“Një shpatë do ta shporojë shpirtin”

Jul 5 • Këndvështrime

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe një shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. – edhe ty vetë një shpatë  do ta shporojë  shpirtin – që të zbulohen shestimet e zemrës se shumëkujt”. (Lk 2, 33-35)

“Zoja e Bekuar duke e paraqitur Jezusin në Tempullin e Jerusalemit falënderon Atin e amshuar në emër të të gjithë njerëzve dhe ia dhuron Atij. Kështu duhet të bëjmë edhe ne në jetën tonë: ta falënderojmë vazhdimisht  Zotin për dhuratën e jetës, fesë, ta ofrojmë jetën tonë për shëlbimin e botës”. (Nëna Tereze)

 

Tempulli i Jerusalemit ishte vend i shenjtë ku bashkohej Populli i Zotit për t’u takuar me Jahven. Aty lexohej fjala e Zotit dërguar etërve nëpërmes profetëve, kujtoheshin veprat e ndryshme dhe të mrekullueshme të Tij, meditohej madhëria hyjnore dhe tradhtia  e popullit. Kështu Tempulli ishte vendi qendror për ta mbajtur të gjallë praninë e Zotit në mesin e popullit, për kujtimin e së kaluarës, veprës së shëlbimit, për pritjen me fe të së ardhmes, ardhjen e Mesisë, nëpërmjet leximeve biblike dhe uratës. Tempulli e kishte edhe parahyrjen  për paraqitjen e dhuratave, flijimeve, si lavdi ndaj Zotit dhe shpërblim për mëkate.

Jeta tokësore e Jezusit ishte dhuratë e vazhdueshme Atit, qysh prej lindjes deri në vdekje në kryq. Një çast i veçantë ishte paraqitja e Tij në Tempull, sipas Ligjit të Moisiut. “Çdo i paralindur mashkull le t’i kushtohet Zotit” – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit; “një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash”. (Lk 2, 28-29) 

Paraqitja e Jezusi në Tempull, dukej një gjë krejt private, e fshehur nga varfëria dhe thjeshtësia e familjes së Jozefit, Marisë dhe Jezusit të vogël. Ishte, po ashtu, edhe shenjë e pastrimit dhe falënderimit, siç bënin shumë familje të asaj kohe, edhe pse në zemrën e Jozefit dhe të Marisë ishte misteri i madh i Mishërimit. Mu për këtë çdo gjest, fjalë, hap, analizohej dhe mbahej në mend, meditohej thellësisht në dritën e ngjarjeve të shëlbimit. Maria e plotësoi Ligjin e Moisiut, iu nënshtrua traditës, dhe kështu në Tempull ofroi të Birin Atit, si flijim dhe fillim i vepër së shpërblimit për mbarë njerëzimin. (khs. Lk 2, 22)

“Pastaj, kur ia paraqiti Zotit në tempull me ofertën e dhuratës tipike të të varfërve, dëgjoi Simonin të profetizonte se Biri do të bëhej shenjë kundërshtimi dhe se një shpatë ta shponte shpirtin e nënës, që të zbuloheshin mendimet e shumë zemrave”. (LG 57)

Ja befasia: edhe një herë zbulohet misteri i pranisë së Krishtit. Hera e parë ishte kur engjëjt këndonin: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!”  (Lk 2, 14). Pastaj barinjve : “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!” (Lk 2, 11), dhe së fundi edhe tre dijetarëve,  që prej së largu erdhën për ta adhuruar.

Tani fshehtësia zbulohet mu në Tempullin e Jerusalemit gjatë paraqitjes. Ungjilli shkruan kështu: “Në Jerusalem jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt, erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin dhe tha: Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë, sepse me sy të mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve. Dritë që bën të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit” (Lk 2, 29-32).

Ungjilli sipas Lukës, na jep disa informata të përpikta lidhur me Simoni: ishte izraelites, njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm, në pritje të shpërblimit të Izraelit, me Shpirtin Shenjt që i kishte siguruar se nuk do të vdiste pa e parë Shëlbuesin. Sipas kësaj Simoni është përfaqësues i një populli në pritje, Izraelit, por edhe i mbarë njerëzimit në pritje. Ai e ka gjetur atë “Dritë”, që të gjithë e presin dhe shpresojnë. Ai është shumë i lumtur për këtë ngjarje dhe takim jetësor, Shenjë para të cilës duhet çdo njeri të vendoset dhe përcaktohet.

Efekti i këtij takimi të mrekullueshëm dhe misterioz kishte zgjuar ngazëllim, ndërdymje, frikë, pyetje, shqetësime, befasi. ”Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.” (Lk 2, 33).

Dhe nuk mbaron me kaq zbulimi i fshehtësisë hyjnore: “Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse, si grua vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.” (Lk 2, 35-38)

Duke zbuluar misterin, ajo nuk e mbajti në vete dhe vetëm për vete, por ua kumtoi të tjerëve, me falënderim të thellë: “filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për foshnjë të gjithë atyre që e prisnin shpërblimin e Jerusalemit.” (Lk 2, 38)

Këtu gjejmë disa elemente të rëndësishme për jetën tonë të krishterë: ndjenjën e falënderimit ndaj Zotit, për dhuratën e fesë, nëpërmjet të cilës zbulojmë, jetojmë dhe e duam Zotin në të tjerët, në bashkësinë e krishterë, me të gjithë ata që janë në pritje, në kërkim të së Vërtetës, Drejtësisë, të Paqes. Çdo njëri prej nesh pret ditë dhe kohë  më të mirë, çlirimin, paqen, drejtësinë, dashurinë…Me kë dhe përse mund të shpresojmë, të punojmë dhe të presim këto ndërrime?  Vetëm me Jezusin dhe me bashkësinë vëllazërore mund të shpresojmë dhe zbatojmë qysh tash hic et nunc, këtu dhe tani, këtë të ardhme, që është e “pranishme” në Jezusin. Në ecjen tonë të fesë, sidomos në flijime dhe dhembje, na përcjellë Virgjëra Mari.

Me gjestin e paraqitjes së Jezusit foshnjë ne Tempull, fillon ofrimi i flijimit dhe dhurimit meshtarak. “Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin. Këndej, me anë të tij t’i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie, d. m. th. frytin e buzëve që dëshmojnë Emrin e tij. Mos harroni bamirësinë dhe ndihmën bashkësisë, sepse flitë e tilla i pëlqejnë Hyjit.” (Heb 13, 14-16)

Qysh në fillim të jetës tokësore, Jezusi i paraqitet dhe dhurohet Atit në emër të vëllezërve, motrave, të gjithëve, duke nisur kultin e ri, liturgjinë, ku nuk paraqiten më dhurata, gjësende, por Ai, si fli dhe viktimë për mëkate tona dhe për shëlbimin tonë. Paraqitja në Tempullin e Jerusalemit, na jep dy të vërteta të mëdha: vepra e shëlbimit zbatohet vetëm nëpërmjet vuajtjes, vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, si dhurim kulmor i Besëlidhjes së Re, dhe përqafon mbarë botën. Në këtë vepër të mrekullueshme që merr pjesë edhe Maria, nëna e Jezusit, edhe ne jemi të ftuar në këtë me flijime, vuajtje, vështirësi, pësime dhe kryqet tona.

(Nga libri: Don Lush GJERGJI, Jeta, Dashuria, Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, 2016, f. 121-123)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »