Zoti vepron gjithmonë për të mirën tonë

Jul 4 • Meditimi i ditës

4 korrik 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 19,15-29; Ps 26,2-3.9-12; Mt 8,23-27)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.
Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.
Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

Ftoje Shpirtin Shenjt që të të ndihmojë të shikosh ditën siç e shikon fëmija i porsalindur Jezusi. Çfarë gëzimi ke gjetur sot? Ku e ke ndier dashurinë e Zotit?

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 8, 23-27

 

23 Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.
25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:
“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”
26 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A thua Jezusit s`i intereson se ç`po ndodh? A është Zoti indiferent, nuk përkujdeset? Ndoshta do të mund ta identifikonim vetveten te çështja e ngritur nga ana e dishepujv Kur e përjetojmë dhimbjen, vuajtjen apo ndonjë shqetësim, na duket e çuditshme që Hyji lejon që kjo të vazhdojë të ndodhë. Është e vështirë në kohë të tilla ta pranojmë dëshirën e Jezusit për paqe, kur jemi aq të preokupuar me atë që është para nesh.
  • Jezusi shikon gjithmonë përpara dhe të njëjtën gjë e kërkon edhe prej nesh. Momentin e tanishëm vendose në duart e Zotit, duke besuar se Hyji do të veprojë në të gjitha gjërat për të mirën tonë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »