Zemërhapur në ndjekjen e Krishtit

Jul 13 • Meditimi i ditës

13 korrik 2017 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 44,18-21.23b-29; 45,1-5; Ps 105,16-21; Mt 10,7-15)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,
se si më krijon në imazhin dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

Lus për hirin e shenjtë
që t`i harroj brengat e mia,
që të jem i/e hapur se çfarë kërkon Hyji prej meje,
që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur
ta përjetoj dashurinë.
Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:
Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

  

Mt 10, 7-13

 

7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni! 9 Mos grumbulloni në brezat tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë për ushqimin e vet.
11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai derisa të shkoni më tej. 12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. 13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Ka diçka në këtë ungjill lidhur me atë se çka do të thotë të jesh i/e thjeshtë – shpirtdlirë. Ndërsa punojmë për Zotin, nuk brengosemi më për veshjen, paranë, kulmin mbi krye. Jemi të brengosur, por jo të shqetësuar ne ankth. Vështirë është të merret kjo fjalëpërfjalshëm, mirëpo prej nesh kërkohet që të jemi mendje dhe zemër hapur në ndjekjen e Krishtit.
  • Duhet të jemi njerëz për të cilët marrëdhënia me Jezu Krishtin do të jetë në rendin e parë në jetë dhe se këtë asgjë nuk mund ta prishë apo të jetë para saj. Gjithë dashuria, miqësia, personaliteti ynë, gjithçka kemi dhe bëjmë, janë në shërbim të dashurisë së Krishtit dhe gjithë këtë mund t`ia paraqesim, t`ia kushtojmë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »