Jezusi s`e përjashton askënd

Jul 7 • Meditimi i ditës

7 korrik 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Zan 23,1-4,19; 24,1-8,62-67; Ps 106,1-5; Mt 9,9-13)

 

Prania e Hyjit

Ajo çka është pranë meje është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.
E marr me mend praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,
në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.
Ndalem dhe lus që Zoti
të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në illuzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të dashurisë me plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesin ndaj meje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë, shprehje ose ndodhje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 9, 9-13

 

9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:
“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”
12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Jezusi me fjalë dhe vepra jepte porosi duke arritur kështu te ata që moralisht dhe shoqërisht ishin të dëbuar nga shoqëria. Ai i konsideron ata si miqtë e vet. Mateun, një tagrambledhës të ushtrisë pushtuese romake, të gjithë e urrenin. Çfarë shpërthimi i ndërgjegjësimit dhe respektit për veten e vet kur e sheh Jezusi të mirën në të dhe kur dëshiron të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje të tij të re emocionuese! Pa marrë parasysh se çfarë lloji të imazhit të vetvetes kam, Jezusi gjithmonë më sheh si një mik/mikeshë të tijin/tijën.
  • Mateu organizon një festë të madhe dhe i fton për të festuar të gjithë ata që klika fetare i kishte hedhur poshtë. Jezusi gëzonte banketin e përbashkët: askush s`përjashtohet nga “tryeza e përbashkët” me të. Ai kurrë nuk thotë: “Unë dua të ulem me këtë person!” Këtu kemi një model të Eukaristisë – bashkësi/bashkim me Krishtin dhe me njëri-tjetrin, pa qenë i përjashtuar ashkush. 

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »