Festa e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorët e Famullisë së Gjakovës

Jun 30 • Kisha në Kosovë

Nga Monika Gjoklaj

 

Më 28 dhe 29 qershor, famullia e Gjakovës ka kremtuar festën e Pajtorëve të saj, dy Apostujve – Martirë të kishës, shën Pjetrit dhe shën Palit. Janë këta dy shtylla të kishës katolike që derdhën gjakun Ungjillin.

Shën Pjetri u vua në kryq, sikurse Mësuesi i vet, Jezu Krishti, Zot e Njeri. Kërkoi ta vendosin kokëposhtë sepse ishte i padenjë për një mbarim të ngjashëm me Zotërinë.

Shën Palit iu pre koka, jashtë mureve të Romës, pasi ishte qytetar romak, i kishte mohuar perënditë pagane, për një Zot të kryqëzuar dhe për këtë arsye nuk duhej ta njolloste qytetin me gjakun e tij.

Natën e festës, më 28 qershor, në famullinë e Gjakovës, Mesha solemne ishte në orën 18:00, në kishën famullitare të shën Pjetrit e shën Palit, të cilën e kremtoi pater Shtjefën Dodes, meshtar i shoqërisë së Jezusit, i cili shërben në Loyola Gymnasium në Prizren.

Ai në homelinë e tij foli kryesisht për rëndësinë e kësaj feste duke theksuar se Shën Pjetri e Shën Pali konsiderohen si shtyllat e fesë së krishterë. Feja e tyre në Krishtin ishte aq e gjallë sa që jehona e saj u dëgjua edhe në viset tona. Ajo arriti në të gjitha skajet e botës, sepse i kishte themelet e forta. Edhe Jezu Krishti Pjetrin e quajti Shkëmb mbi të cilin do ta ndërtonte Kishën e vet. Është rast i volitshëm të pyesim vetveten si qëndron puna me fundamentin, themelin e jetës sonë. Edhe nga jeta e dimë që te çdo ndërtim baza apo themeli është vendimtar. Prej tij varet se si do të ndërtosh tutje, sa lartë e sa gjerë. Themeli e bën parakushtin e ndërtimit. Kjo vlen edhe për jetën tonë: si është vendosur themeli yt? A e ke vendosur bazën tënde?

Edhe Shkrimi i shenjtë përdor metafora nga jeta jonë njerëzore për të përçuar porosi hyjnore. Kështu Shën Pali flet se ne jemi ara e Hyjit (1 Kor 3,9). Ai flet edhe për ndërtesën e Hyjit. Një arkitekt vendos një themel, të tjerët ndërtojnë. Të tjerët mund të shohin se si po ndërtohet tutje. Nuk mund të kesh dy themele – dhe nuk mund të vendosë dikush tjetër një tjetër themel. Për ne të krishterët ky themeli i vetëm është Jezu Krishti. Gjithçka që nuk ndërtohet në këtë themel nuk do të qëndrojë. Kur të vijnë kohë të vështira, sprova të ndryshme, do të rrënohet. Prandaj është me rëndësi ta pyesësh veten: në çka e kam ndërtuar jetën time? A kam ndërtuar vërtet mbi Jezu Krishtin? A kam raport personal me Jezusin? A e njoh personalisht Jezusin, apo gjithmonë mbështetem në përvojat e të tjerëve, në tradita?

Jezusi si themel. Kjo është një çështje me rëndësi. Jezusi themeli i jetës sime. Në ngjarjen që përshkruhet në ungjill (Mt 16,13-19) mund ta dallojmë edhe thirrjen tonë për të vendosur Jezu Krishtin si themelin e jetës sonë.

Themeli është vendosur tashmë – Ai është Jezu Krishti. Feja jonë duhet të ndërtohet mbi këtë themel. Deri te kjo fe duhet të vish, që të jesh në gjendje të thuash: Ti je Shpëtimtari im.

Ditën e festës, më 29 qershor, mesha solemne ishte në orën 11:00, të cilën e kremtoi don Prekë Lazri, drejtori i Radio Marisë së Shqipërisë . Don Preka gjatë predikimit shtjelloi temat e Leximeve dhe Ungjillin e ditës.

Veprat e Apostujve tregon se Pjetri derisa ishte në burg, kisha lutej për Pjetrin, kisha ishte e bashkuar me Zotin për Pjetrin. E çfarë bëri Zoti? Zoti e nxori prej burgut Pjetrin në mënyrën më të mrekullueshme aq sa Pjetri nuk i besonte vetvetes dhe se çdo gjë i dukej sikur një ëndërr. Shën Pjetri në këtë momente kishte në zemër ëndrrën që Zoti e kishte për botën e për ta realizuar këtë ëndërr, u kujdes që shkëmbin ta nxjerrë prej burgut e t’ia jap lirinë, përmes së cilës do ta predikojë Fjalën e Zotit. Shumë herë në jetën tonë, secili prej nesh është i burgosur nga mendimet, dëshirat, e fjalëve tona dhe veprave tona, e derisa unë, ti e secili prej nesh jemi të burgosur në jetën tonë, a ekziston dikush në afërsinë tonë sikur ekzistonte në fillimet e Apostullatit të Pjetrit që të lutet për ne, sikurse kisha lutej për të?

Çka na thërret shën Pjetri sot? Ai na thotë se në fillimet e Apostullatit tim më shpëtuan besimtarët, lutja e kishës që bëhej për mua, lutja e besimtarëve bëri që ëndrra e Zotit të realizohej përmes meje sepse isha vetë i dobët.

Vëllezër e motra, edhe ju ka për t’ju shpëtuar lutja juaj, ka për t’ju shpëtuar lutja të cilën ju e kërkoni nga dikush tjetër, sepse vetëm nëpërmes bashkimit të zemrave tona me Zotin, vetëm përmes këtij bashkimi ne kemi mundësi të dalim prej burgjeve tona. 

Çka na thotë sot Shën Pali në fundin e jetës së tij? Ai gjatë tërë jetës ka udhëtuar bilës edhe nëpër trojet tona (Iliri), duke mos u lodhur kurrë së përhapuri Fjalën e Zotit, duke ia kushtuar kështu me jetë dhe ai i drejtohet secilit prej nesh me ëmbëlsinë më të madhe duke shprehur ndjenjat e zemrës. Shën Pali secilit prej nesh i thotë, fort i/e dashur, sa për mua, gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit, koha për t’u nisur, arriti.

Shën Pali prej momentit kur është takuar me Krishtin, nuk ka marrur më frymë për asgjë tjetër, vetëm për Krishtin dhe në fundin e jetës së tij nuk mund të pres tjetër gjë, përpos lavdisë të cilën asnjë njeri s’mund t’ia japë një njeriu tjetër, e të cilën lavdi vetëm Zoti ia jep njeriut. E kjo gjë ndodh kur shën Pali thotë se luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva dhe fenë e ruajta.
Shën Pali është i vetëdijshëm se e pret kurora e drejtësisë, të cilën Zoti do t’ia jap në çastin e takimit me të.”

Gjithashtu në këtë ditë, përveç festës së Pajtorëve tanë, shën Pjetrit e shën Palit Apostuj, në famullinë e Gjakovës ishe edhe një ditë gëzimi, pasi që pikërisht me këtë datë (29 qershor), para pesëdhjetë (50) vjetëve u shugurua meshtar biri i kësaj famullie, Don Anton Kqira.

Don Antoni, u lind më 17.06.1939 në Gjakovë. U shugurua meshtar më 29.06.1967 në Gjakovë nga Ipeshkvi i asaj kohe Çekada. Ka shërbyer në Bishtazhin, në Guci të Malit të Zi, në Gllogjan, dhe në Detroid, USA.

Në fund të Meshës Shenjte, guardiani i Kuvendit Françeskan dhe famullitari i Famullisë së Gjakovës, pater Ndue Kajtazi i falënderoi meshtarët e pranishëm, besimtarët shtegtarë të famullive përreth e të gjithë ata që kanë ndihmuar për festën e famullisë.

Ta lusim Zotin që me ndërmjetësinë e tyre edhe ne të aftësohemi që në kohën tonë të bëhemi bartës të Lajmit të Gëzueshëm dhe dëshmitar të Krishtit të Ngjallur.Për shumë mot!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »