“Mosbesimi” si sinqeritet

Jul 3 • Meditimi i ditës

3 korrik 2017 – E hënë, Shën Toma Apostull, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 2,19-22; Ps 117,1-2; Gjn 20,24-29)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e plotë, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Gjn 20, 24-29

 

24 Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit e tjerë:
“E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigj:
“Pa e parë në duart e tij vritiën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
26 Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Pastaj i tha Tomës:
“Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
28 Toma iu përgjigj:
“Zotëria im dhe Hyji im!”
29 Jezusi i tha:
“Pse po më sheh, po beson.
Lum ata që nuk panë e besojnë!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësin Tomë e quajmë “i pabesi” apo “mosbesuesi” dhe lehtë harrojmë se ai ishte edhe i sinqertë, sepse e pranoi mosgatishmërinë e tij për të besuar. Për shkak se ishte i sinqertë Jezusi i është drejtuar, kurse ai i është përgjigjur me ndershmëri dhe përvujtëri.
  • Do ta përdor këtë moment lutjeje për të bashkëbiseduar me Jezusin, jo “tepër devotshëm” apo duke përdoru fjalë të të tjerëve, por nga zemra. Besoj, o Zot, por më ndihmo ti të besoj!

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »