Jezusi më flet duke ma zgjeruar horizontin

Jul 11 • Meditimi i ditës

11 korrik 2017 – E narte, Shën Benedikti, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Fu 2,1-9; Ps 34,2-11; Mt 19,27-29)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta lypim në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë admirimi.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj, si po e ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,
dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Mt 19, 27-29

 

27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:
“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”
28 Jezusi u tha:
“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Vendimi për të hequr dorë nga çdo gjë mund të ndodhë në momentin e bekuar: dyshimet dhe pyetjet më vonë mund t`i dëmtojnë synimet tona të mira. Pjetri është i ftuar në një besim më të thellë, që t`i shikojë gjërat më larg.
  • Jezusi më flet dhe ma zgjeron horizontin tim kur kam dyshim në vetvete dhe kur e pyes veten në lidhje me fjalët e tij.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »