Miqësia e qëndrueshme me Zotin më mbron nga e keqja

Jun 25 • Meditimi i ditës

25 qershor 2017 – E diela 12-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Jr 20,10-13; Ps 69,8-10.14.17.33-35; Rom 5,12-15; Mt 10,26-33)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.
Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:
më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra që Hyji duhet të m`i mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë prishur:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mt 10, 26-33

 

26 “Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. 27Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!
28 Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.
29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! 31 Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!”
32 “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Një nga ndjenjat më të mëdha të frikës është frika e mundimit, torturës. Kur e keqja e rrëmben njeriun, ky është në gjendje të bëjë gjithçka, të shkatërrojë jetën e njeriut. Jezusi është i vetëdijshëm për këtë, është i vetëdijshëm se çka e pret edhe vetë atë. Por në mënyrë të qartë na bën të ditur se ekziston një formë shumë më e keqe e torturësdhe vdekjes: të lejosh të hysh në dorën e së keqes – që do të thoshte një dështim i jetës vetjake dhe një ndarje e përhershme nga Hyji.
  • E lus Zotin për hirin e një miqësie të qëndrueshme, të përhershme me të.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.
Çka më nxiti më së shumti të mendoj?
Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime
ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.
Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »