? Pse nuk e largon prej meje këtë kryq, fatkeqësi, luftë, tërmet, vërshim?…

Pas shumë pyetjeve tona, vijon “heshtja e Zotit, ose përgjigja e kryqit, dashurisë në vepër, që për ne është e vështirë, por na zbulon qenësoren, dashurinë e Zotit që shprehet nëpërmjet kryqit, vuajtjes, vdekjes, siç bëri Jezusi për ne.

Ja “shkalla” dhe përparësia e Jezusit: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këtë dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.” (Mt 22,  37-40)

Pa ndihmën e Zotit dhe të Virgjërës Mari kërkesat e Zotit janë tejet të rënda, të larta, të pamundshme. Duhet hap pas hapi, siç bëri Maria, të kërkojmë, të lutemi, të meditojmë, dhe pas kësaj ta zbatojmë vullnetin e Zotit, gjithmonë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Të dhe me të afërmin.

Kjo ngjarje ungjillore mund t’na duket neve, si edhe vet Zojës Mari dhe Jozefit, një  lloj “padëgjese”, një “lojë” e Jezusit  pa shije dhe pa hije. Ungjilli, vazhdon kështu: “Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte”. (Lk 2, 51), për të dëshmuar se nuk ishte ashtu, por dëgjesa e përsosur ndaj Atit.

Zoti neve na kërkon shumë, gjithçka: lirinë tonë, zemrën tonë, shpirtin tonë, sepse, siç kemi parë te Virgjëra Maria, Ai është dhe mund të jetë vetëm i Pari në jetën tonë, por dhuron edhe më shumë, vetveten.

Shumë fjalë, sjellje, gjeste, porosi të Jezusit, Virgjëra Mari në fillim nuk i kuptonte, pranonte, por vetëm pas vdekjes dhe ngjalljes së Tij, me dritën  hyjnore të fesë, me fitoren e Pashkëve, arrinte te kuptimi i thellë dhe mirëfilltë.

Jezusi e do Marinë dhe Jozefin: i nderon, është i nënshtruar dhe dëgjueshëm, por, edhe më shumë e do, i nënshtrohet dhe e kryen vullnetin e Atit. Sikurse Jozefi dhe Maria, ashtu edhe ne duhet të mësojmë këtë “urti” të vështirë, shpesh ndoshta edhe dramatike, por shëlbimpruese: Zoti është në vendin e parë, gjithmonë dhe absolutisht, dhe vetëm pas Tij, vjen i afërmi, së fundi vijmë edhe ne. Kjo është “logjika” hyjnore.

Ne, shpeshherë i bëjmë Zotit shumë pyetje, kërkesa, pa pritë përgjigjen e Tij, ose, pa e ruajtur në zemër, siç bëri Virgjëra Mari (khs. LG 57)

Duhet të jemi të kujdesshëm, si Jozefi dhe Maria, të guximshëm, që sa më parë ta kërkojmë Zotin, kur jemi larguar prej Tij, apo Ai prej nesh. Thënë të vërtetën, Zoti kurrë nuk na braktisë, lëshon, nuk largohet prej nesh, por, ne bëjmë gjeste apo mëkate të tilla, duke dashur me këmbëngulje të jemi kinse të “lirë”, që domethënë faktikisht të robëruar nga e keqja dhe mëkati.

Shën Jozefi dhe Zoja Mari e donin Jezusin, jetonin me Të dhe për Të, dhe fill pas një ditë udhëtimi, nisën ta kërkojnë. Nëse e duam vërtet Zotin, atëherë as një sekondë nuk duam dhe mund të jetojmë pa Të, apo siç thoshte Nëna Tereze: “Unë s’mund ta paramendoj asnjë ditë pa Krishtin, pa meshë dhe kungim, pa praninë dhe dashurinë e tij në mua, në jetën dhe zemrën time.”

Nëse nuk jetojmë dhe nuk e duam Jezusin, atëherë as nuk e hetojmë mungesën e Tij në jetën tonë, nuk kemi ndjenja për ta kërkuar, për t’i kërkuar falje, për ta pranuar mëshirën e tij, për t’u pajtuar me Të. Kjo është gjendja e mjerueshme shpirtërore; një lloj indiferentizmi apo “ateizmi praktik”-  jetë pa Zotin dhe pa të afërmin.

Papa Piu XII thoshte: “Mëkati më i rëndë i kohës tonë është humbja e ndjenjës së mëkatit.”

Shën Maria Virgjër dhe Shën Jozefi e kërkuan Jezusin gjithkund ku mendonin se mund të gjendej: në mesin e kushërire, shokëve, të njohurve, miqve… E gjetën në Tempull, në “shtëpinë e Atit”. Kjo domethënë për ne shumë, Jezusi Zot është gjithkund i pranishëm, por, në një mënyre shumë të veçantë, Ai është në Kishë, me Kishën, në jetën sakramentale, në Sakramentin e dashurisë – Eukaristinë.

(Nga libri: Don Lush GJERGJI, Jeta, Dashuria, Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, 2016, f. 125-129)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »