Një shtegtim i veçantë i dy shqiptarëve të Zvicrës në Lurd të Francës

Jun 26 • Kisha ndër Shqiptarë

Nga Anton Gjergji

 

Tradita e shtegtimeve në vende të shenjta ka një histori të lashtë në Kishën katolike, e cila kultivohet edhe në ditët tona. Besimtarët katolikë në gjithë botën bëjnë njete dhe sakrifica të ndryshme për të vizituar vende të shenjta, vende të cilat i mbushin me qetësi shpirtërore, kthim e falënderim. Janë njete që i mbushin njerëzit me dashuri dhe i bëjnë të ndihen më të lumtur dhe më afër dashurisë së vërtetë – Hyjit.

Edhe kisha e jonë dhe besimtarët tanë, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, janë pjesë e kësaj historie të bukur e të shenjtë.

Dy besimtarë shqiptarë katolikë që jetojnë në Zvicër këto ditë kanë bërë një shtegtim të veçantë në Shenjtëroren e Zojës së Lurdit në Francë. Shin Gjergji dhe Prenk Dodes, me prejardhje nga famullia e Stubllës, kanë realizuar për të parën herë shtegtim 1300 km me biçikletë nga Zvicra deri në Lurd të Francës. Këta duke qenë të lidhur jashtëzakonisht shumë me figurën e Virgjërës Mari, e në veçanti me Lurdin, shenjtëroren e njohur botërisht të Zojës së Bekuar, e realizojnë këtë shtegtim deri tash jo të zakonshëm, së paku jo ndër besimtarët tonë.

Dashuria e madhe që e kanë për Zojën e Bekuar dhe dëshira për ta falënderuar për çdo të mirë që kanë në familjet e tyre, ka qenë qëllimi kryesor i tyre për ta marrë këtë rrugë sa të gjatë dhe të mundimshme aq edhe të kënaqshme dhe të mrekullueshme.

Ideja për ta bërë këtë shtegtim kishte ardhur para dy viteve, thonë vetë shtegtarët. Edhe pse atë vend të shenjtë ata e kishin vizituar dhjetëra herë më parë, por që udhëtimet kanë qenë me makina apo autobusë, dëshira për ta falënderuar Zojën me një mënyrë të veçantë nuk ka reshtur asnjëherë, sidomos në dy vitet e fundit.

Të pyetur për idenë e këtij shtegtimi ata shprehen se “Ideja na erdhi para rreth dy viteve, vetëm se duhej ta prisnim çastin e duhur për nisje, sepse e dinim që para vetës kemi një rrugë të gjatë, të vështirë e ndoshta edhe të rrezikshme, por njëkohësisht e dinim që Zoti dhe Zoja e Bekuar do të ishin me ne në çdo hap, pasi që qëllimet tona ishin të mira: që ta falënderojmë Zojën e Bekuar dhe Zotin për çdo të mirë që na ka dhënë neve, familjeve tona dhe të afërmve tonë. Ne ja kemi kushtuar familjet tona kaherë Virgjërës Mari dhe ajo gjithmonë na ka ruajtur me gjitha të mirat qiellore dhe tokësore. Kjo ishte arsyeja kryesore e shtegtimit tonë, pra shprehja e falënderimit.”

Përjetimet që kanë pasur këta shtegtarë ishin të veçanta: “Janë ndjenja që vetëm mund t’i përjetosh, e vështirë t’i përshkruash të gjitha. Vetëm në ditën e nisjes, me 11 qershor, në festën e Trinisë së Shenjtë, kishim aq njerëz të shumtë që na përshëndesnin dhe na uronin shtegtim të mbarë sa që fjalët e tyre na jepnin energji edhe më të madhe. Sigurisht bekimi nga misionari Don Albert Demaj ishte bekim dhe urim më i rëndësishëm i rrugëtimit tonë. Gjatë rrugës e dinim se duhej të bënim rreth 1200 km, e me disa thyerje të rrugës për të vizituar kisha dhe monumente historiko-fetare dhe për gjetur hotele dhe restorant, kemi bërë mbi 1300 km deri në ditën e arritjes në Lurd, me 22 qershor në ora 14:00.

Gjatë rrugës kemi hasur në gjëra të ndryshme, por edhe në ato që për ne ishin mrekulli, për shembull kur brenda dy ditëve kemi shtegtuar afër bregdetit dhe para se të afroheshim aty kemi menduar se do ta kemi më të vështirë, sepse era e fortë zakonisht vjen nga bregdeti, por për çudi ato dy ditë era frynte prapa nesh duke na shtyrë edhe më shumë drejt cakut tonë, kjo për ne ishte një mrekulli.” – janë fjalët e Shinit dhe Prekës, që tregojnë me emocione përjetimet e tyre të veçanta.

E si e kanë përjetuar çastin e arritjes në Shenjtërore, ata tregojnë: “Prapë është diçka që nuk mund ta përshkruash me fjalë. Ne e dinim se gjatë gjithë shtegtimit tonë e kishim me vete Zotin dhe Virgjërën Mari, por edhe besimtarët që e dinin që ne ishin në shtegtim kanë lutur vazhdimisht dhe arritja e jonë me 22 qershor në Lurd ishte arritja e një ëndrre të madhe të bërë realitet, arritja e falënderimit tonë ndaj Zotit dhe Virgjërës Mari dhe arritja e mbushjes sonë me energji të Dashurisë. Ne e falënderojmë të madhin Zot për këtë shtegtim, e falënderojmë Zojën e Bekuar dhe e falënderojmë çdo besimtarë për lutjet e tyre, vërtetë lutjet e tyre ishin forca jonë”, kanë përfunduar shtegtarët.

Ndërsa misionari për Zvicër, Don Albert Demaj, i cili i ka bekuar shtegtarët dhe ka qenë pranë tyre shpirtërisht gjatë shtegtimit, me pak fjalë është shprehur: “Unë ju kam dhënë bekimin dhe jam i lumtur që ata e kanë arritur qëllimin e tyre. Ky është një shembull i mrekullueshëm për të gjithë besimtarët. Ata ndoshta janë shqiptarët e parë në Zvicër që kanë bërë diçka të tillë, kjo sakrificë e tyre duhet të jetë model për të gjithë”, ka përfunduar Don Albert Demaj.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »