15 vjetori i Revistës arbërore “Jeta Arbëreshe” – Pasqyrë përkushtimi dhe dashurie!

Jul 5 • Kulturë

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Pesëmbëdhjetë vjet, për histori janë pak, për njeri janë shumë, sidomos atëherë ku jetojmë me batica dhe zbatica, sfida dhe rrezikime, ndryshime dhe risi, kur rrethanat e jetës dhe të veprimtarisë janë të paqarta, shpesh edhe të rrezikshme dhe të panjohura. Kjo ndodhi ndër ne shqiptarët kudo në botë, me ndryshime të mëdha, të rëndësishme, për shumëçka edhe vendimtare.

Një njeri, emri i të cilit njihet, çmohet dhe nderohet ndër Arbëreshë, por edhe më gjerë, është Agostino Giordano, shkrimtar, publicist, gazetar, njeri i kulturës së zemrës dhe të shpirtit, nipi i të përdashurit, të madhit dhe të paharrueshmit Atë Emanuele Giordano, meshtar, studiues, hulumtues, gjurmues, përkthyes, “Zemër dhe Shpirt” për “gjakun tonë të shprishur” kudo në botë.

PASQYRË – për të parë, shënuar, përkujtuar ngjarje e rëndësishme kombëtare, kulturore, shpirtërore, kishtare ndër ne. “Jeta Arbëreshe” u bë dhe është “Jeta Shqiptare”, sepse i dha vend të merituar, hapësirë të duhur, spikamë të rëndësishme Arbëreshëve, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, diasporës tonë euro-amerikane, me shënime, botime, vrojtime, këndvështrimi të “syrit të Shqiponjës”, me Zemër të Shën Nënës Tereze, me mikpritje dhe bujari tradicionale shqiptare.

Faqet e “Jetës Arbëreshe” gjatë këtyre viteve u bënë histori gjithëshqipatëre, urëlidhëse, komunikuese, afruese, dhuruese dhe frymëzuese për të gjithë ne.

PËRKUSHTIM – gjithë kjo punë dhe veprimtari botuese ishte e mundshme, sepse Agostino Giordano ka një mendje të ngritur, një zemër të hapur, një kulturë të thellë dhe të gjerë, një vizion të qartë dhe largpamës për dy çështje madhore arbëreshe, si trung i lashtë dhe gjithnjë i ri dhe i gjallë ndër ne, me dy veçori: besnikë  historisë, gjuhës, traditës, kulturës dhe qytetërimit ilir-arbëror-shqiptar, dhe si të krishterë katolikë, pra në bashkim të plotë shpirtëror me Papën, Selinë Apostolike të Romës, por edhe si vazhdues dhe kultivues të ritit lindor, bizantin.

Nga këtë dy këndvështrime Arbëreshët janë për kah natyra ekumenikë, të hapur dhe besnikë, urëlidhës mes Perëndimit dhe Lindjes, Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse ndër ne dhe në botë.

Ata vazhdojnë shpirtin dhe frymën e Imzot Fan Stilian Nolit, Patrikut Ekumenik shqiptar Atenagora I, Imzot Eleuterio Fortinos, gjë kjo e nevojshme dhe e domosdoshme sot më shumë se kurrë më parë.

Në këtë “Pasqyrë” historike dhe aktuale mund ta gjejmë Vetveten dhe të Vërtetën, të jemi të bashkuar dhe të vëllazëruar si Shqiptarë – të krishterë, për bisedim, dialog dhe komunikim me vëllezërit tanë shqiptarë që për rrethana historike janë islamizuar.

Prandaj vëllazëria jonë është e dyfishtë, kombëtare, si Shqiptarë, dhe fetare, si të krishterë katolikë dhe ortodoksë, dhe si besimtarë monoteistë, me vëllezër myslimanë.

Nga këto rrënjë të lashta dhe filiza të njoma dhe të reja, jemi ne sot, të shkapërderdhur në botë, por të bashkuar me vetëdije, përcaktim dhe orientim të hapur për një të tashme dhe të ardhme sa më të mirë për ne dhe për të tjerët.

DASHURIA – e begatuar  nga e Vërteta, duhet të na frymëzojë për këtë rol, detyrë, do të thoja mision, por edhe mundësi historike dhe aktuale.

Kështu unë çmoj, nderoj, vlerësoj 15 vjet të daljes së revistës së shquar dhe të dalluar arbërore “Jeta Arbëreshe”, e cila na ka përcjell dhe ndihmuar shumë për ta njohur, nderuar dhe dashur njëri-tjetrin, por edhe na ka paraqitur denjësisht para tjerëve, duke na pasuruar me njohuri dhe përvoja të reja. Gjithë kjo ishte një ndihmesë e madhe për vetëdijesimin tonë personal, familjar,  shoqëror, kombëtar dhe kishtar – fetar.

Kryeredaktorit Agostino Giordano-s, redaksisë, bashkëpunëtorëve, lexuesve, njerëzve të vullnetit dhe zemrës së mirë, urime, përgëzime, falënderime, si dhe punë të mbarë dhe sukses në të tashmen dhe të ardhmen. Ad multos annos!     

Shpërndaje

Comments are closed.

« »