Veshja e Motrave të Nënë Terezës, bëhet “pronë intelektuale” nën mbrojtje juridike!

Jul 12 • Kulturë

Sari bardh e blu, petku i Motrave të Nënë Terezës, është tashmë shenjë dalluese, nën mbrojtje juridike. Veshja tipike indiane, që mbajnë Misionaret e Bamirësisë në mbarë botën, fitoi, që nga viti 1950, të drejtën  të quhet “pronë intelektuale” nga ana e Kongregatës së themeluar prej Shenjtores së Kalkutës. Njoftimin e jep AziaNews, duke cituar fjalët e Biswajit Sarakar, përfaqësues ligjor i motrave, i cili njoftoi se “Trade marks Registry” (Regjistri i markave) i Qeverisë së Indisë,  lejoi regjistrimin e copyright.

Lidhur me këtë vendim, që u mor për të shmangur çdo lloj shpërdorimi e që u bë i njohur dje, është folur që vitin e kaluar. Avokati shpjegoi se praktikat  për njohjen e kësaj së drejte filluan që në vitin 2013 e, pas shqyrtimit të hollësishëm të procedurave ligjore, e drejta u akordua me rastin e shenjtërimit të “Nënës së të varfërve”, më 4 shtator 2016, në Vatikan. Sarakar shpjegon akoma se misionareve nuk u pëlqen fare publiciteti e prandaj edhe nuk e bënë menjëherë publik këtë lajm. Por, me që vërehet se kjo veshje po përdoret në mënyrë krejt të parregullt e pa skrupuj, u desh që të gjithë ta merrnin vesh se tashmë marka është e regjistruar. Një fjalë e urtë popullore thotë se nuk është petku ai, që e bën murgun. E kjo është e vërtetë. Por, me sa duket, deri në një farë pike. Uniformat e urdhrave të rregulltarëve e të klerikëve kanë pasur gjithnjë rëndësi të madhe. Çdo zhgun e çdo veladon ka domethënien e vet. Në rastin e motrave të Nënë Terezës, e bardha është simbol i pastrisë, e vijat blu, të kujtojnë ngjyrën e veshjes së Zojës së Bekuar si dhe tre kushtet: varfëri, pastri, bindje.

/radiovaticana.va/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »