Zemra e Zotit që e do njeriun me një dashuri të pamasë!

Jun 25 • Kisha në Kosovë

(Festa e Zemrës së Krishtit,  Viti – e premte, 23 qershor 2017)

 

“Zemra e Krishti Zotit tonë, bëj që ty të duam gjithmonë”, kjo lutje tradicionale e lashtë ishte në buzët e zemrat e besimtarëve gjatë kremtimit të festës së Zemrës së Krishtit, një ndër më të dashurat në anët e Karadakut, që u festua të premten në Kishën e Vitisë.   

Në Ipeshkvinë tonë, kjo kishë e kushtuar Zemrës së Krishtit në Viti, pjesë e famulliës së Binçës, është bërë tash disa vjet vendtakim i kremtimit të kësaj feste për gjithë kishën tonë, të udhëhequr nga bariu Imzot Dodë Gjergji me meshtarë, me njetin e shenjtërimit të meshtarëve, pasi nga Papa Benedikti XVI e kishte shpallur ditë kushtuar shenjtërimit e meshtarëve. A ka më mirë e ma sigurt se t’i vësh jetët e meshtarëve në Zemrën e Krishtit, kryepriftit të amshuar.

Meshën solemne, bashkë me disa meshtarë, e udhëhoqi Mons. Dodë Gjergji. Edhe pse festa e Zemrës së Krishtit i bie në ditë punëtore, besimtarët e mbushën kishën. Shumë të devotshëm të ardhur edhe nga famullitë përreth, disa edhe duke shtegtuar, i afroheshin trupores së Zemrës Krishtit dhe pëshpëritnin lutjet e tyre të zemrës.

Në homelinë e tij ipeshkvi e theksoi dashurinë e Zotit që është treguar nëpërmjet Zemrës së Krishtit ndaj nesh. Zoti ynë ka zemër, ai u bë njeri në mënyrë që të na dojë edhe me një zemër njeriu që e mund frikën dhe vuajtjen. Zoti na fton që të dimë të vijmë te Zemra e tij e butë dhe e përvujtë e t`ia dorëzojmë vuajtjet dhe barrët tona. Ajo na aftëson ta duam të afërmin tonë. Në mënyrë të veçantë sot ja paraqesim jetët e meshtarëve kësaj Zemre, që të mund t’i përngjajnë asaj e të bën zemra e Zotit në botë – theksoj ipeshkvi – e na porositi që të mos ndalemi të kushtohemi Zemrës së Krishtit që na do pamasë.

Meshën e shoqëroi, zbukuroi dhe lartësoi kori i famullisë nën udhëheqjen e motrës Luljetë.

Në përmbyllje të meshës, famullitari i ri, Don Kastrioti, e falënderoj në rend të parë Zotin për këtë ditë, për dashurinë e tij që e tregon vazhdimisht nëpërmjet Zemrës së Krishtit, pastaj ipeshkvin Mons. Dodën për praninë dhe fjalët e zemrës që na drejtoi, sikurse edhe bashkëvëllezërit meshtarë, rregulltarët e rregulltaret, por edhe të gjithë besimtarët duke u dëshiruar për shumë mot festën.

“O i lumi Jezu Krishti, zemër butë e i përvujtë, bëj që zemrat tona t`i përngjajnë zemrës sate!“/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »