Diplomohet gjenerata e parë e katekistëve laikë të Shkollës Katekistike në Kosovë

Jul 1 • Kisha në Kosovë

Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, më 27 qershor 2017 ka promovuar gjeneratën e parë prej 26  katekistëve të Shkollës Katekistike Dioqezane në Prishtinë, që kanë frekuentuar ligjëratat në trevjeçarin 2014-2017. Një ngjarje e re dhe e shënuar pastorale për Kishën në Kosovë, pasi për herë të parë në historinë e saj do të ketë katekistë laikë, të cilët do të bashkëngjiten në veprimtarinë baritore të famullive tonë.

 

Të martën e 27 qershorit 2017,  në meshën e shenjtë në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, të cilën e ka udhëhequr Imzot Dodë Gjergji, me profesorët e Shkollës Katekistike, janë diplomuar 26 katekistë, të moshave të ndryshme e Famullive të ndryshme të Kosovës, të cilët pas tri viteve ligjërata, përgatitje dhe praktikë, i kanë shënuar emrat e tyre në historinë e katekistëve laikë të Kishës Katolike në Kosovë. Në mesin e katekistëve të diplomuar janë edhe  2 katekistë shqiptar nga Shkupi.

Dorëzimi i diplomave nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i rrethuar nga drejtori i shkollës dhe profesorët, ishte një gjest sa emocionues aq edhe i veçantë që shoqërohej me duartrokitje të të pranishmëve në Katedrale.

Iniciatori dhe themeluesi i kësaj Shkolle Katekistike të parë në Kosovë, Ipeshkvi Dodë Gjergji,  gjatë homelisë së meshës tha se diplomimi i katekistëve është festë e mbarë kishës sonë. Sot, vazhdoi ipeshkvi, ju po promovohuni katekistë në Kishën tonë, një detyrë e rëndësishme në veprimtarin baritore të Kishës, e cila ka si mision mësimin dhe shpalljen e Ungjillit. Pas tri viteve përgatitje që keni bërë me ndihmën e profesorëve, tani jeni të gatshëm të jeni mësues të ungjillit. 

Sot është një ditë e veçantë, sepse do të diplomojnë 26 katekistë, të rinjë e të reja, burra dhe gra, që janë përgatitur gjatë këtyre tri viteve, që të marrin një mision të ri brenda Kishës sonë në Kosovë. Misioni i tyre është që të bashkëngjiten shërbimit të ungjillit e të bëhen punëtorë të vyer në arën e Zotit, duke iu bashkëngjitur Kishës në misionin e saj që e ka; të shpall e të ndërtojë Mbretërinë e Zotit në tokë, veprën e Jezusit, që ai është Zoti, Shpëtimtari i botës. Kjo është detyrë e çdo të pagëzuari, prandaj si të pagëzuar kemi mision, porse për të ushtruar këtë vepër në Kishë është dashur një përgatitje që të përforcoheni në doktrinë, për t’u thelluar në kuptimin e Shkrimit të shenjtë, për ta njohur më mirë dhe më thellë jetën e Kishës.”

Pas një vështirmi mbi leximet e ditës dhe lidhjen e tyre me kishën tonë që nga fillimi, Imzot Dodë Gjergji, porositi të jemi vazhdues të asaj tradite apostolike dhe kishtare ndër ne edhe në ditë të sotme, për ta ruajtur të vërtetën e fesë dhe për t’i shpallur botës mësimin e kishës.

Ashtu si në kohën e shenjtit të sotëm, Shën Çirilit të Aleksandrisë, edhe sot jetojmë në kohë të përplasjeve, debateve e luhatjeve të mendjeve e zemrave, të të shumë të krishterëve, që duhet t’iu japim përgjigje për të vërtetën, të cilët janë të etur dhe kërkojnë një mendim nga të krishterët në këtë vend; nga Kisha, nga prifti, motra, besimtari. Prandaj, ne kemi vendosur t’i përgatitim bile disa, të rinj, burra dhe gra, të cilët do të studiojnë doktrinën, misterin e fesë, e të cilët do të dinë të japin përgjigje njerëzve të kësaj kohe; e këtë do ta bëjnë bashkë me Kishën. Kështu do të jemi zë i së vërtetës në vendin ku jetojmë, të ndihmojmë mendjet dhe zemrat e atyre që janë të etur  për ta përqafuar të vërtetën dhe dashurinë. Ne nuk mund ta shpallim tjerëve një fe që nuk e njohim; ne nuk mund të shpjegojmë tjerëve një Bibël që nuk e kemi kuptuar vet; ne nuk mund të ju shpjegojmë tjerëve një Kishë që vet nuk e jetojmë apo një fe që nuk e praktikojmë. Për këtë punë është dashur që të përgatitemi. Prandaj, dua me i falënderua famullitarët që nga kanë mbështetë në këtë iniciativë, i kanë mbështetë këta katekistë që të vijnë nga famullitë e tyre në Prishtinë. I inkurajoi ata (famullitarët) që këta katekistë i vejnë në shërbim të kishës, të nevojave të besimtarëve dhe në shërbim të shpalljes së ungjillit.”

Në mbarim të homelisë, ipeshkvi, ju drejtuar katekistëve të diplomuar duke i përgëzuar për angazhimin  dhe për misionin e tyre që do ta kryejnë në pastoralin e kishës sonë:

Ju falënderoj juve katekistë, që jeni angazhuar që të fitoni këtë dije e të afroheni më afër Kishës, për të marrë edhe një mision të ri në jetën tuaj. Ju uroj që të jeni të suksesshëm. Ju nuk keni me qenë ma të mirë se dje, nuk keni me qenë ma të shenjtë se keni qenë dje, para se të filloni shkollën, por keni me qenë më të zellshëm, keni me ditë më shumë, se çfarë do me thanë me shenjtëria, jeta e shenjtë, e do të dini më shumë se cila është dobia e të qenit i mirë. Krejt Kisha ka me u lutë për ju e unë si bari i kësaj kishe ju mbështes me gjithë zemër e ju përgëzoj duke ju uruar punë të mbarë në vreshtin e Zotit.”

Cilët janë katekistët e rinj dhe nga cilat famulli vijnë:           

Prishtina: Anita Berisha, Filloreta Lleshdedaj, Klodina Gashi
Shkupi: Gjergj Albani dhe Arbresha Albani
Llapushniku: Alban Sopi dhe Kristina Sopi
Klina: Vlora Prenaj
Zllakuqani: Erodita Nrecaj
Peja: Karolina Zimaj dhe Manuell Krasniqi
Gllaviçica: Franë Berisha
Gjakova: Lizabetë Nushi, Monika Gjoklaj, Albana Perdedaj
Doblibare: Zojë Karaçi
Velezha: Arta Gegaj dhe Mari Memaj
Ferizaji: Geta Ukaj
Letnica: Suzana Ukiq dhe Kosovare Gjoni
Stublla: Anton Gjergji dhe Leonita Tomaj

Në mesin e katekistëve janë edhe 3 murgesha të këtyre bashkësive rregulltare që veprojnë në Kosovë:

Motrat Engjëllore të Shën Palit: m. Amanda Shkoza
Motrat e Shën Kryqit: m. Gjoana Bisaku
Motrat Vinçenciane: m. Kristina Pali

Në Shkollën Katekistike kanë ligjëruar 9 profesorë, prej tyre 8 meshtarë (5 dioqezanë e 3 rregulltarë/ 2 salezianë dhe 1 jezuitë/) dhe 1 laikë, nën udhëheqjen e drejtorit të Shkollës Mons. Dr. Lush Gjergji, i cili është emëruar nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv.

Ligjëratat janë zhvilluar në objektin e Rezidencës së Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë, çdo të dytën të shtunë të muajit, ose dy herë në muaj, gjatë tërë ditës.

 

Objektivi dhe qëllimi i Shkollës Katekistike Dioqezane në Prishtinë

Duke e parë të nevojshme formimin dhe aftësimit e besimtarëve të Dioqezit tonë për të bashkëpunuar më ngushtë dhe më frytshëm me meshtarët dhe bashkësitë tona famullitare dhe duke ju përgjigjur kërkesave të kohës dhe gjendjes aktuale në shoqërinë tonë, Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji ka themeluar Shkollën Katekistike Dioqezane në shtator të vitit 2014, për besimtarët laikë me kohëzgjatje tre vjeçare.

Shkolla Katekistike Dioqezane në Prishtinë është themeluar me qëllim aftësimin dhe formimin e katekistëve/eve, për veprimtarë baritorë, për animatorë të liturgjisë, për bashkëpunëtorë të Caritasit, për udhëheqës të koreve kishtare, porse edhe për thellimin dhe vetëdijesimin në fenë e krishterë të të gjithë popullit të Zotit.

Shkolla Katekistike Dioqezane ofron mundësi të mirë për rininë e famullive të Dioqezit, mbi moshën 18 vjeçare, ata që kanë kryer një shkollim të nivelit mesatar, që përmes programit të caktuar formues, të marrin një formim dhe edukim për jetën autentike të krishterë dhe të bëhen shpallës dhe dëshmitarë të Ungjillit në shoqërinë ku jetojnë.

Katekeza është veprimi i parë edukues i mbarë Kishës, duke u nisur prej ipeshkvit, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, laikëve, në shpalljen dhe dëshmimin e Ungjillit, për krijimin dhe formimin e të krishterëve të vetëdijshëm, të pjekur, të aftë për të jetuar me Zotin dhe me Kishën në rrethana tona të veçanta.

Baza e formimit në fe është Jezu Krishti, Fjala e mishëruar, Bibla, të vërtetat themelore të fesë dhe të moralit të krishterë, tradita dhe dokumentet kishtare, veçmas dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, enciklikat dhe qarkoret e Papëve, veprimtaria e Kishës Katolike në botë dhe ndër ne.

Oferta Formative e Shkollës Katekistike Dioqezane me ofertën e saj formative tre vjeçare, duke i përfshirë lëndët kryesore teologjik dhe baritore, përkatësisht Bibla, Dogmatika, Liturgjia, Morali, Katekeza, Didaktika religjioze, mundëson përgatitje teologjike-baritore adekuate dhe të kompletuar për formimin dhe edukimin e katekistëve për kohën e sotme./drita.info

Fotografitë: Besim Ndau

Infomacion:

Për të gjithë ata që janë të interesuar të dinë më tepër për Shkollën Katekistike apo janë të interesuar për të qenë pjesë e saj, le të lajmërohen tek Rezidenca e Ipeshkvisë në Prishtinë, ku gjendet selia e Shkollës dhe përfaqësuesit e saj do të japim informacione ma të detajuar mbi funksionimin e saj, ofertën formative dhe kushtet e regjistrimit. 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »