Tradita, kufizim (i mundshëm) i vetvetes dhe të tjerëve

Jun 24 • Meditimi i ditës

24 qershor 2017 – E shtunë, Lindja e Gjon Pagëzuesit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 49,1-6; Ps 149; Vap 13,22-26; Lk 1,57-66.80)

 

Prania e Hyjit

Gjëja që përpiqem ta bëj këtu është që kohën ta lë më një anë

dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.

Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje

dhe bisedoj me të mbi të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.

Mundohem ta kuptoj që në mundësi të panumërta

Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.

E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.

Ngarkimi dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.

Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur ndaj asaj çfarë prania e Tij dëshiron të më thotë.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të isha në gjendje ta dëgjoja?

Po të donte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të isha në gjendje këtë ta vëreja?

Lus për hirin e shenjtë të lirimit nga brengosjet vetjake

dhe çiltërisë ndaj asaj çfarë Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, avash, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Lk 1, 57-66.80

 

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë. 58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit ‑ Zakari, 60 por e ëma tha:

“Assesi, por le të quhet Gjon!”

61 Ata iu përgjigjën:

“Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.”

62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. 64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvjellua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.

65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të.

80 Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht.

Jetoi në shkretëtirë deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Farefisi dhe fqinjët e Elizabetës dhe të Zakarisë supozonin (nënkuptonin) se do të vazhdonte tradita familjare për shkak se Zakaria i përkiste shoqërisë, klasës së lartë. Si”prindër të rinj” ishin mjaft të moshuar dhe mjaft të mençur për të kuptuar që fëmija i tyre meriton një emër të ri – ata e dinin se Hyji vepron në mënyrë të re.
  • Do të mendoj se si me pritjet, sjelljet, zakonet apo traditën time mund të ndodh që ta kufizoj vetveten dhe të tjerët.

  

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit të shenjtë të cilin pikërisht e lexova.

Çfarë më ka nxitur më së shumti në reflektim?

Ndoshta nëpër këtë rresht të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë më kujtohen fjalët e mikut, apo ndonjë rrëfim që e kam dëgjuar para pak ditësh.

Nëse është ashtu, a e ndriçon tregimi atë çfarë teksti i Shkrimit të shenjtë tenton të më thotë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »