Përmbytja e anijes së Shën Palit në rrugën për në Romë kishte ndodhur në ishullin Melita të Dalmacisë Ilire

Jun 30 • Histori, Kulturë

Në shenjë të Festës së Shën Palit dhe 1950 – Vjetorit të Kalimit në Amshim

 

Nga Jahja Drançolli

 

Pasazhi i njohur i Shën Palit drejtuar bashkësisë së krishterë të Romës (të shkruar në Korint rreth viteve, 57-58), njoftonte: “[…] Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit “ (Rom 15, 19). Ky pasazh do të fiton peshë më të madhe me zbulime të reja, që dalin pikërisht nga njoftimet biblike sipas të cilave Shën Pali Apostull gjatë udhëtimit nga Kreta në Romë, ishte përmbytur me anije në ishullin shkëmbor të Melitës. Pas shpëtimit, Shën Pali qëndroi këtu për tre muaj dhe pastaj lundroi përsëri për të vazhduar në Romë. Përmbytja e anijes së Shën Palit sipas Biblës është bërë në ishullin e Melitës, në atë kohë me të njëjtin emër është quajtur ishulli i sotëm Mljet (Dalmaci), në bregun e Ilirisë, si dhe ishulli i Maltës në Mesdhe. Njoftime interesante për çështjen në fjalë kemi zbuluar në dorëshkrimet latine kushtuar historisë kishtare ilire te humanisti raguzan Injac Gjergji – Ignatius de Georgiis (1675-1737), profesor disavjeçarë i  Kolegjik Ilirik në Loreto.

 

Në pjesët më të hershme të Dhjatës së Re, në letrat e Shën Palit (i lindur në Tarz në Cilici rreth vitit 5 dhe 10 – Romë 67 p.Kr.), apostull më erudit i krishterimit të hershëm, Jezusi është një realitet i gjallë historik dhe shpirtëror. Supozimi pas direktivave për jetën kishtare, p. sh. është që Zoti jeton midis të krishterëve. Pas vdekjes së Jezusit, dishepujt e tij siç dukët mendonin se lëvizja e tij kishte mbaruar, por ringjallja dhe ngjarjet që ndodhë pas ato i bindnin se ai kishte marrë një formë të re ekzistence. Nga një perspektivë historike, atëherë, të krishterët e parë paraqiten si hebrenj sektarë – hebrenj me një interpretim të ri të mesianizmit.

U desh kohë që të shoshiteshin dhe të sqarohen interpretimet e para për Jezusin dhe një katalizator kryesor në këtë proçes ishte Shën Pali. Sipas vlerësimeve në aktet dhe shkrimet e veta, Shën Pali ishte një hebre fariseik, konvertimi i të cilit rrugës për Damask (Vap 9, 3-9) ishte shumë dramatik. Pas konvertimit ai u përpoq t’u tregojë bashkë-hebrenjve të tij se Jezusi ishte Mesia i tyre, por kundërshtimi i tyre ndaj predikimeve të tij dhe refleksionet e tij të mëvonshme mbi jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, e bënë Shën Palin të kuptojë se me Jezusin Hyji kishte hapur marrëveshjen për gjithë njerëzit, edhe paganë edhe hebrenj.

Si rrjedhim Shën Pali e bëri Ungjillin e Jezusit (lajmi i mirë) një Tora të re. Për arsye se Zoti kishte plotësuar me Jezusin qëllimin e Ligjit; tani shumë reçeta të detajuara të ligjeve hebraike mbetën të tejkaluara. Pranimi i një kodi të jashtëm nuk mund ta bëjë njeriun të pastër (të pranueshëm te Zoti). Vetëm duke hyrë në dashurinë shpëtimtare të Zotit, njeriu mund të qëndrojë para tij në mënyrë të pëlqyeshme. Shën Pali e quante këtë besim të pranueshëm. Për te, Jezusi ishte faktor për të kaluar nga Torah në Ungjill, nga ligji në besim. Rruga për tu bërë i mirë me Zotin ishte përkushtimi ndaj Jezusit. Këtej, për Shën Palin, Jezusi vetë përfaqësonte Mbretërinë, të mishëruar në hirin e Zotit. Ndërsa, vizioni i Shën Palit zgjerohej, ai e shikonte shndërrimin e Jezusit nga vdekja në jetë si kulmin e historisë së shpëtimit. Jezusi Krisht ishte një Adam i ri, një fillim i ri për njerëzimin. Të gjithë ata që shkonin pas tij, që interpretonin jetën e tyre sipas tij, bëheshin anëtarë të “trupit” të tij. Krishti dhe Kisha përbenin një entitet të gjallë.

Interpretimi i Shën Palit për jetën e Jezusit ishte çelësi i krishterimit të hershëm që do të bëhej një fe universale. Përkundër faktit, që Shën Pali dhe dishepujt e parë të Jezusit kishin qenë hebrenj, vendimit të Shën Palit, që t’i shmangë obligimit e Ligjit Hebraik dhe duke e pranuar anëtarësimin e gjithë atyre që mbështetnin jetën e tyre tek Jezusi, kisha e hershme u nda nga Judaizmi në mënyrë të pariparueshme. Në fillim disa nga ithtarët e Jezusit kishin nxitur mbajtjen e mëtejshme të obligimeve, që dalin nga Tora Hebraike duke iu shmangur vizionit të Shën Palit. Tora kishte qenë guri themeltar i konventës njerëzore. Shumica e hebrenjve, kuptohet nuk do të dëshironin të braktisnin idetë e Toras apo të hynin në një marrëveshje të re konvencionale. Fatkeqësisht, Shën Pali dhe ithtarët e tij e mëvonshëm ishin frustruar në Judaizmin tradicional, i cili nuk i pranonte të krishterët si liderë legjitim të Judaizmit. Disa që e kishin parë Jezusin se si shëronte të sëmuret apo e kishin dëgjuar atë kur predikonte, e pranuan kauzën e tij; apostujt që u lidhën me kishën pas ringjalljes së Jezusit, p. sh. ishin hebrenj që kaluan nga Tora në Ungjill. Sidoqoftë, shumë hebrenj nuk e kishin parë e dëgjuar Jezusin dhe për arsye historike, psikologjike, politike e fetare nuk mund t’i pranonin kërkesat e tij.

Paganët që rendën pas Ungjillit jetonin në një mjedis Helen, më pastaj Maqedon dhe Ilir. Ashtu siç ishte në trazira judaizmi, me Zelotët e Farisenjtë, që të gjithë kishin dalë kundër sundimit romak.

Si rezultat i Ungjillit dhe teologjisë së Shën Palit, brenda një gjenerate pas Jezusit mendimi hebraik dhe grek kishte krijuar një vizion të ri botëror të fuqishëm. Nga Judaizmi dolën konceptet e profetit dhe Mesisë. Nga helenizmi erdhën nocionet e shpëtimtarit dhe Zotit. Në duart e Kishës ato ishin zhvilluar në mënyrë të konsiderueshme. Jezusi ishte pasardhës i Moisiut, ideatori i një Ligji të Ri, Biri i Njeriut, për të inauguruar epokën Mesianike; dolën në dritë fitimtari mbi vdekjen e trazirat dhe Logosi (fjala) i teologjisë së përjetshme. Ai ishte alfa dhe omega – fillimi dhe mbarimi. Gjithë historia e kaluar, qe nga ardhja e prindit të parë Adamit dhe Evës, nuk ishin veçse përgatitja për të pritur ardhjen e tij. Gjithë e ardhmja do të shpaloste implikimet e tij duke kulmuar në një gjykim final dhe një përsosmëri në qiell.

 

Udhëtimet misionare të Shën Palit

Udhëtimet misionare të Shën Palit dhe të bashkëpunëtorëve të tij jo të pakët, që kanë predikuar në treva ilire tregojnë pritjen e ngrohtë që ata kanë pasur me popullsinë e kësaj treve. Këtej, për këtë çështje janë ruajtur shumë letra të Shën Palit dhe burime të tjera të kohës. Edhe në këtë rast nuk mund ta tejkalojmë pa e përmendur pasazhin e njohur të Shën Palit drejtuar bashkësisë së krishterë të Romës (të shkruar në Korint rreth viteve, 57-58), pasi që ai kishte kryer udhëtimin e dytë të tij misionar në Maqedoni dhe para se të kthehej në Jerusalem. Aty thuhet: “[…] Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit“ (Rom 15,19). Atëbotë, Iliriku ishte provincë përbërëse e administratës romake, ku hynin trevat e Dalmacisë, Bosnjës e Hercegovinës, Ballkanit Qendror dhe Perëndimor. Përhapjen e krishterimit në Ilirik, Shën Pali e dëshmon edhe në letrën e shkruar gjatë burgimit të dytë në Romë, të cilin ia drejtonte njërit prej dishepujve të tij më të ngushtë, Timoteut. Sipas kësaj letre, në Dalmaci e ndeshim Shën Lukën. Po ashtu, në këtë letër (Tim 4, 11) Shën Pali njoftonte se, duke e parashikuar martirizimin e tij nga Neroni, ai e ka nisur Titin, dishepullin e tij për ta vazhduar veprën misionare edhe në Dalmaci të  Ilirikut.

Janë të njohura misionet apostolike të Shën Palit edhe në Ilirikun Jugor, që atëbotë ishte përfshirë brenda konceptit Maqedoni e Dytë me seli në Durrës, gjë që ripohohet edhe te Plin Plaku, Pal Orosi dhe në Gjeografinë e Prolomeut. Brenda konceptit Maqedoni e Dytë, përveç Durrësit janë përfshirë edhe qytetet e njohura ilire, si, Apollonia, Aulona, Byllisi, Amantia, Albanopolisi, Skampa, Lyknidi, Heraklea dhe ishulli i Sazanit. Për veprimtarinë e Shën Palit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, përveç në Letrat e Shën Palit edhe në librin, Veprat e Apostujve“ të Shën Lukës. Nga Letrat e Shën Palit ai kishte ndërmarrë tri udhëtime apostolike në Maqedoni, pra edhe në pjesë të Ilirisë të cilat në shekujt e parë të administratës romake ishin përfshirë në kuadër të konceptit Maqedoni e Dytë.

Për krishtërimit tonë të hershëm rol të veçantë ka sidomos udhëtimi i tretë misionar i Shën Palit, i cili ishte realizuar pas burgimit të parë të tij (62-63). Me të kryer të këtij misioni Shën Pali i kishte dërguar një letër në Kretë, bashkëpunëtorit të ngushtë të tij, Titit. Letra mbyllet me këtë mesazh: „[…] hiq e eja te unë në Nikopol, sepse atje kam vendosa ta kaloj dimrin“ (Tit 3, 12). Siç është e njohur një rrugë e shkurtër tokësore, që të çonte nga Maqedonia në këtë qytet të rëndësishëm të Epirit, kalonte përmes trojeve të sotme shqiptare. Gjithashtu, edhe Epifani i Qipros, ripohonte se, apostull Luka, si përcjellës i Shën Palit ka të ngjarë se mori pjesë në ungjillizimin e Dalmacisë, Maqedonisë dhe Italisë. Tradita për veprimtarinë e Shën Palit në Dalmaci është ruajtur deri në ditët e sotme. Këtej, Johannes Lucius, historian më i madh i humanzmit kroat (shek. XVII), njoftonte se Shën Pali duke kaluar nëpër Dalmaci është ndalur te qyteti Burnum, në afërsi të lumit Ticijus (Kërka e sotme). Kjo provohet edhe nga kultura materiale, meqë aty pari janë zbuluar edhe katakombët e krishtera të kohës apostolike. Për veprimtarinë e Shën Palit në Dalmaci na njofton një shekull pas Luciusit Alberto Fortis në udhëpërshkrimin e tij, si dhe humanisti tjetër i njohur dalmatin, Ignatio Georgio në veprën “D. Paulus Apostolus in mari, quod nunc Venetus sinus dicitur […]” Venetiis MCCXXX.

 

Bazilika e Shën Palit në Romë

Është e njohur nga burimet historike të kohës se, Neroni gjatë viteve 54-68, pas zjarrit që e kishte përfshirë Romën, për të gjetur pretekstin për t’i ndjekur, persekutuar e burgosur, fajin këtë ua hodhi të krishterëve. Nga këto ndjekje pësuan Shën Pali dhe Shën Pjetri. Ndërkaq, në kohën e  Domician-it (81-96) nuk u kursye as nipi i perandorit, i cili e kishte përqafuar krishterimin, as  Shën Gjoni, të cilin e internuan në ishullin Patmos. Atëbotë, të krishterët janë varrosur në cemetariume nën qiell të hapur. Ndërkaq, Shën Pali është  varrosur në nekropolën në Via Ostiense, aty ku ia kishin prerë kokën. Shën Pali pati një fund më të denjë se Shën Pjetri, sepse ishte qytetar romak. Për këtë arsye, ia shkurtuan kokën jashtë mureve të Romës, që qyteti të mos përlyhej me gjakun e qytetarit i cili, për ekzekutuesit, ishte i pabesë. Prej këndej bazilika e ngritur aty quhet, e Shën Palit jashtë Mureve. Vendvarrosja e Apostullit është saktësuar nga gërmimet arkeologjike, te cilat kanë nxjerrë në dritë qelëzen e mbrojtur nga një rrjetë hekuri, që ruante reliket e Apostullit. Bazilika e parë mbi këtë varr u ngrit pas Ediktit të Milanos (313) nga Perandori romak me origjinë dardane, Konstandini, për të marrë një formë ca më të gjerë  nga perandori Theodos, dhe për të përfunduar në kohën e perandorit Onorio e të Papës Leoni I (440-46). Më vonë Bazilika u rindërtua dhe u dekorua nga perandoresha romake, Plaçidia. Pësoi dëmtime të rënda nga një zjarr i furishëm në vitin 1823, pas të cilit u rindërtua mbi themelet e vjetra, sipas modelit të Bazilikës së lashtë.
Kiostri me 150 shtylla dhe shtatorja madhështore e Shën Palit të japin menjëherë përshtypjen e një bazilike tipike romake. Fasada, e stolisur me mozaikë, vetëtin nga ari, nga ngjyrat, nga drita.  Në pjesën e fundit të fasadës, ndërmjet të tjerave, ndodhet porta e bronzit, vepër e Marainit. Bazilika, me pesë navata, ka përmasa shumë të mëdha, që të bëjnë përshtypje të jashtëzakonshme e të menjëhershme. Përshtypja thellohet kur shikon radhën e pafund të shtyllave dhe dritën mistike, që zbret nga dy sërë dritaresh prej alabastri. Lart, në tavanin në stilin e Rilindjes, shkrihen e bardha me ngjyrën e arit; poshtë, dyshemeja shkëlqen me mijëra reflekse. Ndërmjet dritareve dhe shtyllave zgjatet një numër i madh medalionësh në mozaik, që paraqesin portretet e papëve të ulur njëri pas tjetrit në Selinë e Shën Pjetrit. Mozaiku i harkut triumfal është vepër e shkëlqyeshme e shekullit V, punuar sipas urdhërit të perandoreshës Gala Plaçidia. Baldakini i stilit gotik, që ngrihet mbi katër shtylla porfidi, në harmoni të plotë me linjat tjera, është vepër e Arnolfo di Kambio (shek. XIII). Nën elterin papnor, që njihet si “Varri i Apostullit” ndodhet sarkofagu prej mermeri, që përmban reliket e Apostullit të Popujve. Në të djathtë të baldakinit mund të shihet kandelabri i famshëm i Pashkëve, i gdhendur në mermer aty nga shekulli XII. Në “Kapelën e Sakramentit”, që ka shpëtuar nga flakët, ndodhet “I Kryqëzuari”. Mbi absid shtrihet, në përmasa të mëdha, mozaiku me sfond prej ari. Është për të vënë re se, nga përshkrimi i sipërm del se, Bazilika e Shën Palit për shkaqe të monumentalitetit së saj, është shmangur paksa nga shabllonet arkitektonike paleokristiane të kohës konstandiniane, ku në strukturën qendrore arkitektonike paraqiteshin ca apostuj të mëdhenj e të vegjël, të cilët ishin ngritur mbi 12 harqe të vendosura mbi 70 shtylla.

Thënë shkurt, nga njoftimet e sipërme fragmentare, mësohet se Shën Pali, duke vizituar Ilirikun, Epirin dhe Maqedoninë, ka kaluar si misionar i parë i krishterimit në këto treva. Kjo ripohohet edhe nga njoftimet e shkrimtarit më të njohur të krishterimit të hershëm, Shën Hieronimit, një ilir i Dalmacisë i shek. IV. Në një letër të tij, ai shkruante se mësimin e Krishtit në Ilirik e përhapi Shën Pali. Gjithashtu ai theksonte se Shën Pali për Ilirik është si Shën Toma për Indinë, Shën Pjetri për Romën, Shën Titi për Kretën dhe Shën Andreu për Akajë („In omnibus locis versabatur (Jesus) cum Thoma in India, cum Petro Romae, cum Paulo in Illyrico, cum Tito in Creta, cum Andrea in Achaia“).

 

Kulti i Shën Palit në arealin iliro-arbëror

Kulti i Shën Palit si misionar i krishterimit të hershëm në troje iliro-arbërore është ruajtur edhe gjatë gjithë Mesjetës. Këtej, emrin e tij e ruajnë shumë monumente të kultit të krishterë në gjithë arealin iliro-arbëror. Vlen të përmendet këtu edhe Skënderbeu i Marin Barlecit, i cili duke folur për Zadrimën shkruante se aty ndodheshin disa gjurmë që tregonin në mënyrë të mjaftueshme se Shën Pali ka predikuar mësimin e Krishtit.

Krishterimi i hershëm dhe kulti i Shën Palit në arealin iliro-arbëror gjatë gjithë antikitetit të vonë dhe mesjetës mund të përcillet edhe përmes burimeve arkeologjike. Studiuesit tonë, gjerë me sot objektivat e tyre i kanë drejtuar më tepër në kërkime historike. Aspektet arkeologjike për këtë çështje, ndërkaq pothuaj kanë mbetur fushë e paprekur. Tani, përveç disa çështjeve më rëndësi, para studiuesve, si çështje prioritare do të dalin edhe kërkimet paleokristiane të trevave të Dardanisë së antikitetit dhe të mesjetës së hershme. Kërkimet e mirëfillta në këtë aspekt do të mundësojnë zgjidhjen e shumë çështjeve historike-arkeologjike, të cilat për shkaqe të politikës së ditës instrumentalizohën edhe sot e gjithë ditën. Zbulimet e realizuara  janë bartur kryesisht në institucione shkencore e kulturore të ish-Jugosllavisë. Shkollat arkeologjike të ish-Jugosllavisë të ndihmuar edhe nga ndonjë arkeologë yni (për nevoja të arritjeve të titujve shkencor, madje edhe për çështje biznesi), ka bërë kërkime në Çeçan të Vushtrisë. Krahas këtyre kërkimeve që u përmendën më sipër për qëllime të politikës së ditës, gjetjet arkeologjike të rastit nga studiues të huaj dhe studiues vendor provojnë se, gjurmët materiale të kulturës paleokristiane në trevat e Kosovës i ndeshim nga shek. II, dhe që këtej duke u ngjitur në shek. III-XI janë zbuluar njoftime interesante në  Novobërdë, Bardh të Madh, Bajicë, Buçan, Dërsnik, Harilaq, Graçanicë, Jahocë, Lipjan, Kabash, Korishë, Pejë, Prizren, Raçë, Studenicë të Vrellës, Veletin, Surçin, Nerodime, Greme të Ferizajit, Syroganë, Shtime, etj.

Në anë tjetër rezultatet e deritanishme burimore-historike ofrojnë një bazë solide edhe për kërkime të suksesshme të mëtejme arkeologjike. Që këtej, njoftimet historike provojnë se me zyrtarizimin e krishterimit, sipas Ediktit të Milanos më 313, kur organizimi kishtarë u legalizua edhe në trevën e Dardanisë, ky religjion mori frymën e zhvillimit institucional. Në këtë aspekt, përmes statusit të veçantë administrativë e juridik, Dardania kishte edhe qëndron e Ipeshkvisë ose Metropolinë të sanksionuar me Koncilin e Nikesë më 325. Kisha e Dardanisë do të jetë më vonë element i fortë krishtërizues i ardhësve sllavë në Gadishullin Ballkanik.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »