Do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj…!

Jul 8 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

 

E diela XIV gjatë vitit A

 

Leximi i parë   Zak 9, 9-10

Lexim prej Librit të Zakarisë profet

Kështu thotë Zoti: “Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet barku i luftës. Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det, prej lumit në skajet e tokës!”Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  145

Ref: I bekuar je ti, o Zot,  Mbret i përvuajtur i lavdisë

———————————————–

Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,

dhe do ta bekoj Emrin tënd

përgjithmonë e jetës.

Çdo ditë do të të bekoj,

dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.

———————————————–

Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

———————————————–

Le të lavdërojnë, o Zot,

të gjitha veprat e tua,

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë

sate, le të kuvendin për pushtetin tënd.

———————————————–

 

Leximi i dytë    Rom 8, 9.11-13

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 11, 25-30

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu. Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Të lutesh domethënë të falënderosh, të lavdërosh Hyjin, të pranosh se je i dashur prej Tij: ashtu siç ka bërë Jezusi. “Po të bekoj, o Atë” Edhe Jezusi bekon Hyjin e lavdëron dhe i është mirënjohës për krijimin dhe shëlbimin. E quan ‘Abbà’, baba. Për një hebre ishte e padëgjuar t’i drejtohesh Hyjit me një emër të tillë. Jezusi zbulon se ka një marrëdhënie bijësore me Hyjin, të vetme dhe ekskluzive.

“Këto gjëra ua zbulove të vegjëlve” Hyji u zbulon dhurimin e vetvetes njerëzve nëpërmjet Birit të tij Jezusit, duke lënë mënjanë logjikën në fuqi mes njerëzve. Jo të arsimuarve, domethënë skribëve, farisenjve, që dinë gjithmonë gjithçka e përbuzin të tjerët, por të “vegjëlve”, domethënë të varfërve, të paditurve dhe mëkatarëve, u zbulon sekretet e jetës hyjnore.

“Askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit”. Mes Jezusit dhe Hyjit ekziston një njohje e ndërsjellë dhe ekskluzive: Hyji është Ati i Jezusit e Jezusi është Biri i Hyjit. Vetëm Hyji, ashtu si Ati, e di se kush është Jezusi. E vetëm Jezusi e njeh Hyjin si Atë, që e do Birin me dashuri të pafund.

“Ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë”. Janë të gjithë ata që ndihen të shtypur nga provat e vuajtjet e jetës. Atyre Ai u drejton tre urdhëra: “Ejani tek unë”: besoni në mua, lidhuni me mua. “Merrni mbi vete zgjedhën time”: pranoni mësimin e Jezusit, Ungjillin e tij. “Pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemër butë e i përvuj-të”. Domethënë dëgjoni fjalën time, e bëhuni e qëndroni dishepujt e mi.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Shpirti Shenjt, që banon në zemrat tona, frymëzoftë lutjen tonë për nevojat të Kishës dhe të njerëzimit dhe e bashkoftë me atë të Krishtit Zot që jeton me Atin. Të lutemi së bashku e të themi:

 

                  O Zot i qiellit e i tokës, na dëgjo.

 

L. Për Kishën, për Papën, ipeshkvijtë dhe meshtarët, për katekistët, mësuesit dhe prindërit, që të na mësojnë të falënderojmë Hyjin, të kënaqemi si Jezusi, të gëzojmë që u shpëtuam. Të lutemi

L. Për paqen në botë, që të përfundojnë luftërat që e kanë origjinën nga krenaria dhe nga padrejtësia, dhe njerëzit të njohin njëri – tjetrin si vëllezër. Të lutemi

L. Për ata që janë vënë para një prove të vështirë me anë të sëmundjes, nga fatkeqësitë natyrore dhe nga padrejtësitë që të mund të arrijë tek ta fjala e Jezusit: “Ejani te unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, dhe unë do t’ju qetësoj”. Të lutemi

L. Për këtë bashkësi të përforcuar nga Fjala dhe Buka e jetës, që të përdorë çdo mjet për të shpallur me respekt e guxim Ungjillin e Jezusit atij që nuk e njeh. Të lutemi

M. O Hyj, Biri yt Jezusi na ka bërë të njohim që je Ati ynë: pranoji lutjet që mbesin të pashprehura e që vetëm ti i njeh; na dëgjo sipas vullnetit tënd meqë Ti do të mirën e bijve të tu. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »