Të jetosh me guxim dhe zemërgjerësi

Jul 12 • Meditimi i ditës

12 korrik 2017 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 41,55-57; 42,5-7a.17-24a; Ps 33,2-3.10-11.18-19; Mt 10,1-7)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që të hyj e të vendosem plotësisht në praninë tënde.
Më përshko me dashurinë tënde.
Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,
jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 10, 1-7

 

1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.
2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu ‑ tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; 4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti ‑ ai që e tradhtoi.
5 Pikërisht këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi:
“Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! 6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’

 

Ç` po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Secili prej nxënësve, të përmendur me emër në Ungjillin e sotëm, u ftua për të bashkëpunuar me Jezusin në misionin e tij. I njëjti mision dhe e njëjta shërbesë e Jezusit i janë dorëzuar Kishës në çdo kohë – misioni i shërimit të të sëmurëve, faljes së mëkatarëve dhe shpalljes së Lajmin të Gëzueshëm të Mbretërisë së Hyjit.
  • Zoti më thërret edhe mua me emër për ta luajtur rolin tim në përhapjen e Lajmit të Gëzueshëm të dashurisë dhe mëshirës së pafund të Zotit, në kohën dhe botën time. Secili prej nesh në bashkësinë e “Momentit të Shenjtë” me anë të pagëzimit është i thirrur për të shërbyer, sidomos “deleve të humbura” në shoqërinë e sotme.
  • O Zot, bëj që ta dëgjoj gjithmonë thirrjen tënde personale dhe t`i përgjigjem asaj me guxim dhe zemërgjerësi në jetën time të përditshme.

 

Bashkëbisedimi

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, çfarë më thotë zemra,
si shoku shokut.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »