Paralizimi shpirtëror

Jul 6 • Meditimi i ditës

6 korrik 2017 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 22,1-19; Ps 116,1-6.8-9; Mt 9,1-8)

 

Prania e Hyjit

Ndalem dhe e marr me mend praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që ato të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto dhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.
Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,
që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.
Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se çfarë jam.
Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:
Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 9, 1-8

1 Jezusi hipi në barkë, kaloi në anën tjetër dhe shkoi në qytetin e vet. 2 Dhe ja, ia sollën para një të paralizuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: “Guxim, biro! Të janë falur mëkatet!”
3 Dhe ja, disa prej skribëve menduan me vete:
“Ky po blasfemon!”
4 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, tha:
“Pse mendoni keq në zemrat tuaja? 5 Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngrihu e ec!?’ 6 ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ i tha atëherë të paralizuarit ‑ Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”
7 I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet.
8 Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • I paralizuari nuk mund të vinte tek Jezusi, të tjerët e çuan tek a Njerëzit pa emër kishin besim në fuqinë e Jezusit për të shëruar. Edhe mua më mbartin njerëzit e mirë anonim, të paemër, që kanë më shumë besim se unë. Por edhe unë, në kthim, i mbart të tjerët.
  • Ndërsa e fus veten tani në historinë e kësaj ngjarjeje, ku do të mund ta gjeja veten? Te personi i paralizuar? Apo në mesin e atyre të cilët e çuan atë te Jezusi? Apo në mesin e skribëve refuzues dhe mosbesimtarë? Dhe së fundi, në mesin e turmës që pa dhe besoi dhe që i dha lavdi Hyjit, që vepron përmes Jezusit? Dhe ku më vendos Jezusi mua, me kë më identifikon?

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »