Xhelozia  – pasojë e mungesës së vetëvlerësimit

Jul 1 • Opinion

Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Xhelozia është një reagim emocional që lind nga ndjenja e dyshimit, refuzimit, armiqësisë, zemërimit, frikës së humbjes së tjetrit, ndjenja e braktisjes e poshtërimit, dhimbjes dhe  frustacionit. E gjithë kjo me një përmbledhje është pasojë e mungesës së vetëvlerësimit dhe edukimit të  gabuar të vlerave.

Siç dihet, xhelozia është një ndjenë mjaftë e përhapur në marrëdhëniet ndërpersonale, që  do të thotë  të  gjithë mund të përfshihemi apo të përfshihemi nga kjo, të gjithë brenda vetës kemi një masë xhelozie. E këtë masë kërkohet ta njohim  secili nga ne dhe të mundohemi që ta bëjmë sa më të vogël, që të mos bëhet pengesë për vetën dhe tjetrin.

Zigmund Frojdi thotë: “Ata që mendojnë se janë krejtësisht të paprekshëm nga xhelozia ka të ngjarë që gënjejnë vetën ose thjeshtë i ndrydhin ndjenjat e tyre duke i përjashtuar nga jeta e tyre e vetëdijshme.”

Kështu që, nëse dëgjohet nga njerëzit një pohim i tillë: Unë nuk jam xheloz/e!!! Ky pohim na bëjnë të kuptojmë se njerëzit që kemi përballë janë duke i ndrydhur ndjenjat e tyre e gjithashtu kemi të bëjmë me njerëz që kanë vështirësi ta njohin dhe ta pranojnë vetën. Që do të thotë se tentojnë ta gënjejnë, mashtrojnë vetën e tjetrin, që në realitet nuk është e mundur. Sepse ky emocion përfshin të gjithë si fëmijët poashtu  edhe të rritur nuk bënë përjashtime.

Mirëpo, kur flasim për xhelozin nuk kemi të bëjmë vetëm me xhelozinë e marrëdhënieve të ndërsjella të dashurisë, marrëdhënieve në çift, siç jemi mësuar të dëgjojmë dhe lexojmë. Por kemi të bëjmë me një ndjenjë xhelozie që është e pranishme edhe në marrëdhëniet familjare, në marrëdhëniet shoqërore dhe gjithashtu në marrëdhëniet e punes mes kolegëve.

 

Format që merr xhelozia

Xhelozia  është e aftë  të marrë shumë forma: punon mbas shpine, kapet mbas vogëlsirave të njerëzve, ka ndjenjën e frikës se mos është e harruar, mbështjellët me ndenjen e mosvlerësimit, vetë-shkatërrimit, me kokëfortësi të jashtëzakonshme, shfaqë dëshirën për të ju prishur kënaqësinë të tjerëve, shpreh kundërshtime të pakuptimta për çdo shkak, tenton në kufizimin e lirisë së tjetrit, tenton të ja caktoj tjetrit se çfarë duhet të bëjë, çfarë duhet të shohë, si të veprojë, e po ashtu tenton që ta bind tjetrin se çfarë duhet të mendojë dhe si të mendojë, e ushqen vetveten me mendime negative.

Xhelozia përdor formën e poshtërimit përball tjetrit. Ka synim që ta torturojë tjetrin. Merr formën e shprehur drejt pushtetit, formën e ambicies së tepruar, guximit të tepruar, dhe shmangies së realitetit. Harxhon kohë në vlerësimin dhe suksesin e tjerëve e nuk ndalët për të parë mundësit që ka dhe sukseset që ka arritur. Po ashtu mendon dhe e shpreh se të tjerët me të sillen në mënyrë të padrejtë. Të tjerët e xhelozojnë, kurse në realitet mund të jetë shumë ndryshe.

Me keqardhje, por xhelozia siç e pamë ka shumë fytyra të maskuara. Përdorë maskat sipas situatave. E çon njeriun deri në atë pikë që të ndjehet i pavlerë, të humbas ndjenjën e dinjiteti, e pengon në veprimtari, e bënë të tërbuar, dhe pa vullnet për të vepruar. Ajo e bënë që të ndjej kënaqësi duke u shkaktuar dhimbje të tjerëve. Pra bëhet pengesë si për vetë personin ashtu edhe për tjetrin.

Por  mos të harrojmë se ne dhe vetëm ne jemi përgjegjës për xhelozin tonë, jemi ne ata\ato që mund ta edukojmë vetën tonë përballë këtij emocioni, nuk janë të tjerët edhe pse ne shpesh dimë t’i fajësojmë të tjerët, ta drejtojmë gishtin tek të tjerët, e gjithashtu të kërkojmë llogari nga të tjerët.  Mirëpo në realitet përgjegjësi bie mbi ne.

 

Pasojat që sjellë xhelozia

Reagimet emocionale gjatë xhelozisë janë tepër negative sjellin shumë pasoja në marrëdhënie me vetën dhe tjetrin. Është ajo që e shtynë njeriun drejtë urrejtjes, inatit, zemërimit. Është ajo që nxitë konkurrencë në familje mes vëllezërve, në shoqëri dhe në punë mes kolegëve.

Gjithashtu për pasojat që sjellë xhelozia mund t’i gjejmë edhe në disa pjesë në Shkrimin e Shenjtë, si: Vëllavrasja – se si Kaini vret vëllain e tij Abelin (khs. Zan 4,3-11). Edhe sot ndodh e njëjta gjë. Shpesh herë dëgjohet  se vëllai  vret  vëllain, për tokë, për gjërat materiale për gjërat që në thellësi nuk kanë aq vlerë sa ka jeta. Nuk mendojmë se një ditë të gjitha do t’i lëmë këtu në tokë, asgjë askush nuk do marr me vete. E ajo që do marrim me vete janë vetëm ato gjëra që i kemi bërë me dashuri dhe prej dashurisë.

Po ashtu  një pjesë  tjetër e Shkrimit të Shenjtë, që fletë për pasojat e xhelozisë është Historia e Jozefit me vëllezërit e tij, që për xhelozi donin ta vrisnin Jozefin vëllain e tyre e më vonë e shitën. (khs. Zan 37, 1-36). Kështu që xhelozia është e lidhur ngushtë me zilinë, zemërimin, lakminë dhe hakmarrjen. Është ajo që e largon njeriun nga dashuria. Është ajo që ja mbyllë sytë njeriut. Edhe pse shpeshherë e kemi dëgjuar dhe dëgjojmë se dashuria është e verbër, kurse Lawrence  Durell thotë : “Dashuria nuk është verbër por xhelozia është e verbër.” Pra është ajo që ja mbyllë sytë njeriut dhe nuk e lejon ta shoh të mirën, të bukurën brenda vetës dhe  tek tjetrit.

Mjerisht është një ndjenë që ka fuqi ta mposhtë e ta shkatërrojë edhe marrëdhënien më të qëndrueshme si dhe njeriun më të arsyeshëm. Sepse të pakët janë ata\ato që janë të përgatitur për ta përballuar. Por ajo që kërkohet të kemi parasysh është mos të lejojmë të biem prè e xhelozisë. Të dimë ta menaxhojmë që në fazën e parë e mos ta lejojmë të zë vend brenda nesh. E kështu të  mos na pengojë në arritjen e pjekurisë psikologjike.

 

Shërimi nga xhelozia

Filozofi dhe psikoanalisti Theodore Reich ka thënë: “Xhelozia është një shenjë e diçkaje që nuk funksionon, pa qenë medoemos e prishur në organizmin e dashurisë”

Të kuptuarit se diçka nuk funksionon, mund të thuhet se është hapi i parë drejtë shërimit të xhelozisë. Por nuk mjafton vetëm të dish që diçka nuk funksionon, por  kërkohet që të kuptohet e të pranohet se diçka nuk funksionon. E pastaj të fillohet të bëhet diçka rreth sajë.

Mirëpo Rollo May thotë: “Përballë xhelozisë para së gjithash është e nevojshme ta drejtojmë vëmendjen nga vetvetja dhe të ja bëjmë pyetjen: pse vallë respekti për vetën time është kaq i ulët? Sigurisht kjo është një pyetje së cilës është e vështirë t’i përgjigjej. Por të paktën ajo derdhë shqetësimet e veta drejtë një zone mbi të cilën është e mundur të veprosh drejtpërdrejtë.”

 Xhelozia zbehet, zbutet, vetëm kur rifitojmë kuptimin e vlerës sonë dhe të respektit për vetën tonë, kur dimë dhe fillojmë ta vlerësojmë vetën për atë që jemi dhe për atë që bëjmë. Kur ndalojmë duke bërë  krahasimin e vetës me të tjerët. Kur kalohet kohë me vetën, kur fokusohemi tek vlerat dhe tek pikat pozitive që kemi. Kur dimë ta vlerësojmë të bukurën te mirën dhe tjetrin si dhuratë dhe si pasuri.

Të menduarit pozitiv ndihmon shumë në edukimin dhe menaxhimin e xhelozisë. Mos të ngurrojmë por të fillojmë e të mendojmë pozitivisht që tani dhe tha vlerësojmë vetën tonë për atë që jemi.

 

Referenca

Adler Alfred, Poznavenje Čoveka, (1984), Novi Sad.

Orhani Zenel, Psikologjia emocioneve, (2003),  Tiranë.

.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »