A besoj në vlerësimin e Jezusit?

Jul 5 • Meditimi i ditës

5 korrik 2017 – E mërkurë, Shën Çirili dhe Metodi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 13,46-49; Ps 117,1-2; Lk 10,1-9)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret që të hyjë në zemrën time, në heshtje dhe i padukshëm.
Ai vjen me dashuri dhe pushtet të pamasë.
Të më përshkojë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

Shumë vende në këtë moment janë duke e kaluar agoninë e luftës.
E përkuli kryet në shenjë mirënjohjeje për lirinë personale
dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke e ndjerë veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e trishtuar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur apo i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 10, 1-9

 

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:
“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!
8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi u jep udhëzimet më të rëndësishme dishepujve të tij. I dërgon të nisen në rrugë pa asgjë. Prej tyre kërkon besimin dhe këmbënguljen në kryerjen e misionit që e kanë marrë, kurse ai do të shtojë dhe kompensojë gjithçka tjetër.
  • Nxënësit duhet ta kuptojnë se me forcat e tyre nuk mund të bëjnë asgjë. Por së bashku me Jezusin mund të bëjnë gjithçka në qoftë se qëndrojnë të lidhur me të dhe në qoftë se kanë për të vepruar ashtu siç u ka urdhëruar.
  • Çfarë më ka besuar mua Jezusi? A besoj në gjykimin/vlerësimin e tij, apo kam ende ndonjë dyshim?

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me anë të tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »