Zoti ka besim në mua

Jul 14 • Meditimi i ditës

14 korrik 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 46,1-7.28-30; Ps 37; 3-4.18-19.27-28.39-40; Mt 10,16-23)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta lypim në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj, si po e ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,
dhe do të ndalem në atë çfarë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 10, 16-23

 

16 “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!
17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.
21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.
23 Kur t’ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t’i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Sa shpesh ma dëshiron Jezusi paqen dhe më flet që mos të brengosem! Ai e di që ekzistojnë gjëra që më tërheqin teposhtë. Do të mendoj se çka do të mund të ishte kjo dhe do të dëgjoj sesi më flet për to.
  • Shpirti i Zotit flet nëpërmjet meje: do të përpiqem ta kem këtë para sysh dhe ta pranoj besimin që ka Zoti në mua.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.
Më mëso që të kem mbështetje fëmijërore në ty.
Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »