Dekorohen me titull “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” Imzot Viganò dhe Don Davit Gjugja

Jun 29 • Kisha në botë

 

Sot paradite, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u dha titullin e nderit “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, prefektit të Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikimin, Imzot Dario Edoardo Viganò dhe, kryeredaktorit të programit shqip të Radio Vatikanit, Don David Gjugja.

 

Motivacioni për imzot Dario Edoardo Viganò

Në motivacionin e dekretit 10540, për dekorimin e imzot Dario Edoardo Viganò, thuhet: “Për përkrahjen e vlerave njerëzore, shoqërore, kulturore e demokratike të shqiptarëve, përmes redaksisë së gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit; si Prefekt i Sekretarisë së Shenjtë për Komunikim, ka realizuar një dokumentar për Televizionin e Vatikanit mbi vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, duke evidentuar aspektet pozitive të popullit tonë, si harmonia ndërfetare dhe orientimi perëndimor i popullit tonë; mik i madh i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar”.

 

Motivacioni për don David Gjugjën

Në dekretin 10539, që i jep titullin e nderit don David Gjugjës, shkruhet ky motivacion: “Për kontributin e tij të shquar, për rreth 30 vjet si drejtues i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe; përkthyes zyrtar për gjuhën shqipe i Papa Gjon Palit dhe i Papa Françeskut, gjatë vizitave të tyre apostolike në Shqipëri; personalitet që ka ndikuar shumë që raportet midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë, të jenë në nivelin më të mirë të mundshëm”./ sq.radiovaticana.va/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »