Ekskluzive/Kardinal Troshani i dërguar special i Papa Françeskut për shugurimin e Katedrales Nënë Tereza

Jul 15 • Kisha në Kosovë

Vatikan, 15 korrik 2017: Sot, në orën 12:00 Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë ka lajmëruar se Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, i cili do të jetë më 5 shtator 2017. Lajmin e ka publikua edhe gazeta zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”.

Ipeshkvia e Kosovës, e prirë nga bariu i saj Imzot Dodë Gjergji, me moton “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”, pati lajmëruar se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, do të shugurojë Kishën Katedrale, e cila i kushtohet bijës së popullit dhe kishës sonë, shenjtëreshës së dashurisë. Këtë ngjarje të madhe festive tani i jep solemnitet edhe më të madhe Papa Françesku duke e emëruar të Deleguarin e Tij të Veçantë, Eminencën e Tij Kardinal Ernest S. Troshani.

 

Kush është Kardinali Ernest Troshani?

Ernest Simoni Troshani lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshatra të humbura mes malesh, ku  nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëherë e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë  e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur  Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Ndërsa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për  bashkëvuajtësit.

Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të  tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyruar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat 12 në minierë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit  e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizeve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Papa Françesku e ka krijua kardinal më 19 nëntor 2016. Troshani është kardinali i dytë i shqiptarëve, pas Kardinal Mikel Koqiqi.  (nga Jetëshkrimi i Kardinalit i lexuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës 09. 10. 2016.)/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »