Si i shoh ata që ma bëjnë ndonjë shërbim të përvuajtur?

Jul 1 • Meditimi i ditës

1 korrik 2017 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 18,1-15; Ps: Lk 1,46-50.53-55; Mt 8,5-17)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

Liria

Zot, bëj që kurrë mos ta marrë dhuratën e lirisë
si diçka të vetëkuptueshme.

Ti ma ke dhënë bekimin e madh të lirisë së shpirtit.

Mbushe shpirtin tim me paqen Tënde dhe
Gëzimin Tënd.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë Tënde.

Më mëso ta njoh praninë Tënde në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet kujdesit të njerëzve të tjerë e ke treguar dashurinë Tënde për mua.

 

Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 8, 5-17

 

5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:

6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

7 Jezusi i tha:

“Do të vij dhe do ta shëroj.”

8 Por centurioni iu përgjigj:

“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”

10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:

“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit, 12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.”

13 Atëherë i tha centurionit: “Shko e le të bëhet ashtu siç besove!”

Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.

14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit të shtrirë me ethe. 15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua dhe i shërbeu.

16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë:

“Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Duke qenë në një pozitë të pushtetit dhe ndikimit disa njerëz marrin rrugë të gabuar: fillojnë të mendojnë se kanë të drejta mbi të gjithë njerëzit. Centurioni e kishte kuptuar se ai ishte pjesë e një rrjeti, një person ndër njerëz të tjerë – në marrëdhënie.
  • E pyes veten si i shoh unë ata që më bëjnë ndonjë shërbim të përvuajtur. A e respektoj dhe përparoj dinjitetin e njerëzve nën varësinë e të cilëve ndodhem?

 

Bashkëbisedimi

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia me njerëz të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »