E vështirë apo e lehtë, rruga e Zotit e vërtetë

Jun 27 • Meditimi i ditës

27 qershor 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 13,2.5-18; Ps 15,2-5; Mt 7,6.12-14)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe përpiqem ta marr me mend se Hyji është i pranishëm:

në afërsinë time, në atë çfarë bëj, në njerëzit që i takoj,

në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj/ndiej sot veten?

Si po sillem me Hyjin? Me të tjerët?

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit do të koncentrohem me besim në tekstin e sotshëm.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që të zbulosh çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë është duke ndodhur në zemrën tënde.

 

Mt 7,6.12-14

 

6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.”

12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”

13 “Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të! 14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Është mënyrë e lehtë të shmangësh përgjegjësinë personale dhe të shkosh me turmën – që të zgjedhësh edhe ti atë që zgjedh masa e njerëzve. Zgjedhja në mes të mirës dhe të keqes shpesh mund të jetë e ngushtë dhe e vetmuar.
  • O Zot, të lutem të më tregosh shtegun që të çon te ti. Bëj që ta ndjek atë me gëzim – pa marrë para sysh a është kjo e vështirë apo e lehtë.
  • Dhuntitë që Hyji ia jep secilit prej nesh nuk guxojnë të treten ose të injorohen, duhet të përdoren nëshërbim të të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia ndërsa jam duke lutur me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më vjen gërdi?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se si rri ulur apo qëndron pranë meje,

në besim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

 Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »