Zoti i gëzohet miqësisë sime

Jul 9 • Meditimi i ditës

9 korrik 2017 – E diela 14-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zah 9,9-10; Ps 145,1-2.8-11.13c-14; Rom 8,9.11-13; Mt 11,25-30)

 

Prania e Hyjit

Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.
Në këtë moment, si ky tani, o Zot, bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë sate
si dhe për dashurinë tënde të pakufi ndaj meje.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po e ndiej sot veten?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 11, 25-30

 

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:
“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët,
e ua zbulove të vegjëlve.
26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!
27 Ati më dorëzoi mua gjithçka
dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,
dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit
e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.
28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Imagjinoje një figurë publike që është e njohur dhe e pranuar, dhe që e lë konferencën për shtyp dhe shkon në shtëpi për të përshëndetur fëmijën e vet. Teologët mund të bëhen shkencëtarë të cilët janë ekspertë në të folur për Hyjin, por, pa lutje, Hyji mbetet i panjohur.
  • Këtu je – i/e tërhequr nga lutja, i/e thirrur në miqësi me Hyjin që të do: kjo e bën të lumtur zemrën e Jezusit më shumë se çdo bibliotekë, teori shkencore apo shpallje në kishë. Dëgjo atë që Hyji do tani të të dëftojë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »