Papa Françesku: të jesh katekist nuk është punë, por mision!

Jul 13 • Kisha në botë

 

Shkëlqesisë së Tij Monsinjor Ramón Alfredo Dus 

Argjipeshkëv i Resistencia 

President i Komisionit Ipeshkvor i Katekezës dhe Pastoralit Biblik

 

I dashur vëlla,

Të dërgoj përshëndetje të përzemërta ty dhe gjithë atyre që do të marrin pjesë në takimet e ndryshme të formimit, që ka organizuar Komisioni Ipeshkvor për Katekezë dhe Pastoral Biblik.

Shën Françesku i Asizit, njërit nga ndjekësit e tij, që kërkonte me ngulm ta mësonte si duhet  të ligjëronte dhe predikonte, i kishte përgjigjur kështu: “Vëlla, [kur i vizitojmë të sëmurët, iu ndihmojmë fëmijëve dhe ju japim të hanë të varfërve] jemi tashmë duke predikuar.” Në këtë ligjëratë të bukur janë të përfshira thirrja dhe detyra e katekistit.

Në rënd të parë, katekeza nuk është një “punë” apo një detyrë e jashtme për personin e katekistit, por “bëhesh” katekist dhe gjithë jeta bëhet rreth këtij misioni. Në fakt, “të jesh” katekist është një thirrje e shërbimit në Kishë, që është pranuar si dhuratë nga Zoti, e që duhet si e tillë të bartet. Prandaj, katekisti duhet t’i kthehet gjithnjë kësaj shpallje apo “kerygme”, që është një dhuratë që ka ndryshuar jetën e tij. Është një shpallje fundamentale që duhet të tingëllojë pandërprerë në jetën e të krishterit, e më tepër tek ata që janë të thirrur të shpallin dhe mësojnë fenë. “Nuk ka asgjë më qëndrueshme, më të thellë, më të sigurtë, më jetëgjatë e më të urtë se kjo shpallje.” (Evangelii gaudium, n. 165). Këtë shpallje duhet ta shoqërojë feja që tanimë është e pranishme në besimin e popullit tonë. Duhet të merret parasysh tërë potenciali i përshpërtërisë dhe dashurisë që ka devocioni popullor, që jo vetëm të tejbartet përmbajtja e fesë, por të krijohet një shkollë e vërtetë e formimit, ku kultivohet dhurata e fesë, në mënyrë që veprat dhe fjalët të reflektojnë hirin e të qenit dishepull i Krishtit.  

Katekisti ecën prej Krishtit e me Krishtin. Nuk është njeri, që niset nga idetë a shijet e veta, por lejon të udhëhiqet nga vet Zoti, nga ai shikim, që ta përflak zemrën. Sa më shumë që Jezusi është në qendër të jetës sonë, aq më tepër na bënë të dalim nga vetvetja e bëhemi të afërm me tjerët. Ky dinamizëm i dashurisë është si lëvizje e zemrës: “sistola e diastola”. Fokusohet për ta takuar Zotin dhe çelet menjëherë, e del nga vetja për të dashur, për të bërë dëshminë për Jezusin e për të folur për Jezusin, për të predikuar Jezusin. Ai vetë na jep shembull: tërhiqej për t’iu lutur Atit, e pastaj shkonte për t’i takuar ata që kishin uri e etje për Hyjin, për t’i shëruar dhe për t’i shëlbuar. Prej kësaj lind rëndësia e katkezës “mistagogjike”, që është një takim i pandërpreshëm me Fjalën e me Sakramentet. Nuk është një takim thjeshtë i rastësishëm, i privuar nga kremtimi i sakramenteve të fillesës së krishterë. Jeta e krishterë është një proces i rritjes dhe i integrimit të të gjitha përmasave të njeriut, në një ecje bashkësiore të dëgjimit e të përgjigjes (khs. Evangelii gaudium, n. 166).

Përveç tjerash, katekisti është kreativ: kërkon mjete e forma të ndryshme për të shpallur Krishtin. Është bukur të besosh në Jezusin, sepse “ai është udha, e vërteta dhe jeta” (Gjn 14, 6), që e përmbush jeton tonë me gëzim e hare. Ky kërkim për ta njohur Jezusin si e bukura më e lartë, na çon në takim me shenja e forma të reja për ta shpallur fenë. Mjetet mund të jenë të ndryshme, por është e nevojshme të kemi parasysh përherë stilin e Jezusit, që adaptohej ndaj njerëzve që i kishte pranë, me qëllim që secilit t’ia bënte të afërt dashurinë e Hyjit. Duhet të dimë “të ndryshojmë”, të adaptohemi, për ta bërë mesazhin më të afërt, ndonëse ai është gjithnjë i njëjti, sepse Hyji nuk ndryshon, por i banë të reja të gjitha gjërat. Në kërkimin kreativ për të njohur Jezusin nuk duhet të kemi frikë, sepse ai na prinë në këtë detyrë. Ai është tashmë në njeriun e ditëve tona dhe na pret aty.

Të dashur katekistë, ju falënderoj për atë që bëni, por mbi të gjitha që rrugëtoni me Popullin e Hyjit. Ju inkurajoj të jeni bartës të hareshëm të mesazhit, mbrojtësit e të mirës dhe të bukurës, që shndrisin në jetën e fesë së apostujve misionarë.

Jezusi ju bekoftë e Virgjëra e shenjtë, “edukatorja e vërtetë e fesë” u kujdestë për ju. Ju lutem, mos harroni të lutuni për mua.

Vatikan, 5 korrik 2017

                                                                                                                                      Françesku

 

(Mesazhi i Atë të Shenjtë Françeskut dërguar pjesëmarrësve në simpoziumin e parë ndërkombëtar mbi katekezën, Buonos Aires, 11-14 korrik 2017. Përkthimi: Rev. “Drita”)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »