Mos kini frikë…!

E diela XII gjatë vitit – viti A

 

Leximi i parë   Jer 20, 10-13

Profeti Jeremia u shpall të vërtetën e Hyjit njerëzve, të cilët janë tronditur nga mesazhi i profetit. Për këtë Jeremia do të paguajë çmimin: do të braktiset dhe persekutohet, por besimi i Jeremisë është më i fortë se kërcënimet e tyre. Profeti parashikon, përtej asaj që dukej, dështimin e atyre që refuzojnë mesazhin e tij, dhe është i sigurt për besnikërinë e Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Tha Jeremia: “I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do t’i hakmarremi!’ Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, marre e përhershme që kurrë s’do të shlyhet! O Zoti i ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorën tënde e lashë çështjen time! Këndoni Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfërit nga dora e keqbërësve.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi  69

 

Ref: Më dëgjo, o Zot, në dashurinë tënde të madhe

————————————-

E ndëshkova veten me agjërim,

por kjo m’u kthye në çnderim;

për petk vesha grathoren,

përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë,

pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

————————————-

E pra, unë ty të lutem, o Zot,

në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde,

pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt,

shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe.

————————————-

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen;

kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,

s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 Le ta lavdërojnë qielli e toka,

detet dhe gjithçka lëviz në to.

————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 5, 12-15

Shën Pali bën një ballafaqim: për arsye të mosbindjes së Adamit erdhën në botë vdekja dhe mëkati; për arsye të bindjes së Krishtit erdhën në botë hiri dhe jeta e bollshme. Adami dhe Krishti janë si dy të parët e fisit: i pari i njerëzimit mëkatar; i dyti i një njerëzimi të shpëtuar. Por ne e dimë se dhurata e Krishtit është jashtë-zakonisht më e madhe se mëkati i Adamit. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… – në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.   Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Shpirti i së Vërtetës do të dëshmojë për mua, por edhe ju do të dëshmoni për mua, thotë Krishti.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 10, 26-33

“Mos kini frikë”, pohon Jezusi në këtë pjesë. Nuk bëhet fjalë për një frikë të çfarëdoshme: bëhet fjalë pikërisht për frikën që mund të kapë të krishterin në momentin në të cilin duhet të dëshmojë besimin e tij përballë njerëzve. Lajmi i mirë i Krishtit nuk duhet të jetë i ruajtur në fshehtësi, por duhet t’u shpallet të gjithëve. Për bashkësitë e krishtera, rreziku nuk është mosuksesi dhe persekutimi, por frika për të shpallur haptas Ungjillin dhe mbyllja në vetvete.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos ua kini, pra, frikën njerëzve! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thoni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikoni nga pullazet! Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini  frikë më tepër nga ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë! Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Misioni për të shpallur shpëtimin, të cilin Zoti na e beson, është i bukur por me disa rreziqe. Për këtë duhet guxim e vullnet për t’i shkuar deri në fund.  Jeremia duhet t’i shpallë kombit të vet rrënimin që do të ndodhë. Ai e di se për shkak të kësaj shpalljeje do të poshtërohet dhe të përndiqet. Pali denoncon fuqinë e mëkatit, që ka hyrë në botë si shkak i mosbindjes së paraardhësve. Vdekja është pasoja. Por fjala e Hyjit na thotë që e vërteta do të fitojë mbi gënjeshtrën, e mira do të fitojë mbi të keqen. Në të vërtetë shpëtimi hyri në botë falë Jezu Krishtit, i cili ka përballuar mëkatin dhe vdekjen duke fituar mbi ta. Nga besimi në Krishtin e kryqëzuar rrjedhin jeta hyjnore, angazhimi për Ungjillin dhe liria përballë frikës dhe shantazheve njerëzore. Pikërisht nga buzët e Jezusit, që ka dorëzuar me dashuri jetën e tij në duart e Atit dhe të njerëzve, na vjen ftesa të mos kemi frikë. Jezusi thotë gjithashtu: mos u shqetëso për fatin e Ungjillit, dhe mos ki frikë nga njerëzit. Mos ki frikë askënd përveç Hyjit. Vdekja nuk është fatkeqësia më e madhe, por dënimi. Duhet të kalojmë frikën e vdekjes, si persekutimet dhe vështirësitë e çdo dite, me anë të besimit në Provaninë hyjnore, që mbron edhe harabelin, zogun më të pavlerë ndër të tjerë. Gjëja më e bukur që njeriu mund të bëjë mbi tokë, në mes të persekutimeve dhe vuajtjeve, është të jetë dëshmitar i Jezusit. Secili duhet, gjithmonë dhe kudo, të dëshmojë me guxim përkatësinë e tij Krishtit, me fjalë dhe vepra, me sjelljen dhe jetën.

 

Lutja e Besimtarëve

 M. Vëllezër e motra, në provat e jetës mund t’i drejtohemi me besim Hyjit Atë, që na njeh personalisht dhe është pajtuar me ne nëpërmjet vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Dëgjoje, o Atë, lutjen tonë.

L. Për Kishën dhe barinjtë e saj: që, besnikë ndaj misionit, të mundohen të rrisin një kulturë njerëzore me të vërtetë të krishterë në çdo shfaqje jetësore, si në mjedisin privat ashtu edhe në atë publik. Të lutemi

L. Për popujt dhe krerët e tyre: që dialogu ndërmjet besimeve dhe kulturave të bashkëpunojë për të fituar mbi intolerancën dhe keqkuptimin. Të lutemi.

L. Për vëllezërit tanë, dishepuj të Krishtit: që të mos kenë frikë nga dhuna e njerëzve dhe të gjejnë guxim në dashurinë e Atit. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë: që nga Eukaristia të dijë të marrë forcën për të pasur besim në dashurinë e Atit dhe për të pasur guxim të kryejë në jetë të mirën që Hyji pret prej nesh. Të lutemi

M. O Hyj, që njeh ekzistencën e njerëzve të kohës sonë, të kushtëzuar nga shumë nevoja dhe rreziqe, dëgjoji dëshirat dhe lutjet e bijve të tu që i besohen dashurisë sate prej Ati. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: