Jezuiti Imzot Ladaria emnohet prefekt  i Kongregatës për Doktrinën e Fesë

Jul 2 • Kisha në botë

Papa Françesku ka emnue jezuitin spanjoll Imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, 73 vjeç, prefekt të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, i cili ka pasuar Kardinalin gjerman Gerhard Ludwig Müller, që ka kryesuar këtë dikaster të rëndësishëm të Selisë së Shenjtë në pesë vjetet e fundit.

Në notën e lëshuar nga Salla e Shtypi të Vatikanit, të dt. 1 korrik 2017, me titull “Përfundimi i mandatit pesëvjeçar të Prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe emnimi i pasardhësit” thuhet “Ati i Shenjtë Françesku falënderon shumë të nderueshmin Zotëri Kardinalin Gerhard Ludwig Müller në përfundim të mandatit të tij pesëvjeçar si Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe President i Komisionit Papnor “Ecclesia Dei”, i Komisionit Biblik dhe i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, dhe thirr, për kryerjen e detyrave të njëjta Shkëlqesinë e Tij Imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, S.I., kryeipeshkëv titullar i Tibikës, deri tani Sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.”

Kush është Prefekti i ri i Kongregatës për Doktrinën e Fesë?

Imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, 73 vjeç, nga Manacori i Spanjës, u diplomua më 1966 në drejtësi, në Universitetin e Madridit e, njëkohësisht, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Kreu edhe studimet e Filozofisë dhe të Teologjisë në Universitetin Papnor Comillas të Madridit dhe pranë Philosophisch-theologische Hochschule Sankt Georgen (në Frankfurt).  Shugurohet meshtar më 1973 dhe merr titullin Doktor në teologji, pranë Universitetit Papnor Gregorian, duke u bërë, më pas, pedagog i teologjisë dogmatike pranë Universitetit Papnor Comillas, e, në vijim, profesor titullar i katedrës së Teologjisë dogmatike, në Universitetin Papnor Gregorian, ku kreu edhe detyrën e zëvendës-rektorit. Nga vitet 1992 deri më 1997, ishte anëtar i Komisionit teologjik ndërkombëtar e, nga viti 2014, sekretar i përgjithshëm. Në vitin 1995 Gjon Pali II e emëroi këshilltar të Kongregatës për Doktrinën e Fesë e, më 2008, Benedikti XVI, sekretar të së njëjtës Kongregatë. Më 2 gusht të vitit të kaluar, Papa Françesku e emëroi kryetar të Komisionit të studimit për Diakonatin e grave./drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »